Policia izraelite nuk lejoi hyrjen në Palestinë të aktivistit suedez Ladraa, i cili sot nga kufiri i Jordanisë arriti në Izrael. Ai u mbajt në paraburgim 6 orë nga policia Izraelite
STOCKHOLM (AA) – Izraeli nuk ka lejuar hyrjen në Palestinë të aktivistit suedez Benjamin Ladraa, i cili në shenjë reagimi ndaj persekutimit të ushtruar nga Izraeli ndaj Palestinës vitin e kaluar ka nisur një marshim nga qyteti Göteborg i Suedisë për në Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia izraelite nuk lejoi hyrjen në Palestinë të aktivistit suedez Ladraa, i cili sot nga kufiri i Jordanisë arriti në Izrael. Madje, ai u mbajt në paraburgim 6 orë nga policia Izraelite.
Ladraa, i cili u kthye në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, në një deklaratë për AA tha se në kufi është ndalur nga policia izraelite.
Ai tha se Izraeli u frikësua nga një aktivist paqësor suedez. “Izraeli nuk lejoi që të hyj në Palestinë. Më mbajtën 6 orë në paraburgim. Më treguan dy arsye për mos lejimin që të hyj brenda kufirit. E para, pretenduan se së bashku me Nabih Salehun në Palestinë do të nisim një rebelim. Ndërsa e dyta, pretenduan se unë po gënjej”, tha Ladraa.
Duke nënvizuar se përpjekjet e tij do të vazhdojnë derisa palestinezët të fitojnë lirinë e tyre, Ladraa tha se “11 muaj më parë u nisa në këmbë nga Göteborgu. Kam ecur rreth 5.000 kilometra, duke kaluar kështu vende të shumta. Nuk do të heq dorë nga përpjekjet e mia derisa Palestina të jetë e lirë. Për momentin jam në kryeqytetin jordanez. Brenda disa ditësh do të kthehem në Suedi me avion. Më pas do të caktoj hartën e rrugës time”.
Kujtojmë se Benjamin Ladraa më 15 gusht të vitit 2017 ka nisur marshimin e tij nga qyteti Göteborg i Suedisë, në shenjë reagimi ndaj persekutimit të ushtruar nga Izraeli ndaj Palestinës.