3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përhapja e fesë islame në Kirgizistan

Më të lexuarat

Të dhëna statistikore:(1)

• Emri ndërkombëtar në anglisht: Kyrgyzstan.
• Emri zyrtar: Republika e Kirgizistanit.
• Sistemi i qeverisjes: Republikë.
• Sipërfaqja: 198,500 km².
• Numri i banorëve: 5.482.000 (2009).
• Dendësia: 27.4 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 80%, të krishterë 16% (shumica e tyre rusë ortodoksë) dhe të tjerë 4%.
• Kryeqyteti: Bishkek (llogaritet qyteti më i madh në vend).
• Qytete të tjera: Balikçi, Batken, Karakol, Karasuu, Narin, Ozgon, Talas, Taskomur, Tokmok, etj.
• Grupet etnike: Kirgizë 64.9%, uzbekë 13.8%, rusë 12.5%, dunganë 1.1%, ujgurë 1%, ukrainas 1% dhe të tjerë 5.7%.
• Gjuhët kryesore: Kirgize (gjuhë e parë zyrtare) dhe ruse (gjuhë e dytë zyrtare).
• Njësia monetare: Som (1.00 KGS = 0.016 EUR).
• Data e pavarësisë: 31 Gusht 1991 (nga Bashkimi Sovjetik).
• Festë kombëtare: 31 Gusht 1991 (Dita e Pavarësisë).

Pozita gjeografike

Republika e Kirgizistanit, si një shtet mesatarisht i vogël dhe një vend malor, shtrihet në kufijtë lindorë të zonës së Azisë Qendrore. Sipërfaqja e vendit afërsisht arrin në 198.500 km2, prej saj 191.400 km2 i takojnë zonës tokësore dhe 7.100 km2 i takojnë zonës ujore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 3.878 km. Republika e Kirgizistanit kufizohet me katër shtete fqinje, nga veriu kufizohet me Kazakistanin, me një gjatësi prej 1051 km2, nga lindja me Kinën (përkatësisht me Krahinën Turkistani Lindor, që në këtë kohë është nën pushtetin e Kinës së sotme), me gjatësi prej 858 km2, nga jugu me Taxhikistanin në një gjatësi deri në 870 km2 dhe nga perëndimi me Uzbekistanin në gjatësi deri në 1099 km2. Rreth 49% e terrenit të vendit arrin lartësinë deri në 1000 metra mbi nivelin e detit, kurse afërsisht rreth 30% arrin lartësinë mbidetare mbi 3000 metra, shumë prej majave të larta janë të mbuluara me dëborë. Ndërkaq, në luginat Fergana, Chu dhe Talas terreni është i hapur dhe i sheshtë.(2) Bazuar në të dhënat e vitit 2009, Republika e Kirgizistanit ka gjithsej 29 aeroporte, 18 prej tyre janë të asfaltuara, kurse 11 të paasfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, prej tyre kryesori është porti Balikçi.(3) Shteti i Kirgizistanit ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend janë: Universiteti Shtetëror Kirkiz, Universiteti Ndërkombëtar i Kirgizistanit, Universiteti Ekonomik i Kirgizistanit, Universiteti Shtetëror Kirkiz i Ndërtimit, Transportit dhe Arkitekturës, Akademia Bishkek e Ekonomisë dhe Financave, etj.(4)

Bishkek:

Si kryeqytet ka 900.000 banorë (sipas statistikave të vitit 2005). Qyteti Bishkek është themeluar në vitin 1878, si një fortesë ruse me emrin Pishpek. Ky qytet, që konsiderohet më i madhi në vend, bie në luginën e lumit Choi, në veri të Kirgizistanit. Bishkek është një qytet modern, të cilin e mbulojnë sheshe të gjera dhe kopshte/parqe të shumta, si dhe është qendra ekonomike dhe kulturore e vendit. Në mesin e industrive më të rëndësishme të vendit, për të cilat arrin të jetë i njohur Bishkek, llogariten industritë ushqimore, industria e makinerive bujqësore dhe industria e tekstilit. Gjatë epokës sovjetike, qyteti Bishkek ishte një qendër e një numri të madh fabrikash, por shumica e tyre, për shkaqe të ndryshme, janë mbyllur ose punojnë me kapacitet të zvogëluar prodhimtarie. Gjithashtu, qyteti Bishkek ka qenë selia e një qendre të madhe sovjetike për trajnimin e pilotëve luftarakë.(5)

Historia e Kirgizistanit

Duke filluar nga shekulli X, popujt kirgizë emigruan nga krahina më e lartë e luginës së lumit Yenisei (në territorin e Rusisë Aziatike) dhe u orientuan drejt jugut, gjegjësisht në krahinën Tejan Shan. Kurse, në shekujtë XIII e XIV trojet e Kirigizistanit të sotëm u bënë pjesë e Perandorisë Mongole. Pastaj, në vitin 1758, populli kirgiz u bë ndër shtetasit e Perandorisë Kineze. Më vonë, në periudhën mes viteve 1864 – 1876 vendi u inkorporua në Perandorinë cariste Ruse. Ndërsa gjatë viteve 1916 – 1917 shumë njerëz nga populli kirgiz emigruan në Kinë, si pasojë e shtypjes ruse të revolucionit, i cili ndodhi në Azinë Qendrore dhe pas shpërthimit të luftës civile në Rusi, ngjarje që ndodhën në prag të Revolucionit të tetorit të vitit 1917. Pas tërë këtyre, në vend u organizua një luftë e armatosur lokale nga vendësit kirgizë kundër Ushtrisë së Kuqe Bolshevike. Gjatë periudhës së viteve 1917 – 1924 Republika e Kirgizistanit të sotëm ka qenë pjesë e Republikës së Pavarur të Turkistanit. Në vitet njëzet të shekullit XX, zbatimi i programit të reformës
agrare solli stabilitetin e shumë kirgizëve nomadë dhe u përmirësua edhe gjendja arsimore e u rrit niveli i shkrim-leximit tek fëmijët kirgizianë. Në vitin 1924, Kirgizistani u bë Republikë Autonome brenda Bashkimit Sovjetik, për t’u bërë më pas, në vitin 1936, një nga republikat themelore të Bashkimit Sovjetik. Sovjetikët e detyruan popullin e Kirgizistanit të hiqte dorë nga jeta nomade, u sollën bujqësinë moderne dhe metodat e industrisë moderne, e cila ndryshoi shumë mënyrën e jetesës tradicionale të kirgizëve. Më 31 gusht 1991, Kirgizistani shpalli pavarësinë e vet nga Bashkimi Sovjetik, dhe, më pas, më 21 dhjetor 1991 u bë pjesë e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Në vitin 1992 Kirgizistani hyri në Kombet e Bashkuara, kur filloi një program të reformave ekonomike, i cili mbështetet në fuqinë e tregut. Në maj të vitit 1993, vendi miratoi Kushtetutën e vet. Në vitin 1994, në Kirgizistan u mbajt referendumi i përgjithshëm dhe votuesit miratuan me shumicë reformat ekonomike, si dhe votuan për t’u bashkuar në Unionin e Azisë Qendrore, i cili përfshiu Kazakistanin dhe Uzbekistanin. Në zgjedhjet presidenciale të datës 29 tetor 2000, Akayev fitoi presidencën për herën e tretë, për pesë vjet duke marrë 75% të votave. Republika e Kirgizistanit është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Bankës Botërore, e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura dhe e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim.(6)

Përhapja e Islamit

Feja Islame në këto zona arriti përmes çlirimeve të komandantit të mirënjohur Kutejbe ibn Muslim El Bahili dhe të vëllait të tij Salih ibn Myslim, pikërisht ashtu siç e kemi sqaruar në shkrimin e kaluar, kur kemi folur për Kazakistanin. Mirëpo përhapja e Fesë Islame ndër banorët e këtyre rajoneve, në mënyrë vullnetare mori hovin e duhur në kohën e halifit emevit Umer ibn Abdul Aziz – halifit më të drejtë të kësaj dinastie. Mandej, në periudhën e dytë abasite, në këto zona u formua shteti i Havakinëve, i cili mori përsipër përhapjen e Fesë Islame nëpër këto rajone. Me përhapjen e Fesë Islame, u përhap edhe gjuha arabe dhe u bë gjuhë zyrtare në shtetin e Havakinëve.
Dukuria që ndihmoi në përhapjen e Fesë Islame në këto zona ishte vendosmëria e disa tregtarëve myslimanë për të qëndruar, së bashku me thirrjen islame, në zonën e Ferganës (Kirgizistani i sotëm), të cilët përhapnin Islamin përmes bashkëpunimit të tyre tregtar me banorët e vendit. Një ndikim tjetër në këtë drejtim bënte edhe rruga e tregtisë së arit, e cila kalonte nëpër luginën e Ferganës (Kirgizistani i sotëm), një rrugë e njohur në historinë e këtyre zonave, e tregtarët myslimanë, përveç të tjerash, këtë rrugë e shfrytëzonin edhe për të përhapur Fenë Islame. Njëri prej pedagogëve myslimanë të atyre tregtarëve ka qenë edhe Is’hak ibn Velij, i cili kishte qëndruar në këto zona për 12 vjet, duke kontribuar në përhapjen e Fesë Islame në Kirgizistanin e sotëm. Feja Islame arriti të zgjerohej edhe më shumë në këto rajone në kohën e Selxhukëve turq dhe të mongolëve, të cilët sunduan në këto vende, derisa dora cariste ruse ndikoi në rënien e tyre në vitin 1867.

Klima

Klima në Kirgizistan është kontinentale e paqëndrueshme, e nxehtë dhe me ndryshime të mëdha. Ndërsa në zonat malore klima është e ftohtë dhe majat e larta në to janë të mbuluara gjithnjë me dëborë, në rajonet qendrore rrafshinore klima është e ngrohtë, një ngrohtësi që vjen nga pyjet e dendura përreth, që marrin formën e mbrojtjes së kësaj klime. Pra, kjo është një nga arsyet që i mbledh në këtë rrafshinë emigrantët rusë, prandaj numri i tyre është rritur deri në një të tretën e popullsisë së Kirgizistanit.
Të reshurat atmosferike në Kirgizistan janë mesatare dhe janë të mjaftueshme për rritjen e pyjeve e të bimëve nëpër stepat e disa zonave të vendit. Në luginat e vendit temperaturat mesatare ditore gjatë muajit korrik arrijnë deri në 28 gradë celsius, kurse në zonat e larta malore klima është më e ftohtë, atje në muajin korrik temperaturat mesatare ditore zbresin deri në 5 gradë celsius. Në janar temperaturat mesatare ditore janë aq të ulëta, saqë lëvizin nga minus 14 gradë celsius në lugina deri në minus 28 gradë celsius në zonat e larta malore.(8)

Gjendja ekonomike

Bujqësia sjell rreth dy të pestat e vlerës së prodhimtarisë në ekonominë e Kirgizistanit. Delet janë kafshët me rëndësinë më të madhe në vend, ku banorët, përveç deleve, kultivojnë lopë e dhi. Për shkak të kushteve klimatike dhe rrethanave të truallit, kultivimi i kulturave bujqësore mundësohet në më pak se 10% të territorit të vendit. Bujqit e vendit, në mungesë të të reshurave atmosferike, kryesisht mbështeten në ujitje për prodhimtarinë e shumicës së të lashtave bujqësore. Të lashtat më të rëndësishme dhe kryesore janë: pambuku, gruri dhe perimet. Ndërkaq, industria në vend jep rreth një të tretën e prodhimtarisë në ekonominë e Kirgizistanit. Prodhimet kryesore industriale të vendit përfshijnë: industrinë ushqimore, makinerinë, metalet dhe tekstilin. Qendra kryesore industriale gjendet në kryeqytetin e vendit, Bishkek. Në Kirgizistan ka disa miniera,
prej tyre më kryesoret janë: minierat e qymyrit, arit, plumbit, petrolit, uranit dhe e zinkut. Linjat ajrore llogariten po ashtu si pjesë e ekonomisë së vendit. Aeroporti i Bishkekut mundëson lidhjen me të gjitha linjat e tjera ajrore të vendit.(9)

_______________________
(1) www.alukah.net, www.moqatel.com, www.dreamscity.net.
(2) www.aljazeera.net
(3) www.moqatel.com.
(4) www.4icu.org.
(5) www.marefa.org
(6) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 455, 456. Mektebetul Adab, 2007,Kajro.
(7) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi
Gjugrafia El Alem El Islami, f. 155. Dar Alem El Kutub, 1997 ,
Rijad.
(8) www.rohama.org
(9) www.marefa.org

Mr. Samir B. Ahmeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit