SHKUP (AA) – Instituti Yunus Emre (YEE) në Shkup ka organizuar aktivitetin tradicional Ora e Përrallave Turke së bashku me nxënësit e shkollës fillore Shande Starjoski në Kërçovë, e cila zhvillon procesin arsimor në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të aktivitetit, 800 nxënës dhe prindërit e tyre kishin mundësi të dëgjonin nga pedagogë ekspertë dhe aktorë teatrorë në tre gjuhë përralla tradicionale turke, siç janë ato të Nasradin Hoxhës.
Siç thuhet në një njoftim nga Instituti Yunus Emre në Shkup, aktiviteti në fjalë ka qenë programi me pjesëmarrjen më të lartë deri më tani i organizuar nga klubi i fëmijëve i themeluar nga zyra e institutit në Shkup.
Në program ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, e cila tha se Maqedonia si mozaik kulturor i tregon botës se bashkëjetesa në paqe dhe harmoni është e mundur, duke theksuar faktin që shkolla në të cilën u zhvillua aktiviteti në Kërçovë zhvillon procesin arsimor në tri gjuhë.
“Instituti Yunus Emre i dhuroi kësaj shkolle 250 libra me rastin e aktivitetit Ora e Përrallave Turke. Me këtë rast, ne erdhëm të vizitojmë shkollën dhe, nëse ajo ka probleme, të gjejmë zgjidhje dhe ta mbështesim atë”, tha ambasadorja Kara.
Ajo shtoi se mbështetjet e këtilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se Maqedonia është vend mik për Turqinë.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetje dhe të ndihmojmë miqtë tanë”, deklaroi ambasadorja Kara.