11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Metoda e studimit me dhjetë hapa

Më të lexuarat

Nëse do të hartonim një listë me frazat më të zakonshme që dalin nga goja e mësueseve për nxënësit e tyre, ose e profesorëve për studentët, ajo që do të dominonte do të ishte: “Është nxënës/student inteligjent, impenjohet, por i mungon një metodë studimi” ose “mund të bëjë edhe më shumë…”.

Kështu që, nëse nga një anë prindërit ndihen të kënaqur përderisa kanë një fëmijë, i cili i “kap” gjërat në ajër, nga ana tjetër ata ndihen totalisht të pafuqishëm për ta ndryshuar situatën për më mirë. Pra, çfarë mund të bëni për të përmirësuar procesin e nxënies dhe të studimeve tuaja? Ja çfarë këshillojmë ne:

1. Bashkangjitini një emocion të pëlqyeshëm studimit

Filloni ta bëni të rehatshëm ambientin në të cilin studioni. Mendoni për një kampion të “Formula 1”, apo për një gjë që ju pëlqen më shumë. Është thelbësore që të krijoni një vend të rregullt, me ndriçimin e duhur dhe karrigen më të rehatshme, në mënyrë që të mos studioni duke ndenjur mbi krevat.

Nëse nuk jeni një tip ambicioz dhe lënda që duhet të studioni nuk ju pëlqen edhe aq shumë, mundohuni ta bëni atë sa më konkrete të mundeni, duke kaluar te shembujt praktikë. Nëse këto alternativa nuk ju pëlqejnë, mendoni faktin se, nëse do të përqendroheni seriozisht, procesin e të mësuarit ose të të studiuarit, do ta mbaroni shpejt dhe në fund të tij do të mund të merrni një “çmim”. Mund të shkoni të praktikoni një sport, të dilni me miqtë etj.

2. Dilni nga skema e studimit për të mësuar dhe studioni për të shpjeguar

Në këtë mënyrë, mendja juaj “zhvendoset” në një plan krejtësisht tjetër. Ju do të përzgjidhni informacionet më të rëndësishme dhe do të jeni më të gatshëm për t’i komunikuar ato në mënyrë efikase.

3. Planifikoni kohën që keni në dispozicion, duke alternuar kohën e studimit me pauzat

Kohën mund ta ndani kështu: 40 minuta studim, 15 minuta pushim i gjatë (ndonjë lojë e vogël, shëtitje nëpër shtëpi), 5 minuta pushim pas 40 minutave të tjera studim dhe më pas filloni nga e para.

4. Nisuni nga e përgjithshmja për të arritur në detaj

Për të kuptuar strukturën e një libri, është thelbësore që më parë të dini sensin e asaj që do të studioni. Ndaj lexoni hyrjen, parathënien, indeksin dhe udhëzimet për tekstin (në qoftë se libri juaj i ka ato). Mos mendoni se është një humbje kohe, përkundrazi!

5. Hidhini një sy të përgjithshëm argumentit që duhet të studioni

Lexoni titullin e kapitullit dhe shkoni në fund për të parë nëse ka ndonjë përmbledhje ose pyetësor, shihni skemat, grafikët, imazhet, hartat nëse ka, ose lexoni paragrafët dhe fjalë shpjeguese në fund të faqes. Me të drejtë do të pyesnit se ku qëndron rëndësia e pyetësorit dhe e përmbledhjes në fund të faqes? Sepse në to janë 20 për qind e pyetjeve të cilat japin 80 për qind të njohurive të kërkuara.

6. Mos nënvizoni gjithçka, sepse është si të mos vijëzoni asgjë

Mundohuni që të zgjidhni fjalët kyçe (folje ose emra) që përfaqësojnë një figurë ose një koncept.

7. Përsërisni ato që keni mësuar pas disa ditësh

Për të miksuar pjesë të koncepteve të ndryshme, përsëritini ato pas dy javësh. Pra, studimi duhet të jetë gjithnjë aktiv.

8. Krijoni harta vetjake në formate A4 ose A3

Në qendër vendosni argumentin kryesor dhe një imazh që do t’jua kujtojë. Projektoni degëzimet me një thelb qendror, duke përdorur hapësirën në mënyrë të barabartë. Përdorni ngjyra dhe imazhe. Një hartë e dukshme dhe e “gjallë” do të mbesë lehtësisht në mendje. Një lloj harte e tillë, mund t’ju shërbejë si për lëndët shoqërore, ashtu edhe për ato shkencore.

9. Shfrytëzoni imazhet

Për të memorizuar emra, data, poezi, rregulla gramatikore etj., përdorni gjithnjë një imazh, pasi ai e aktivizon gjithmonë mendjen për të kujtuar gjërat më të rëndësishme.

10. Bëhuni “moderator”

Për të mësuar dhe shpjeguar mësimet me sukses, përsëritjani ato me zë të lartë dikujt tjetër, ose përdorni videokamerën e celularit për të regjistruar veten teksa flisni për një mësim të caktuar. Vetëm në këtë mënyrë do ta kuptoni se çfarë nuk shkon te vetja juaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit