0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

OBI thirrje për Arakanin dhe Kudsin

Më të lexuarat

DAKA (AA) – Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar shtypjen dhe dhunën në nivel të “spastrimit etnik” ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar në një mbledhje të mbajtur në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, duke i bërë thirrje botës islame për solidaritet, transmeton Anadolu Agency (AA).

OBI publikoi deklaratën përfundimtare të Mbledhjes së 45-të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të mbajtur në Daka më 5 dhe 6 maj.

Në deklaratë thuhet se dhuna sistematike e forcave të Mianmarit ndaj muslimanëve në shtetin e Arakanit ka arritur në nivel të “spastrimit etnik”.

Deklarata i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mobilizohet për t’i dhënë fund akteve që shkelin në mënyrë të rëndë të drejtën ndërkombëtare.

Ministrat e Jashtëm kanë theksuar nevojën për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Këshillues për Arakanin (Komisioni i Annanit), duke shtuar se do të vazhdojnë solidaritetin me Bangladeshin, vend i cili është përballur me valë refugjatësh nga Arakani.

“Falënderojmë vendet që ndërmorën hapa të shpejtë për refugjatët e Arakanit dhe dërguan ndihmë në kampet në Bangladesh, ndërsa i bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare të ofrojnë edhe më shumë mbështetje për muslimanët e Arakanit të larguar me forcë nga shteti i tyre dhe Banlgadeshit i cili u ofroi strehim atyre”, thuhet në deklaratë.

– “Refuzojmë vendimin e SHBA-ve për Kudsin”

Në deklaratë është përmendur edhe çështja e Kudsit, duke riafirmuar Deklaratën e Stambollit të pranuar në dhjetor të vitit të kaluar kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Kuds.

“Nënvizojmë edhe një herë rëndësinë e kauzës palestineze dhe Kudsit për umetin. Mbështesim të drejtën e vetëvendosjes së popullit palestinez dhe njohim pavarësinë dhe sovranitetin e një shteti palestinez me kryeqytet Kudsin dhe me kufijtë para vitit 1967, duke mbështetur të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 194 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, thuhet në deklaratë.

“Në këtë drejtim, ne refuzojmë vendimin e SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet i Izraelit dhe vendimin për zhvendosjen e ambasadës në Kuds më 14 maj. Ky akt është në kundërshtim edhe me të drejtën ndërkombëtare, edhe me komunitetin ndërkombëtar, i cili shprehu mendimin në Samitin e Jashtëzakonshëm të OBI-së në Stamboll më 13 dhjetor dhe vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 21 dhjetor”, theksohet më tej në deklaratën përfundimtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit