2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

I dërguari i OKB-së largohet nga Jemeni

Më të lexuarat

SANA (AA) – I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Jemenin, Martin Griffiths, është larguar nga kryeqyteti jemenas, Sanaa, duke përfunduar një vizitë katër-ditore, gjatë së cilës ai foli me udhëheqësit e grupit rebel Shia Houthi, raporton Anadolu Agency (AA).

Burime të aeroportit për AA bën të ditur se Griffiths tani do të drejtohet në kryeqytetin jordanez, Amman.

I dërguari i OKB-së mbërriti në Sanaa të shtunën për t’u takuar me krerët e grupit rebel dhe për të përcjellë kushtet e parashtruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe lidhur me luftën në vazhdim mbi krahinën bregdetare Al-Hudaydah të Jemenit.

Dje, burime të afërta me bisedimet për AA thanë se bisedimet nuk arritën ndonjë përparim të prekshëm. Sipas burimeve të njëjta, grupi Houthi deri tani ka refuzuar të dorëzojë portin strategjik Al-Hudaydah në mbikëqyrjen e OKB-së, duke kërkuar më tepër kohë për të “studiuar” propozimet e Griffiths –it.

Beteja për krahinën Al-Hudaydah sot është në ditën e saj të shtatë, që kur sipas burimeve ushtarake të Jemenit, forcat qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr saudit, morën aeroportin e qytetit.

Jemeni i varfër vazhdon të mbetet i shkatërruar nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët e Shia Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015 kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj sunitë-arabë filluan sulmet ajrore ndaj pozicioneve kryengritëse.

Një vit më pas, bisedimet e paqes të organizuara nga OKB-ja në Kuvajt nuk arritën t’i japin fund konfliktit.

Dhuna në vazhdim ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, duke përfshirë sistemet e ujit dhe kanalizimeve, duke bërë që OKB të përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit