-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Milionat e kartonit të Gjelbër- Familja Thaçi rrit fuqinë brenda Byrosë së Sigurimeve

Më të lexuarat

Mobilizimi i drejtuesve të Byros Kosovare të Sigurimeve, për emërimin e njerëzve të afërm në këtë institucion ka vazhduar edhe tash kur kanë filluar diskutimet që Austria të mund të mbuloj Kosovën në fushën e Kartonit të Gjelbër.

Që nga 13 qershori, pikërisht në krye të Departamentit të Kartonit të Gjelbër, zyrtarisht është emëruar Edona Ahmeti. Ajo është e dashura e Kushtrimit Thaçit, djalit të Gani Thaçit.

Gani Thaçi, vëllau i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, tash është koordinator i Byros Kosovare të Sigurimeve, pasi që në mars të këtij viti dha dorëheqje nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv.

Gazeta Insajderi e ka siguruar vendimin për emërimin e saj në këtë pozitë të rëndësishme.

Në të thuhet se Ahmeti e cila ka qenë e sistemuar si ushtrues detyre e drejtorit të Kartonit të Gjelbër tash kalon në pozitën drejtor “ si dhe kontrata e punës i vazhdohet deri me datë 31.12.2018”

Ndërkaq në pikën e dytë të këtij vendimi thuhet se kushtet e kontratës së punës i mbesin të njëjtat.

Ku vendim kishte hyrë në fuqi ditën e emërimit, ndërsa ishte kërkuar që për Ahmetin të bëhet kërkesë për licencim nga Banka Qendrore e Kosovës.

Përgjegjësit e drejtoreshës së departamentit të Kartonit të Gjelbër, pozitë që tashmë e mban Edona Ahmeti, përfshijnë detyrat prej më rëndësishmëve dhe më të ndjeshmeve brenda industrisë së sigurimeve.

Nisin që nga implementimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit për polisat kufitare me vendet e rajonit e deri tek përgatitja e Kosovës për anëtarësim në këshillin ndërkombëtarë të Byrove, përkatësisht pajisjen me Karton të Gjelbër.

Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, informata lidhur me emërimin e Edona Ahmetit në këtë pozitë mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

BKS nuk ka treguar as cilat kritere i plotësoi Edona Ahmeti për tu vendosur në këtë pozitë.

Emërimi dhe dorëheqja e Edona Ahmetit

Kjo nuk është hera e parë që reja e Gani Thaçit, vëllaut të presidentit merr këtë pozitë.

Veçse herën e kaluar, Edona Ahmeti ishte emëruar si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së këtij departamenti.

“Ushtrueses së detyrës znj. Edona Ahmeti i takojnë të gjitha të drejtjat-privilegjet sikurse Drejtorëve të Departamenteve të tjera, po ashtu e njëjta ka përgjegjësitë e Drejtorit paraprak të Departamentit të Kartonit të Gjelbër dhe MOU. Paga e znj. Edona Ahmeti mbetet e njejtë ashtu si e ka pasur në pozitës e Zyrtares së Lartë të Sektorit të Kartonit të Gjelbër dhe Mou”, thuhet në vendimin e Këshillit Administrativ të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të udhëhequr nga Rrahim Pacolli.

Po Gani Thaçi, i cili ato ditë mbante pozitën e drejtorit Ekzekutiv, kur ishte kontaktuar nga Insajderi kishte deklaruar se nuk ka qenë në zyre dhe se nuk ishte në dijeni që Edona Ahmeti është emëruar në atë pozitë.

Gazeta Insajderi pati shkruar për emërimin e saj me 11 gusht, dy ditë pas vendimit nga Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Ndërsa katër ditë pas raportimit nga Insajderi, për këtë emërim Byroja Kosovare e Sigurimit pati lajmëruar se Edona Ahmeti kishte dhënë dorëheqje.

“Njoftojmë se znj. Edona Ahmeti e zgjedhur para disa ditësh nga Këshilli Administrativ i BKS-së si drejtoreshë në departamentin e Kartonit të Gjelbër dhe MOU jep dorëheqje për arsye personale pasi që mendon që të shkoj në shkollim të mëtutjeshëm jashtë vendit”, thuhej në njoftimin e BKS-së.

Miliona euro fitojnë kompanitë e sigurimeve nga mungesa e Kartonit të Gjelbër

Qindra miliona euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve në Kosovë me arsyetimin se vendi nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Vetëm nga viti 2002 e deri më 2015, ato kanë mbledhur rreth 130 miliona nga tarifat e sigurimit kufitar. Këto pagesa janë inkasuar kryesisht nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë, gjatë pushimeve, shkruan Insajderi.

Industria e sigurimeve ka arsyetuar tarifat e larta të sigurimit kufitar me faktin se obligohen të paguajnë dëmet eventuale për shkak se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Por, shuma e dëmeve është shumëfish më e ulët. Vetëm 10 milionë e 300 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore.

Sidoqoftë tash së fundi është bërë një hap drejt Kartonit të Gjelbër. Komisioni për Buxhet dhe Financa ka nisur iniciativën për zgjidhjen e këtij problemi. Tashmë janë bisedime që Austria të mund ta mbulojë Kosovën, shkruan Insajderi.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e lartë të ‘Uniqua Austria’.

Sipas tij, mbulesa nga shteti i Austrisë do të nënkuptonte se qytetarët e Kosovës mund të pajisen me Karton të Gjelbër në Kosovë; e diaspora jonë nuk do të paguante miliona euro sigurim sa herë që vijnë këndej – siç kanë bërë tash e 20 vjet.

“Na konfirmuan gatishmërinë për mbulesë. Aranzhuam një takim të dytë në Vjenë me përfaqësuesit e Byrosë Austriake për të finalizuar këtë bashkëpunim. Në takim isha bashkë me Guvernatorin e Bankës Qendrore – iniciues i takimit; Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe përfaqësuesit e Qeverisë”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

Kompania e miqve të djalit të Gani Thaçit përfitoi qindra mijëra euro nga BKS

Përvec që reja e Gani Thaçit ishte emëruar si drejtoreshë në Byron Kosovare të Sigurimeve, edhe kompania e lidhur me miqtë të djalit kishte përfituar tender qindra euro tender nga ky institucion.

Por Byrosë Kosovare të Sigurimeve i kishte dalë një problem i madh me këtë kontratë.

Kompania “Alt3c”, në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit dyshohet se ka përfituar mijëra euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky institucion.

Gani Thaçi mban postin e zv/drejtorit të përgjithshëm në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila ka lidhur kontratë katërvjeçare me firmën private, në pronësi të Visar Eminit, Mark Vuksanit, Ilir Pushkës dhe Ardian Kelmendit. Në kohën e nënshkrimit të kontratës, postin e drejtorit e mbante Faton Abazi.

Kompania përfiton 1 euro e 17 cent për çdo të siguruar që e regjistron në sistemin bonus-malus. Llogaritet se kompanitë e sigurimeve shpenzojnë mbi 400 mijë euro brenda një viti për implementimin e këtij sistemi.

Por, udhëzimi administrativ për implementimin e këtij sistemi parasheh që të mos inkasohen mjete financiare për regjistrimin në sistem të veturave në pronësi publike dhe shtetërore.

Kompania “Alt3c”, ka shpërfillur këtë udhëzim dhe ka inkasuar dhjetëra mijëra euro nga regjistrimi në sistem të veturave të këtyre kategorive.

Ky veprim, sipas Bankës Qendrore, është në kundërshtim me rregullat në industrinë e sigurimeve.

“BQK-ja është e informuar se kompania e kontraktuar për sistemin bonus-malus, ka llogaritur provizion për automjetet zyrtare shtetërore dhe publike, për të cilat sipas “Udhëzimit mbi implementimin e sistemit bonus-malus për personat juridik”, i aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e BKS-së me datë 6 korrik 2013, nuk vlen aplikimi i sistemit bonus-malus”, thuhej në një përgjigje të BQK-së kohë më parë.

Përveç ankesave të kompanive të sigurimeve për krijim të monopolit, tash BKS-ja është ankuar se kompania private ka mbledhur mijëra euro në kundërshtim me rregullat. Sipas BKS-së, kompania private ka përfituar edhe përmes regjistrimit në sistem të veturave publike e shtetërore, që janë të përjashtuara nga sistemi Bonus-Malus. /Insajderi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit