1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Studiuesi turk dizajnon pajisje mjekësore që shpëton jetë

Më të lexuarat

IZMIR (AA) – Një studiues turk në Universitetin Dokuz Eylul në Izmir ka dizajnuar një makinë portative të pompimit të gjakut, e cila pritet të shpëtojë jetën e njerëzve që vuajnë nga pamjaftueshmëria e avancuar kardiake ose pulmonare.

Profesor Erdem Silistreli, i cili ushtron profesionin e kardiologut për 28 vite, ka projektuar pajisjen së bashku me ekipin e tij prej nëntë personave pas pesë viteve punë të rëndë edhe përkundër orarit të tij të ngjeshur në spital.

Pajisja, e cila është vetëm rreth 20 centimetra në gjatësi, mund të heqë mpiksjet e gjakut nga trupi dhe të kthejë gjakun e oksigjenuar tek pacientët.

Specialistët e shëndetësisë mund ta përdorin atë kudo meqenëse ajo është portative, e ndryshme nga ato ekzistuese, të cilat janë të rënda dhe joportative.

Pacientët në gjendje të rëndë nuk do të duhet të presin për të shkuar në spital për të marrë trajtim me këtë pajisje, gjë që do të reduktojë rreziqet e tyre.

“Është hera e parë që një pajisje e tillë praktike dhe portative të projektohet në Turqi”, tha Silistreli për Anadolu Agency (AA).

Zakonisht, pacientët, të cilët janë në kushte kritike dhe kanë nevojë për reagim të menjëhershëm dhe njësi për mbajtje në jetë, përfundojnë duke pritur për t’u hospitalizuar, gjë që kërcënon jetën e tyre.

Sipas shifrave të Universitetit Dokuz Eylul, rreth 3.000 njerëz me pamjaftueshmëri të avancuar kardiake ose pulmonare në Turqi kanë nevojë reagim të tillë.

Nevojat e shumë prej tyre nuk plotësohen menjëherë pasi makinat janë të shtrenjta dhe të paarritshme. Megjithatë, pajisja e re mund t’i ndryshojë këto fakte së shpejti.

Prodhimi pritet të realizohet brenda një viti

“Kjo është një makinë që shpëton jetë, pasi ajo mundëson reagim të menjëhershëm te njerëzit që mbyten në një lumë ose kanë sulm në zemër në rrugë ose gjatë marrjes së pacientëve në spitale me ambulanca ose helikopterë”, thotë Silistreli.

Pajisja portative mund të përdoret gjithashtu si një njësi për mbajtje në jetë nëpër spitale, gjë që mund të ndihmojë pacientët me pamjaftueshmëri të avancuar kardiake ose pulmonare.

“Qëllimi ynë është po ashtu të bëjmë pajisjen të lehtë për t’u përdorur”, shtoi Silistreli.

Ndërkaq, Erdal Celik, rektori i Universitetit Dokuz Eylul, përshëndeti projektin duke thënë se do të ishte më praktike të përdoret pajisja, e cila gjithashtu pritet të kushtojë më pak se ato ekzistuese.

Një protokoll paraprak lidhur me pajisjen është nënshkruar në Universitetin Dokuz Eylul me firmën mjekësore Alvimedica nga Stambolli.

Leyla Alaton, kryetare e Alvimedica, tha për AA se planifikojnë që projektin ta realizojnë brenda një viti.

Alaton tha se firma gjithashtu ka në plan ta eksportojë pajisjen e pompimit të gjakut.

Nga ana tjetër, Ismail Tuna, drejtor i përgjithshëm i kompanisë mjekësore Alvimedica, tha se pajisja do të lehtësojë qasjen në shëndetësi jo vetëm në Turqi, por edhe në botë.

“Nëpërmjet kësaj pajisjeje, ne do të kontribuojmë në zgjatjen e jetëgjatësisë”, u shpreh ai.

Ende nuk dihet saktësisht se sa do të kushtojë pajisja sapo të futet në prodhim. Megjithatë, zyrtarët thonë se kostoja e pajisjes pritet të jetë 50 për qind më e ulët se e atyre ekzistuese.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit