KHALİLUR RAHMAN SALAHSHOOR
STAMBOLL (AA) – Konsulli i Përgjithshëm i Afganistanit në Stamboll, Zekeria Barakzey, mohoi pretendimet e Amnesty International (AI) rreth refugjatëve afganë të ardhur në Turqi.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Barakzey tha se pretendimet se policët turq janë sjellë keq me refugjatët afgan të ardhur në Turqi, se ka pasur përpjekje për t’i dëbuar mbrapa dhe janë detyruar të nënshkruar dokumente në gjuhën turke, nuk e reflektojnë të vërtetën.
“Pretendimet e Amnesty International se ‘policia turke sillet keq me refugjatët afganë dhe i kthen mbarapa në Afganistan duke i detyruar të nënshkruajnë dokumente në gjuhë turke’, janë gënjeshtra”, tha Barakzey.
Ai theksoi se refugjatët afganë që hyjnë në Turqi përmes rrugëve ilegale nënshkruajnë dokumente në gjuhët Dari dhe angleze nën vëzhgimin e diplomatëve afganë.
“Nuk i konsiderojmë të duhura përpjekjet e shteteve të treta për t’i instrumentalizuar refugjatët afganë në Turqi”, u shpreh Barakzey.
Prapa rritjes së numrit të refugjatëve afganë në Turqi ditëve të fundit, shtoi më tej Barakzey, qëndron nxitja e refugjatëve afganë për të shkuar në Turqi nga ana e disa qendrave në Iran.
“Disa qendra në Iran i nxisin refugjatët afganë të shkojnë në Turqi. Trafikantët iranianë u thonë se në Turqi i pret një jetë e mirë, ndërsa disa qarqe e shpërfillin kalimin e tyre në Turqi”, u shpreh Barakzey.
Sipas të dhënave zyrtare, 27 mijë afganë kanë kaluar nga kufiri iranian në Turqi përmes trafikantëve në tre muajt e fundit, tha Barakzey, duke theksuar nevojën që Turqia, Afganistani dhe Irani të bashkëpunojnë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.
“Po ashtu, Irani ka rëndësi të veçantë, pasi ndodhet mes dy vendeve”, vlerësoi ai.
Sipas Barakzeyit, në tre javët e fundit, 1.500 refugjatë afganë kanë marrë dokumente për kthim në vendin e tyre.
“Trafikantët e qenieve njerëzore mashtrojnë të rinjtë duke përdorur problemet në vendin tonë (Afganistan), siç janë lufta, papunësia dhe vështirësia e jetesës”, shtoi diplomati afgan.
Ndihma humanitare
Barakzey tha se së bashku me organizatat joqeveritare në Turqi janë duke punuar në projekte për dërgimin e ndihmave humanitare për refugjatët afganë që kthehen në Afganistan.
“Konsullata jonë e përgjithshme, Fondacioni IHH, në koordinim me Ministrinë afgane të Refugjatëve, janë duke punuar për të siguruar ndihma si biletat e kthimit për familjet e ardhura, mjete materiale dhe veshmbathje”, njoftoi Barakzey.
Sipas tij, zyra e Kombeve të Bashkuara ka vepruar ngadal në zgjidhjen e problemeve të refugjatëve.
“Shpresoj që Kombet e Bashkuara të hedhin hapa më të shpejtë në lidhje me afganët që duan të kthehen në vendin e tyre nga Turqia”, potencoi konsulli i përgjithshëm afgan në Stamboll, Zekeria Barakzey.