Meta shpreh besimin e tij se gjatë mandatit të ri të presidentit Erdoğan, marrëdhëniet historike midis dy vendeve e dy popujve do të forcohen edhe më shumë
TIRANË (AA) -Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh urimi, presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet e 24 qershorit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesazhin e publikuar nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta shpreh besimin e tij se gjatë mandatit të ri të presidentit Erdoğan, marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore midis dy vendeve e dy popujve do të forcohen edhe më shumë.
“Urimet më të mira e të përzemërta për fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale. Ju uroj nga zemra shumë suksese në drejtimin e zhvillimin e mëtejshëm të Turqisë e të popullit mik turk. Jam i sigurt se, falë vëmendjes së madhe e të veçantë që i kushtoni bashkëpunimit me Shqipërinë, këto marrëdhënie do të intensifikohen e do të thellohen edhe më shumë”, thuhet në mesazhin e presidentit të Shqipërisë.
Më tej Meta thekson se: “Shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer që Ju dhe Turqia i keni dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. Shqiptarët janë mirënjohës dhe do të jenë solidarë me Ju dhe popullin mik turk në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e Turqisë”.