Në Mianmar, ku vazhdon shtypja dhe persekutimi ndaj muslimanëve të Arakanit, zbulohet se ushtria ka vënë në objektiv personat e arsimuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Muslimanët e Arakanit të strehuar në Bangladesh pasi janë larguar nga persekutimi në Mianmar, në një deklaratë për Associated Press (AP) kanë theksuar se dhjetëra mësues dhe liderë fetarë në operacionet ushtarake në vend janë përballur me abuzime, arrestime dhe tortura sistematike.
Muhammed Hashim, i cili edhe vetë është mësues, ka shpjeguar se vëllai i tij mësues është vrarë përpara syve të tij nga ushtarët e Mianmarit.
Ai ka theksuar se ushtarët kanë vendosur në objektivin e tyre personat e arsimuar për të eliminuar liderët e komunitetit që mund të ngrenë zërin kundër dhunës dhe presioneve në vend.
Ndërsa qytetari nga Arakani 26 vjeçari Rahim, mësues në një shkollë të mesme ushtarake, ka shpjeguar se ushtarët e ushtrisë së Mianmarit pas sulmeve të 25 gushtit kanë ardhur në fshatin Maung Nu, duke pyetur “ku janë mësuesit?
Rahim i cili ka shtuar më tej se është larguar pas ardhjes së ushtarëve, tha se “Po të isha kapur e dija se do të isha i vdekur. Ata donin të na eliminonin ne sepse mendonin që pa ne ata mund t’i bënin çfarë të dëshironin muslimanëve të Arakanit”.
– “Dëgjoni këto histori, sa të njohura janë”
Studiuesit i kanë krahasuar përjetimet në Mianmar me gjenocidet e tjera, duke përfshirë edhe Holokaustin.
Karen Jungblut, një nga drejtueset e fondacionit Shoah USC në një intervistë në një kamp në Bangladesh është shprehur se “Dëgjoni këto histori, sa të njohura janë. Fillimisht dëbon liderët politikanë ose fetarë, dhe më pas vendos në objektiv popullatën”.
Edhe në një raporti të publikuar si rezultat i bisedave të kryera me rreth 65 refugjatë nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ishte theksuar se ushtria e Mianmarit ka vënë në objektiv mësuesit, liderët fetarë dhe personat e tjerë me ndikim në komunitetin e Arakanit me qëllim për të eliminuar historinë dhe dijen e muslimanëve të Arakanit.