Dogana Shqiptare më në fund ka nisur aplikimin e asaj që quhet procedurë e thjeshtuar e deklarimit në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin, ose e zhdoganimit online. Përfituesi kryesor i kësaj procedure është biznesi i cili do të ketë lehtësi, shpejtësi gjatë procesit dhe përfitime monetare.
dogana onlineNë testimin e parë të kësaj teknologjie të re në një nga firmat në Tiranë ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali. Tanimë malli pas futjes në doganë nuk do të qëndrojë më në ambientet e kësaj të fundit, por do të transportohet direkt në mjediset e kompanisë përkatëse aty ku personi i autorizuar do të përpilojë deklaratën e plotë doganore dhe më pas do ja dërgojë në mënyrë elektronike pikës së doganës duke deklaruar kështu të gjithë mallin e mbërritur. Më parë kjo procedurë kërkonte 1 ditë kohë, ndërsa tani mund të përfundojë në pak minuta.
Teknologjia e re e aplikuar është një lehtësim tepër i madh për të gjithë bizneset pasi i kursen kohë dhe para. Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali u shpreh se pikërisht ky është qëllimi i administratës doganore të krijojë lehtësira për biznesin, të rrisë transparencën dhe të luftojë korrupsionin. Aktualisht është autorizuar vetëm një kompani për përdorimin e këtij shërbimi, por në ditët në vazhdim kjo mundësi do tu jepet dhe kompanive të tjera serioze që do të përfitojnë nga kjo risi. (PCWorld Albanian)