0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

NATO: PRISHTINA E BEOGRADI TË IMPLEMENTOJNË MARRËVESHJET

Më të lexuarat

Në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke vazhduar dita e dytë e samitit të liderëve të NATO-s, në të cilin po diskutohen disa operacione të kësaj aleance, sikur edhe planet për transformimin strategjik të saj, në mënyrë që të përballet me sfidat në të ardhmen.

Në deklaratën përfundimtare të samitit të NATO-s, e cila tashmë u është shpërndarë gazetarëve, janë disa paragrafe që flasin edhe për Kosovën.

Shefat e shteteve të NATO-s nga ky samit, kanë mbështetur fuqishëm edhe një herë përpjekjet e misionit të KFOR-it për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.

Po ashtu, mbështesin edhe punën e KFOR-it për të siguruar, në bazë të mandatit që ka, lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

Liderët e NATO-s me këtë deklaratë, kanë përshëndetur edhe përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe kanë thënë se shikojnë në të ardhmen për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë të NATO-s me këtë forcë.

Po ashtu, Kosova përmendet edhe në pjesën e bashkëpunimit të NATO-s me Bashkimin Evropian, ku thuhet se misioni i KFOR-it në Kosovë, po bashkëpunon ngushtë me EULEX-in dhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së.

Shefat e shteteve të NATO-s, po ashtu i kanë bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur të gjitha problemet në mënyrë paqësore nëpërmes dialogut, dhe të shfrytëzojnë rolin e Bashkimit Evropian, në lehtësimin e këtij dialogu.

Ata u kanë bërë thirrje edhe që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tani, e sidomos marrëveshjen për menaxhimin e integruar të vendkalimeve. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit