ANKARA (AA) – Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu, tha se Turqia synon të ushqejë 100 mijë palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke shkruar në rrjetin social Twitter në lidhje me ndihmat që Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do t’i shpërndajë në Gaza gjatë Ramazanit, Çavuşoğlu tha se palestinezët e shtypur asnjëherë nuk do të braktisen të vetëm në udhëheqjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
“Një milion dollarë ndihma humanitare do të jepen gjatë muajit të Ramazanit nëpërmjet zyrës sonë të TIKA-s në Ramallah”, tha Çavuşoğlu.
Ai njoftoi se shpërndarja e 12 mijë paketave ushqimore është ndër projektet e ndihmës emergjente në Gaza që Turqia ka planifikuar përmes TIKA-s.
“Shpresoj që gjithsej 100 mijë vëllezër palestinezë do të përfitojnë nga kjo”, theksoi Çavuşoğlu.
“Gjatë Ramazanit, synojmë që nëpërmjet TIKA-s të mundësojmë shpërndarjen e ushqimeve të ngrohta për 1.000 familje në ditë dhe të ushqejmë 100 mijë vëllezër tanë”, shtoi ai.
Po ashtu, zv/kryeministri turk njoftoi se do të bëhet shpërndarja edhe e barnave dhe pajisjeve mjekësore në vlerë prej 200 mijë dollarësh për trajtimin e palestinezëve.
“Shpresoj që bekimi i Ramazanit të mbizotërojë në Gaza. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kërkon ligji i vëllazërisë”, tha Çavuşoğlu.