3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

India, në kërkim të një historie dashurie

Më të lexuarat

Nga Blendi Fevziu

 

Punonjësi i kufirit e kthen pasaportën para – mbrapa për të kuptuar më mirë vendin prej nga vij. Shqiponja me dy krerë në sfondin vishnjë, duket se i thotë di[ka më shumë se sa “Republic of Albania”, që ai e sheh fillimisht me dyshim, pastaj e kërkon pak më gjatë në një hartë të botës të shtrirë mbi banakun e punës. Zgjatëm pak për ta ndihmuar në kërkim, duke e parë që shikimi, vërtitej diku në zonat periferike të ish Bashkimit Sovjetik në Azi.
– Mes Italisë dhe Greqisë, i them me shaka, ndërsa djali i ri, i veshur me kostum gri dhe kravatë, si gjithë punjësit e tjerë të kufirit më falenderon jo pa habi, ndërsa vendos gishtin tregues mbi vendin tim.
– Mirëseerdhe zotëri, – më thotë, me një ceremonialitet që se gjen askund tjetër në botë, veç disa vendeve të Azisë dhe Afrikës. Një miksim mes formalizmit britanik me traditën e gjatë koloniale.
Formalizmi, një lloj tradite britanike që tashmë është zbehur edhe në Londër, duket se ka mbetur ende e pranishme në Indi. Të gjithë janë të veshur me kostum dhe kravatë, dhe të gjithë kanë po atë stil përshëndetje, me nje respekt të thellë prej xhentëllmenësh.
Nëse impakti i parë me zyrtarët është ai që kisha lexuar thuajse në çdo shenim për Indinë, formal dhe korrekt, i dyti, ngjante pak me atë që kisha në mend. Aeroporti është i pastër, me reklama të vendeve turistike dhe hoteleve luksozë, disa prej të cilëve kanë diçka prej “Një mijë e një netëve”. Nuk duket askund ndotja për të cilën flasin të gjithë dhe as kaosi mitik i vendit më të madh në botë.
Shoferi i taksisë që ka dalë të më presë më sqaron gjithçka. Ky është aeroporti i ri dhe si i tillë, ndryshon nga ai i vjetri, në krah të tij. Një aeroport i vjetër, i pistë dhe i pangjashëm me askënd tjetër në botë, siç thotë ai. Po kur e pyes se në cilin vend të botës ka udhëtuar, më sheh me habi dhe më sqaron që ka qenë disa herë në Mumbai dhe po kaq në Kalkuta. Koncepti i botës tek Indianët është pak i ndryshëm nga ne. Për ta, bota është India, një thuajse kontinent, i ndarë me shumë Indi më të vogla brenda saj. Vende me popuj, gjuhë dhe besime fetare të ndryshme. Ai më tregon se indianët tipikë, ose ata që ne i konsiderojmë si të tillë në Europë, me turbanin e lidhur në kokë, janë vetëm një pjesë e vogël e Indisë, edhe pse më e mediatizuara. Ata i përkasin besimit Sikh dhe vijnë nga zona e Panxhabit. Zona më e mbyllur, por edhe më tradicionale e Indisë. Ai më sqaron se India është sot, me 1.3 miliard banorët e saj, popullsia më e madhe e globit. Më e madhe se sa e Kinës, që figuron afro zyrtarisht 60 milion banorë më shumë se sa India.
– Si mund të jetë më e madhe kur me shifra zyrtare është më e vogël, e pyes me shaka dhe i sqaroj se kur unë mësoja gjeografinë në shkollë, na thuhej se Kina ishte 800 milion dhe India 600 milion. Tani shifrat kishin ndryshuar në mënyrë radikale.
– Sir, Kina është vend komunist, çdo qytetar i saj numërohet dhe regjistrohet. Tek ne, në zona rurale dhe në fshatra ka miliona e miliona njerëz që as janë regjistruar dhe as numëruar kurrë. Lindin dhe vdesin atje, pa dalë kurrë nga fshati i tyre dhe pa pasur nevojë për ndihmën e shtetit. Jetojnë pak a shumë si 300 – 400 vjet më parë.
Fjala e tij më befasoi. Mendova se si në atë vend kishte miliona njerëz që lindnin pa u rregjistruar askund dhe iknin nga kjo botë po ashtu, pa u shënuar kund dhe pa lënë thuajse asnjë shenjë mbi këtë tokë.

 

Rruga nga aeroporti në Hotel ishte diçka më shumë se 25 minuta në natën e vonë, kur trafiku thuajse nuk ekziston. Gjatë ditës mund të shkojë edhe më shumë se një orë, më shpjegon shoferi, duke më sqaruar se trafiku i Indisë, madje edhe ai i Nju Delhit, që mbahet më i moderuari, është më i frikshmi në botë. Këtë pata mundësi ta verifikoja të nesërmen, në një kaos që rrallë e kisha parë kudo tjetër.
Hoteli shtrihej në qendër, në zonën e Ambasadave. Një lagje mahnitëse në urbanistikën e saj, me rrugë të gjera, gjelbërim dhe fare pak rrëmujë. Mbi të gjitha, një lagje e pastër, mbase më e pastra që pata mundësinë të shihja në Indi.
Nju Delhi është kryeqyteti federal i Indisë. Ai mori këtë emër në vitin 1911, kur Britanikët vendosën ta transferonin Qendrën Administrative nga Kalkuta e rrëmujshme në një vend ku planifikimi të niste nga fillimi. Ata zgjodhën Delhin dhe vendosën ndërtimin e zonës administrative jashtë qytetit të vjetër. Praktikisht ata ngritën një qytet krejt të ri të quajtur Nju Delhi, ose Delhi i ri. Për planifikimin e tij u zgjodhën dy arkitektë të famshëm Britanikë, Sir Edvin Lutyens dhe Sir Herbert Baker. Ata dizenjuan një Kryeqytet pompoz, me një bulevard të gjerë e të gjatë dhe me Zyrat e Nën Perandorit, në majën e një kodre mahnitëse. Vite më parë, kisha lexuar se këtë teknikë të dy arkitektëve të famshëm britanikë, kishin përdorur edhe Italianët në ndërtimin e Tiranës në vitin 1928. Ata i kishin propozuar Mbretit Zog, pikërisht modelin e Delhit. Ndërtimin e një Tirane administrative, që do qëndronte në krah të Tiranës së vjetër dhe që ashtu si Delhi, do të quhej Tirana e Re. Pikërisht ajo që kemi sot dhe që u planifikua nga Armando Brasini.

 

Për ndërtimin e Delhit u deshën 20 vjet. Guri i parë u vendos nga Mbreti Xhorxh i V gjatë udhëtimit në Indi më 1911, ndërsa inagurimi i Kryeqytetit të ri u bë më 13 Shkurt 1931.
Nju Delhi qëndroi si Kryeqytet i Indisë koloniale Britanike për afro 16 vjet. Në mes të viteve ’40 – të dhe sidomos pas luftës së Dytë botërore, lëvizja indipendentiste e kryesuar nga një avokat, por edhe filozof i njohur i quajtur Mahmata Gandi, u bë aq e fortë sa Britania nuk rrezistonte dot më. Gandi frymëzoi një lloj proteste të panjohur deri atëherë, por që sot, në filozofinë politike botërore njihet si Gandizmi. Ai nuk ndërmori asnjë akt dhunë, asnjë kryengritje, asnjë krisëm, por inspiroi bashkëatdhetarët për një rrezistencë paqësore. Miliona njerëz paralizuan gjithë funksionimin e administratës dhe jetës në qytete dhe Britania u dorëzua. Më 1947, India fitoi pavarësinë dhe Gandi u transferua në Nju Delhi për të drejtuar vendin. Por ai kishte një tjetër sfidë përpara kësaj. Popullsia myslimane e Indisë që jetonte në veri perëndim kërkoi të ndahej dhe të krijonte një shtet më vete. Si pasojë e kësaj, myslimanët indianë u ndamë më vete dhe krijuan shtetin e Pakistanit. Indianët e Pakistanit Lindor, u larguan edhe ata ca kohë më vonë dhe krijuan Bangladeshin. Ajo që mbeti nga ndarja, krijoi Indinë e sotme, një shtet, ku gjithsesi, jetojnë afro 172 milion myslimanë ose 13 % e popullsisë. Zona që mbeti gjithnjë e diskutueshme është Kashmiri, ku ende sot, India e Pakistani, dy fuqi atomike, përplasen me njëra tjetrën me armë.
Por ndarja nuk ishte aq e lehtë. Ajo krijoi mjaft tensione të brendshme dhe masakra. Viktima e parë e kësaj historie, ishte ai që solli pavarësinë e Indisë dhe krijoi 3 shtete, Gandi. Simboli i rrezistencës ndaj Britanikëve dhe indiani më i njohur në botë, nuk e drejtoi dot vendin e tij të pavarur më shumë se sa disa muaj.
Më 30 Janar 1948, ai po shëtiste me mbesën e tij në oborrin e Birla House, një rezidencë qeveritare modeste Britanike në Nju Delhi, në pritje të një takimi të madh politik, kur një avokat i ri, shfrytëzoi indiferencën e Gandit ndaj sigurisë dhe e qëlloi me 3 plumba në gjoks. Gandi vdiq 30 minuta më vonë. Atentatori deklaroi se e kishte vrarë ngaqë ai favorizoi myslimanët, por historia s’u mësua kurrë. Atë vetë e dënuan më vdekje dhe e varën 3 muaj më pas në oborrin e burgut të Nju Delhit. India e re, e kishte nisur rrugën e saj të pavarësisë, duke viktimizuar që në ditët e para njeriun që i solli pavarësinë.
Birla House është fare afër Hotelit dhe po ashtu Memoriali i Gandit, që mund ta shohësh mes gjelbërimit nga katet e larta të tij.

 

 

Nju Delhi është një qytet shumë interesant. Por sharmi i tij është Delhi i vjetër. Për shumë kohë ai ka qenë Kryeqendër e Perandorisë Mogule, që mbetet ende sot më e lavdishmja në historinë e Indisë. Monumentet kryesore dhe gjithë madhështia e saj është ngritur në atë kohë.
Dëshmi e jashtëzakonshme e asaj kohe është xhamia Xhama Maxhid. Xhamia më e madhe e Indisë, e ndërtuar në 1644 – 1656, në vitet e shkëlqimit të dinastisë Mogul, ajo gjendet në zemër të qytetit të vjetër. Për të mbërritur deri aty, duhet të ecësh në një kalvar. Rrugës së ngushtë që lidh bulevardin me të, ngrihen ndërtesa gjysëm të rrënuara, thuajse 200 vjeçare. Në katet e para të tyre gjallojnë tregtarët e çikërrimave, ndërsa tregu, depërton thellë në ca rrugica aq të ngushta këmbësorësh sa duket se dy vetë nuk shkëmbehen dot. Papastërtia është thuajse e padurueshme ndërsa në dyert e rrënuara dallohen qartë vizatimet e dikurshme mahnitëse me tematika orientale. Në mes të kaosit të Delhit të vjetër, befas shfaqet magjepse xhamia. E ndërtuar me gur të kuq, tipik për zonën, me katër minare nga 40 metra të larta dhe me një oborr paqësor, që mund të mbajë brenda më shumë se 25 mijë persona. Xhamia ka katër hyrje dhe nëse qëndron në mes, dallon përmes tyre, katër prej objekteve më të bukura të qytetit. Oborret e xhamive të vjetra kanë gjithnjë një lloj paqtimi që më ka magjepsur. Kur në Jerusalem vizitova xhaminë Al Aksa, pata po këtë ndjesi. Xhamitë e reja të botës arabe, ndërtuar nga mbretër e sulltanë janë shumë herë më të bukura, shumë herë më të kushtueshme, me arkitektë të famshëm e mermer shndritës, por i mungon paqtimi i këtyre oborreve. Këtë ndjesi kam pasur në Marok, në Abu Dabi apo në Muskat me xhamitë e reja vezulluese.

 

Delhi ka disa nga monumentet më të rëndësishme në Indi, por edhe më gjerë. I pari është varri i Perandorit Humajun. Humajun ishte një ndër perandorët më të njohur të dinastisë Mogul. Perandoria e Mogulëve u themelua në 1526 dhe drejtoi pjesën më të madhe të Indisë së sotme, Pakstanit dhe Bangladeshit, deri në vitin 1857. Mogulet ishin myslimanë. Në 330 vitet e sundimit të tyre u ndërtuan disa nga monumentet më të bukura të Indisë dhe padyshim ndër më të rëndësishmet e globit. Varri i Humajunit është një ndër ta. I ndërtuar në vitin 1569 – 1570 nga një arkitekt persian, ai ishte porositur nga e veja e perandorit. Arkitekti vendosi të ndërtojë një kompleks ndërtesash, thelbi i të cilave ishin lulishtet e mrekullueshme. Varri është vetëm një element i këtij kompleksi prej disa dhjetra hektarësh.
Ai është pranë Kështjellës së njohur si Fortesa e Kuqe, e cila ngjan shumë të atë të Agrës, qytetit fqinjë, që ishte Kryeqytet i Mogulëve përpara se ata ta tranferonin në Delhi. Buzë fortesës shtrihet lumi dhe me mijëra pëllumba, fluturojnë dhe zënë vend mbi gurët e kuq të fortesës. Monumenti i tretë i rëndësishëm është Qutb Minar. Një minare e larte, thuajse 14 metra, e ndërtuar në vitet 1190. Pasuri e Uneskos, ajo është sot një nga më të vizituarat e Delhit.
Nju Delhi është padyshim interesant. Me Pallatin e Presidentit, Ministrinë e Mbrojtjes, bulevardin e gjatë e të gjerë dhe India Gate, që shumë vetëve ju kujton Harkun e Triumfit në Paris. Por mbi të gjitha, është ndoshta pjesa më e gjelbëruar e gjithë zonës përreth.
Në mbrëmje lagjia rreth hotelit është e vdekur, si çdo qendër administrative. Tuk Tuku i vogël që marr, një miksim i motorrit me taksinë, tipik për Indinë, më çon në një restorant tipik Indian. Kamarieri më sugjeron ushqimin tradicional, pulë me Biriani dhe më pyet me kuriozitet se sa ditë do qëndroj në Indi. I them që kam ardhur për Taj Mahalin dhe që do ta vizitoj nesër.

