Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas deklaratave të Deputetit të PDK-së Shaip Muja, i cili ka thënë se Bahtiri nuk mund të spekuloj rreth Trepçës. Madje deputeti Muja ka thënë se të parit të Mitrovicës se duhet të trajnohet për administratën dhe kompetencat që i ka si kryetar komune.
Letra e plotë e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri për Deputetin Shaip Muja.
“Duke marrë parasysh të kaluarën e deputetit Muja, “në politikë dhe biznes”, kërkoj nga institucionet shtetërore, Kuvendi dhe Qeveria, që të organizojnë seanca trajtimi psikike për deputetin në fjalë. Të thuash se Agim Bahtiri, nuk e di se cilat janë kompetencat e tij, është çmenduri. Një “doktor”, siç është deputeti Muja, t`i tregoj për zhvillimin ekonomik një biznesmeni global, këtë rast Agim Bahtrit, mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe nga një “politikan” i llojit të Shaip Mujës.
I kuptoj disfatat, humbjet, përjetimet, zhgënjimet e proceset në të cilat po kalon deputeti Muja, por them po ashtu se ka ardhur koha që politikanët e tillë duhet të largohen, madje edhe duke u hetuar për veprimet e tyre politike dhe ekonomike. Sa i përket kompetencave si kryetar, unë jam shumë i njohur më të gjitha proceset, dhe asnjëherë nuk ka i kam dhe nuk do t’i tejkaloj kompetencat e mia si kryetar i Komunës.
E njoftoj deputetin Muja, se unë si kryetar komune edhe këtë moment vlerësoj se çështja e “Trepçës”, duhet sa më shpejt që të trajtohet ndryshe nga ana e Qeverisë së Kosovës, se ç’është trajtuar deri më tani. Unë mendoj se “Trepça” duhet të rivitalizohet dhe t`i kthehet punës, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës dhe krejt Kosovës. Po ashtu edhe krijimi i Zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë, do të hapte shumë perspektiva për Mitrovicën dhe qytetarët e saj në zhvillimin ekonomik.
Ndërsa, meqë jemi tek zhvillimit ekonomik dhe “Trepça”, unë e ftoj deputetin Muja që të vije në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht në zyrën time për trajnim shtesë për këto fusha, sepse nga ajo që ka deklaruar deputeti në fjalë konsideroj se ka nevojë”, shkruan Agim Bahtri në letrën e tij, për Shaip Mujën. /Telegrafi/