2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Stamboll, Talat Xhaferi takon afaristët turq të interesuar për investime në Maqedoni

Më të lexuarat

SHKUP (AA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Turqi bashkë me një delegacion parlamentar, është pritur në një darkë pune nga Bilal Kara, kryetar i Këshillit Afarist Turqi – Maqedoni, pjesë e Bordit për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike të Republikës së Turqisë (DEIK),transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i Xhaferit, në takim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të kompanive që tashmë janë me përfaqësitë e tyre në Maqedoni, por edhe përfaqësues kompanish të interesuara për zgjerimin e biznesit të tyre në Maqedoni dhe rajon.

Kryparlamentari Xhaferi, thuhet në njoftim, konstatoi se “kjo përbërje mahnitëse e përfaqësuesve të biznesit, flet se Maqedonia është vend që ofron kushte të volitshme për investitorët e huaj, investimi i të cilëve është i mbrojtur me ligjet në fuqi, të cilat me ndryshimet e fundit ofrojnë kushte të barabarta për të gjithë investuesit, qofshin të huaj apo vendorë”.

Ai ka thënë se faktor i rëndësishëm për atraktivitetin e vendit, është edhe stabilizimi pas një krize më të gjatë politike, për të shtuar se marrja e progres raportit pozitiv, të pakushtëzuar, janë gjithashtu në favor të këtij atraktiviteti për investim.

Bilal Kara në fjalimin e tij theksoi se qëllimi i DEIK-ut, është ta informojë sektorin privat në Turqi për mundësitë për investim në Maqedoni, si dhe për politikat e reja ekonomike ndaj investimeve të huaja, dhe pikërisht për këtë ky takim është i rëndësishëm.

Kara bëri të ditur se Turqia është në vendin e gjashtë, në listën e 20 vendeve me hyrjet më të mëdha në Maqedoni. Këmbimi tregtar është 462 milionë dollarë, mirëpo Kara theksoi se sfidë e kanë arritjen e këmbimit tregtar deri në një miliardë dollarë amerikanë në vit.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, nënvizoi se Parlamenti, por edhe Qeveria e Maqedonisë, do të bëjnë çmos që është në fuqinë e tyre për ta lehtësuar bashkëpunimin ekomomik. Sipas tij, në favor të këtij përcaktimi është afërsia gjeografike, ndërlidhja e mirë infrastrukturore me vendet fqinje dhe risi është edhe linja më e re ajrore ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit