GJENEVË (AA) – Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Zejd Raad El Husejin, duke bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm ndërkombëtar për masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza, ka theksuar se përgjegjësit e masakrave duhet të japin llogari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Husejin ka folur në seancën e posaçme të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut që janë në përkeqësim në territoret e Palestinës nën okupim.
“Plotësisht 1.9 milion njerëz që jetojnë në Gaza janë burgosur pas gardheve dhe jetojnë në varfëri dhe kufizime të cilat sa vijnë e shtohen”, u shpreh Husejin.
Ai tha se Izraeli ka privuar sistematikisht palestinezët nga të drejtat e tyre njerëzore.
“Izraeli, si një forcë pushtuese, sipas ligjit ndërkombëtar është i detyruar të mbrojë popullin e Gazës dhe të sigurojë mirëqenien e tyre. Por ata (palestinezët) janë mbyllur në një banesë të rrënuar toksike nga lindja e deri në vdekje”, theksoi Husejin.
Husejin ka bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm ndërkombëtar për masakrat e kryera nga Izraeli ditën e hënë në kufirin me Gazën dhe ka theksuar se përgjegjësit e dhunës duhet të japin llogari në fund të hetimit.
Për deklaratat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se Hamasi u ka “paguar para” protestuesve dhe se janë “përpjekur që të minimizojnë humbjet e jetëve”, Husejin tha se nuk ka asnjë provë serioze që të mbështesë këto deklarata.
Ndërsa në anën tjetër, përfaqësuesit e SHBA-ve dhe Izraelit në fjalimet e tyre kanë shprehur reagime që Këshilli është mbledhur në seancën e posaçme në lidhje me masakrat e Izraelit.
Pas fjalimeve që do të mbahen në seancën e posaçme, sot do të votohet projekt-rezoluta kundër Izraelit e cila është propozuar edhe me mbështetjen e Turqisë.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së zhvilloi seancë të posaçme për herë të fundit më 5 dhjetor 2017 për të diskutuar mbi situatën e muslimanëve të Arakanit në Mianmar.