 

– Nëse nuk ke parë Taj Mahalin, nuk ke parë asgjë në Indi, më thotë me një nënqeshje që më lë mbresë.

Taj Mahali është padyshim ndërtesa më e rëndësishme në 7 mrekullitë e reja të botës. Jo aq për numrin e votave që ka marrë për të hyrë në këtë listë, por më shumë për faktin që miti i saj gjendet kudo në botë.
Agra është afro 210 km larg Nju Delhit, por me makinë duhet të ecësh afro 3 orë. Rruga që lidh Nju Delhin me Agrën është krejtësisht e re, e mbyllur në të dy anët dhe s’ka asgjë nga kaosi tipik indian. Anës rrugës dallohen fusha të mbjella dhe furra antike tullash qerpiçi, nga ato që prodhonin në Shqipëri.
Agra është kryeqyteti i vjetër i Indisë, i periudhës Mogule, me disa nga monumentet më të rëndësishme në vend.
– Sa është popullsia e Agrës, e pyes shoqëruesin tim?
– Oh, shumë e vogël, më përgjigjet ai, e pa krahasueshme me Delhin. Vetëm 3 milion e gjysëm banorë!
Nuk e di se si do ta ketë perceptuar hutimin tim për këtë popullsi “kaq të vogël”, por nuk arrita as t’i thosha që sa kjo popullsi “kaq e vogël” e këtij qyteti, është sa gjithë vendi im.
– Makinat nuk lejohen të afrohen në kompleks, më thotë përkthyesi. Një copë rrugë duhet të ecim në këmbë. Janë masa kundër ndotjes që mund të dëmtojë kompleksin.
Të ecësh nga vendi ku parkohen makinat, deri në hyrje të Taj Mahalit, duket sikur po ecën nëpër rrugët e ferrit. Lopë, makina antike, biçikleta, motorrë, këmbësorë, qen, dhi, lypës dhe një mal me plehra të bëjnë të besosh se monumenti më i rëndësishëm i globit nuk mund të jetë fare aty. Hyrja është po ashtu modeste. Një oborr i gjerë, i rrethuar me gurë të kuq, si çdo monument në ato zona. Një gjelbërim modest rrethon kolonadën që mbyllet në një portë relativisht të madhe, të ngjashme me portat e kështjellave tona. Ajo që shfaqet befas është më shumë se sa mahnitëse. Në hapësirën e derës, fiks në mes të saj, përtej, dallohet një ndërtesë e bardhë, llamburitëse, me një ndriçim fantastik. Eshtë Taj Mahali!
Përtej një prej monumenteve më të bukur të botës, Taj Mahali është edhe një histori e jashtëzakonshme dashurie. Në vitin 1632, Perandori Mogul, Shah Xhahan, pësoi një fatkeqësi. Gruaja që ai donte aq shumë, nëna e 12 fëmijëve të tij, vdiq ndërsa po i jepte jetë femijës së 13. Fëmija mbijetoi ndërsa nëna jo. Humbja e dashurisë së jetës e trishtoi perandorin tej mase dhe për varrimin e saj ndërtoi një xhami të bukur me gur të kuq. Por xhamia, nuk kishte asnjë ndryshim nga godinat e tjera madhështore në qytet. Ajo nuk e reflektonte dashurinë, që siç ai besonte, ishte ndryshe nga çdo dashuri tjetër në këtë botë. Ndaj ai vendosi të ndërtojë një mouzaleum që të ishte jo vetëm ndryshe nga çdo ndërtim tjetër në perandorinë e tij, por të ishte nga më të bukurit në botë. Për këtë thirri një arkitekt persian të njohur, të quajtur Ustad Ahmad Lahauri. Shah Xhahani i kërkoi që ai t’i ndërtonte një gjë që nuk ishte parë kurrë më parë. Usta Ahmadi dhe ndihmësit e tij udhëtuan për 2 vjet. Ata vizituan monumentet më të rëndësishme të Azisë dhe Europës, nga Kina në Francë dhe vendosën që kompleksi më frymëzues dhe magjepës ishte ai i Samarkandës që sot gjendet në Uzbekistan. Ahmad Lahauri projektoi një ndërtesë magjepse, 73 metra të lartë, e cila ndryshe nga çdo ndërtim tjetër në Indi do të ishte jo prej guri të kuq, por prej mermeri të bardhë, tip Onyx. Mermeri, do të ishte i stolisur fund e krye nga mozaik me gurë gjysëm të çmuar, tipikë indianë, që sot, janë një stoli mahnitëse në paretet e bardha të mermerit. Përballë varrit u ndërtuan shatërvanë të mrekullueshëm, me oniks turkuaz të Pakistanit. Mouzaleumi u vendos në buzë të lumit Yamuna dhe në anën tjetër të tij, Shah Xhahani, mendoi të ndërtonte varrin e tij. Në mënyre që çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, për gjithë jetën, ata ta shihnin njëri tjetrin nga dy anët e lumit.
Perandori e pëlqeu projektin dhe i vuri emrin Taj Mahal, që në gjuhën vendsse do të thotë Kurora e Pallatit. Ndërtimi i sheshit prej 17 hektarësh nisi që në 1633, por projekti i plotë kërkoi plot 20 vjet. Ai mbaroi më 1653 dhe kushtoi në atë kohë 32 milion rupi. E kalkuluar me kostot e sotme, ndërtimi i asaj godine kushtoi afro 830 milion dollarë me llogarinë e vitit 2012. Për ndërtimin e saj punuan më shumë se 20 mijë mjeshtra me një teknikë që ende sot mbetet unikale. Ajo e mozaikut. Kur mbaroi, Perandori mbeti i mahnitur prej saj. Ai i kërkoi Usta Ahmad Lahaurit të projektonte edhe një mouzale për të në anën tjetër të lumit, identik me Taj Mahalin. Por Taj Mahali mbeti unikal. Kur puna nuk kishte nisur ende, Perandori vdiq dhe i biri, vendosi që ai të varrosej po në Taj Mahal, në krah të gruas së tij që e kishte dashur aq shumë dhe që e kishte përjetësuar, duke i dhuruar, pas vdekjes, një nga monumentet më të rëndësishme dhe të bukur të njerëzimit. Shah Xhahani dhe gruaja e tij, Muntaz Mahali, qëndrojnë ende aty, me varret krah për krah, si një simbol i një dashurie që nuk e tjetërsoi dot as vdekja.

 

 

I ulur në anën e pasme të Taj Mahalit, m’u kujtua që në shkollë na mësonin se monumenti ishte ndërtuar nga një usta shqiptar i quajtur Ahmet, nga Opari. E pyeta disa herë shoqëruesin, por ai ngriti supet me habi.
– Kanë punuar më shumë se 20 mijë mjeshtër, më tha dhe nuk është çudi që një prej tyre të ketë qenë shqiptar.
Të jetë e vërtetë, pyeta veten? Të ketë pasur vërtet një gurpunues nga Opari, që të ketë lënë familjen dhe të ketë udhëtuar kaq larg, për të lënë gjurmët e tij në një monument të tillë. Hyra në Google map për të parë distancën. Gurgdhëndësi nga Opari duhej të udhëtonte plot 6748 Km deri në Agra ose 116 ditë pa ndalim. Mund të ishte edhe e vërtetë, por edhe kjo nuk kishte shumë rëndësi. Në atë monument, kishin lënë nga pak gjurmë të gjithë. Të gjithë ata që kishin dashuruar në jetë dhe që humbjen e dashurisë, e kishin përjetuar me po atë dhimbje që e kishte përjetuar, afro 400 vjet më parë, Shaha Xhaham, Perandori Mogul!
Në kthim, rruga drejt Delhit ishte më e ngarkuar, por edhe më paqtë. Bëfas ktheva kokën dhe nga perëndimi, dallova një diell të mrekullueshëm. Të madh, pak të fikur si në prag të perëndimit, por padyshim mahnitës. Nuk e di pse pata ndjesinë, se perëndimi, është gjithnjë më magjepës në një vend, ku ka zënë rrënjë një dashuri e madhe…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit