RAMALLAH (AA) – Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, deklaroi se shpreson që disa vende të Amerikës Latine nuk do të zhvendosin ambasadat e tyre në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, presidenti Abbas ka zhvilluar një takim me homologun e tij Nicolas Maduro në Venezuelë, ku ai ndodhet për takime zyrtare. Në këtë takim Abbas ka informuar Maduron për zhvillimet e fundit për çështjen e Palestinës në lidhje me vizionin e paqes që ka njoftuar në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
Në një konferencë për shtyp pas takimit Abbas tha se “Shpresoj që disa vende nga ky kontinent (Amerika Latine) nuk do të zhvendosin ambasadat e tyre në Kuds. Kjo është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Kudsi Lindor ndodhet nën okupim që prej vitit 1967 dhe ai është kryeqyteti i shtetit të Palestinës. Shumica e vendeve në botë këtë duhet ta pranojnë të tillë”.
Po ashtu duke cekur edhe procesin e paqes me Izraelin, Abbas ka rikujtuar se kanë dëshirën që të zhvillojnë negociata serioze me Izraelin për vendime ndërkombëtare dhe ka përmendur rëndësinë ndërkombëtare për çështjen e procesit të paqes dhe për formimin e një mekanizmi shumëdimensional.
Ndërsa Maduro ka theksuar se vendi i tij ka paraqitur një qëndrim të vendosur për shpëtimin e popullit palestinez nga okupimi dhe mbështetjen e të drejtës së lirisë dhe pavarësisë së tij.
Venezuela ngriti nivelin e përfaqësimit diplomatik në Palestinë në nivelin e ambasadës në maj të vitit 2015 dhe ndërpreu të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi më 6 dhjetor 2017 njohjen e Kudsit si “kryeqytetin e Izraelit” dhe lëshoi një udhëzim për të lëvizur ambasadën nga Tel Avivi në Kuds.