“Është e pamundur të pranohen deklaratat e qeverisë amerikane dhe gjuha kërcënuese ndaj vendit tonë që është aleat i NATO-s”, tha Kalın në një deklaratë me shkrim pas kërcënimit të presidentit Trump me sanksione ndaj Turqisë
ANKARA (AA) – Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, e cilësoi si të papranueshme gjuhën kërcënuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pas kërcënimit të presidentit Donald Trump me sanksione ndaj Turqisë nëse kjo e fundit nuk e liron pastorin amerikan Andrew Brunson të ndaluar për lidhje me organizatat terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Është e pamundur të pranohen deklaratat e qeverisë amerikane dhe gjuha kërcënuese ndaj vendit tonë që është aleat i NATO-s”, tha Kalın në një deklaratë me shkrim.
“Qeveria e SHBA-së, e cila deri më sot nuk ka hedhur asnjë hap në lidhje me FETO-n, duhet të dijë se nuk do të fitojë rezultate përmes kërcënimeve ndaj Turqisë, duke marrë si pretekst një çështje e cila është në kompetenca të gjyqësorit të pavarur të Turqisë”, shtoi zëdhënësi presidencial turk.
Kalın po ashtu theksoi se SHBA duhet të shqyrtojë sa më parë qëndrimin e saj pa dëmtuar tutje interesat e veta dhe marrëdhëniet me Turqinë si aleat dhe t’i kthehet një qasjeje konstruktive.
Ndryshe, reagimi i Turqisë vjen pasi Trump me herët përmes Twitter-it kërcënoi vendin me sanksione.
“SHBA do të vendosë sanksione të mëdha ndaj Turqisë për arrestin e gjatë të pastorit Andrew Brunson”, ka thënë Trump.
“Ai po vuan shumë. Ky njeri i pafajshëm i besimit duhet të lirohet menjëherë”, ka shtuar presidenti amerikan.
Brunson u transferua në arrest shtëpiak të mërkurën, pasi ishte arrestuar në provincën e Izmirit në dhjetor të vitit 2016. Ai akuzohet për spiunazh për PKK-në, e njohur si organizatë terroriste në SHBA dhe Turqi, dhe organizatën terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës për grusht shteti të korrikut të vitit 2016.
Më parë, nënpresidenti amerikan Mike Pence po ashtu u kërcënua nëpërmjet Twitter-it me “sanksione të konsiderueshme mbi Turqinë derisa ky njeri i pafajshëm i besimit të lirohet”.
Gjykata e Dytë e Lartë Penale e Izmirit ka thënë se vendimi për transferimin e Brunsonit në arrest shtëpiak është marrë për shkak të shëndetit të tij.
Gjykata vendosi të lejojë Brunsonin të jetojë në adresën e tij në Izmir, por e ndaloi atë nga “braktisja e vendbanimit” dhe nga largimi nga vendi.
Pas vendimit, kleriku u largua nga burgu me një përcjellje policore pas përfundimit të procedurave të caktuara.
Autoritetet kanë marrë masa të gjera të sigurisë në vendbanimin e Brunsonit.