2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mourinho: Nuk e shita unë Salahun, por Chelsea

Më të lexuarat

MANCHESTER (AA) – Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, për mediat britanike ka thënë se në kohën kur ai ishte në pankinën e Chelsea-t nuk ka vendosur ta shesë Mohammed Salah, i cili sot luan për mrekulli në fanellën e Liverpoolit dhe shumë e konsiderojnë atë sot si lojtar më të mirë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, transmeton Anadolu Agency (AA).

Salah u largua nga ‘Stamford Bridge’ në vitin 2016 dhe u transferua në Romë, e cila verën e kaluar ia shiti Liverpool-it. Egjiptiani superior që nga ardhja në ‘Anfield’ ka fascinuar opinionin e gjerë të futbollit duke shënuar 43 gola këtë sezon.

“Njerëzit thonë se unë e kam shitur Salahun, kurse gjërat qëndrojnë ndryshe. Isha unë ai që e bleva Salahun. Unë i propozova Chelsea-t për ta blerë. Por, ai erdhi si një njeri i ri, fizikisht nuk ishte i përgatitur, mentalisht nuk ishte i përgatitur. Në aspektin shoqëror dhe kulturor ishte plotësisht i humbur dhe gjithçka ishte e vështirë për të”, ka thënë Mourinho.

“Chelsea vendosi ta shesë. Pra, vendimi për ta dërguar si huazim ishte i përbashkët, por pas kësaj, vendimi për ta shitur dhe përdorur ato para për të blerë një lojtar tjetër nuk ishte i imi”, tha trajneri portugez.

Salah mbërriti në Chelsea në vitin 2014, por u huazua te Fiorentina, dhe më pas tek Roma e cila më vonë u bleu kontratën e tij për 15 milionë paund (rreth 17 milionë euro). Në fanellën e “të kaltërve” për dy sezone luajti vetëm 19 ndeshje dhe shënoi dy gola.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit