5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Ozil nuk kursehet ndaj Grindel, zbulohet letra e plotë e mesfushorit (Dokument)

Më të lexuarat

Lamtumira e parakohshme nga Gjermania, por mbi të gjitha deklaratat e forta të Mesut Ozil në drejtim të presidentit të Federatës Gjermane të Futbollit Reinhard Grindel po bëjnë xhiron e botës. Akuzat e mesfushorit të Arsenalit janë vërtetë të ashpra dhe lënë pak vend për interpretim pasi Ozil në letrën e tij ka thënë gjithçka pa dorashka dhe Grindel tashmë do të jetë vendoset vërtet në telashe serioze.

Ja letra e plotë e Mesut Ozil

“Ajo që më irritoi më shumë është trajtimi që kam marrë për muaj me radhë nga presidenti i federatës gjermane të futbollit dhe, në veçanti, nga presidenti Reinhard Grindel. Pas fotos time me presidentin Erdogan mu kërkua nga trajneri Joahim Lëv që të shkurtoja pushimet dhe të nisesha për në Berlin dhe të jepja një deklaratë dhe të sqaroja gjithçka për çfarë ishte folur gjatë kohës. Ndërsa prisja që të shkoja të takoja presidentin e federatës, Grindel, për t’i shpjeguar origjinën time, rrënjët dhe prejardhjen që fshihej pas asaj foto, ai ishte më i shqetësuar për të folur në aspektin dhe vizionin e tij politik duke injoruar opinionin tim.

Përpos kësaj sjellje, vendosëm që të përkushtoheshim te Kupa e Botës dhe futbolli. Ja motivi pse nuk dola përpara mediave në konferencën e parë të Gjermanisë, pasi e dija se do të më sulmonin për politikën dhe atë që kishte ndodhur, por kurrsesi nuk do të flitej për futboll.Kjo gjë ndodhi edhe me Oliver Bierhoff përpara ndeshjes me Arabinë Saudite, në miqësore në Leverkuzen.

Gjatë kësaj kohe, takova edhe presidentin e Gjermanisë, Frank-Valter Steinmeier. Ndryshe nga Grindel, ai ishte profesional dhe u interesua shumë në atë që do të tregoja, për origjinën time, për gjuhën dhe prejardhjen, por më pyeti edhe për familjen.

Mbaj mend që takimi ishte vetëm mes meje, Ilkait (Gyndogan) dhe presidentit Steinmeier, teksa Grindel u mërzit më shumë pasi nuk ishte në atë takim.Ramë dakord me presidentin Steinmeier se do të vinte koha kur të jepja një deklaratë zyrtare për të sqaruar gjithçka, por për momentin duhet të fokusoheshim te fusha dhe futbolli. Presidenti i federatës, Grindel, u bezdis nga ky fakt, pasi donte që Federata Gjermane të komandonte dhe aty të bëhej deklarata e parë dhe jo ta merrte në dorë gjithçka zyra për shtyp e presidencës.

Që pas fundit të Kupës së Botës për Gjermaninë, Grindel donte që të sqarohesha dhe ta bëja zyrtarisht, duke ushtruar presion te unë, madje të shpjegoja dhe të pranoja se isha fajtori i atij dështimi, edhe pse kjo histori kishte marrë fund në Berlin.Unë po flas tani, jo për Grindelin,por sepse dua unë.

Nuk kam ndër mend dhe nuk pranoj që të jem koka e turkut për paaftësinë e tij për të kryer detyrën që ka. Madje, ai kërkoi përjashtimin tim nga Gjermania pas asaj fotoje, duke publikuar edhe një qëndrim në Twitter, pa u konsultuar me askënd, por Joahim Low dhe Oliver Birhof u ngritën për mua dhe më dolën në mbrojtje.

Në sytë e Grindelit dhe tifozëve të Gjermanisë, unë jam një gjerman kur fitojmë dhe një emigrant kur humbasim. E gjitha kjo edhe pasi paguaj rregullisht taksat në Gjermani, merrem me fondacione shkollash të ndryshme dhe kam qenë pjesë e suksesit në Botërorin e vitit 2014.Sërish nuk më pranojnë në shoqëri.

Trajtohem sikur jam “ndryshe”. Në 2010 mora edhe një çmim “Bamby Award” si shembull i suksesit për integrimin në shoqërinë gjermane. Gjithashtu, kam fituar edhe çmime të tjera vazhdimisht në lidhje me këtë temë. Por, qartësisht, nuk jam një Gjerman? A ka ndonjë kriter që unë nuk e kam për të qenë plotësisht gjerman?

Miqtë e mi Lukas Podolski dhe Miroslav Klose kurrë nuk janë quajtur polako-gjerman, ndaj pse unë quhem turko-gjerman? Kjo sepse bëhet fjalë për Turqinë? Sepse jam mysliman. Ka shumë gjermanë që kanë familjarë në vende të tjera dhe jetojnë aty, pasi kanë origjinën, ndërsa unë jam rritur dhe jam edukuar në Gjermani, pse njerëzit nuk e pranojnë që jam gjerman?

Por, opinioni i Grindelit për mua është përhapur kudo në Gjermani dhe në subjekte të tjerë… Bernd Holzhauer (politikan gjerman) ka thënë se jam unë koka e turkut dhe fajtori për gjithçka për shkak të asaj foto me Erdoganin, ndërsa Verner Ster (drejtori i Teatrit Gjerman) më ka thënë “Zhduku në Anadolli!”, një vend në Turqi ku ka shumë emigrantë.

Siç e kam thënë, është përdorur origjina ime për të ngritur një propagandë politike dhe diskriminuese, duke abuzuar me familjen time. Sjellje në mungesë totale respekti ndaj meje. Këta njerëz kanë përdorur foton time me Erdoganin për të nxjerrë në pah idetë e tyre raciste dhe tendencën që kanë ndaj emigrantëve. Kjo është e rrezikshme në një shoqëri.

Kam marrë telefonata dhe mesazhe tifozësh pas ndeshjes me Suedinë që më sulmonin duke thënë “zhduku nga Gjermania, emigrant m**ti” ose “derr turk!”. Nuk dua të diskutoj këtë gjë, aspak, sepse ata përfaqësojnë mentalitetin e vjetër gjerman, atë Gjermani për të cilën kurrë nuk do të jem krenar. Jam i sigurt se shumë gjermanë janë në krahun tim.Për ty, Reinhard Grindel, ndjej zhgënjim, por nuk jam aspak i surprizuar, sepse e ke treguar edhe më parë se çfarë pikëpamjesh raciste ke ndaj emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. T’i që ke thënë se myslimanët janë shtuar në Gjermani dhe nuk duhet të jetë kështu. Diçka e turpshme dhe e pafalshme.

Persona të tillë, si ty, nuk duhet të punojnë në institucione kaq të rëndësishme.Pas gjithë kësaj, vendos të mos vesh më fanellën e kombëtares së Gjermanisë, për të cilën ndjeja krenari dhe kënaqësi e lumturi kur zbrisja në fushë. Ndjeja, sepse tani nuk ndjej më. Është një vendim tepër i vështirë, por në këto kushte duhej marrë.

Kam dhënë gjithçka, maksimumin për ekipin, shokët e skuadrës, stafin e tifozët. Por, duke parë mënyrën se si numri “1” i futbollit gjerman më trajtoi mua, duke e kthyer në propagandë politike dhe racizmi, duke mos respektuar origjinën time turke, erdhi koha të them mjaft.

Jo sepse unë luaj futboll, por për shkak të racizmit dhe racizmi nuk duhet pranuar dhe nuk duhet të ekzistojë kurrë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit