Në rast të shkarkimit të tij, presidenti Donald Trump paralajmëroi se ekonomia amerikane do të shembej.
“Nëse do të shkarkohem, mendoj se tregjet do të shemben dhe të gjithë do të bëhen më të varfër”, tha ai në një intervistë të publikuar të enjten në mëngjes për “Fox News”.
Një shkarkim i kreut të Shtëpisë së Bardhë është shumë hipotetik, pasi republikanët kanë maxhorancën në Kongres, por kjo ide është rikthyer në aktualitet që kur ish-avokati i tij personal, Michael Cohen, theksoi sot nën betim se ka blerë, me kërkesë të Donald Trump, heshtjen e dy grave të dyshuara për prostitucion që të mos kompromentohej fushata e tij fitimtare presidenciale e vitit 2016.
Michael Cohen, i akuzuar për shkelje të ligjeve për financimin elektoral, ka nënshkruar një marrëveshje të negocimit të dënimit me autoritetet, që mund ta detyrojë të bashkëpunojë me prokurorin special, Robert Mueller, i ngarkuar me hetimin e nxehtë mbi dosjen ruse.
Në kuadër të hetimeve të ekipit Muller, një tjetër i afërm i Trump, Paul Manafort, është gjendur para drejtësisë. Ish-drejtori i fushatës së miliarderit republikan u njoh të martën fajtor për mashtrim financiar dhe bankar.
Megjithatë këto afera nuk duket se e shqetësojnë presidentin Donald Trump.