Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se në botë ndoshta nuk do të kishte varfëri nëse myslimanët e vendeve të pasura me naftë në vendet e varfra do të jepnin “zeqatin”, përkatësisht lëmoshën (obligative për ata që kanë pasuri) që japin myslimanët në mundësi, në baza vjetore 2,5 për qind nga pasuria totale e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdogan, në pallatin presidencial në Ankara pranoi koordinatorët e Agjencisë për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) dhe me këtë rast foli mbi ngjarjet aktuale.
“Apeloj veçanërisht te vendet myslimane të pasura me naftë. Nëse ata do të jepnin vetëm zeqatin vendeve të varfra, bota ndoshta nuk do të ishte e varfër”, tha Erdogan.
Ai shtoi se vendi i tij është i vendosur të përballet me ata që janë këmbëngulës në qëllimin e tyre për të shkatërruar plotësisht Sirinë.
“Ne jemi të vendosur për të rindërtuar Sirinë dhe progresin në këtë vend për t’i rezistuar organizatat dhe forcat të cilat janë të vendosura në synimin që Sirinë ta rrafshojnë me tokën”, theksoi presidenti Erdogan.
Erdogan iu referua edhe aktiviteteve që TIKA i ka zbatuar në vende të ndryshme të botës, duke theksuar se Turqia është vendi i gjashtë në botë kur bëhet fjalë për ndihmë në fushën e zhvillimit, ndërsa nga të ardhurat kombëtare është vendi i katërt në botë.
“Gjatë historisë sonë si një vend dhe si një komb, ne gjithmonë jemi u sollëm me bujari. Në këtë mënyrë, ne ruajmë amanetet e paraardhësve tanë dhe kjo është trashëgimia që kemi marrë. Ne e dimë se pas shumë problemeve, fshihet një shpërndarje e padrejtë e të ardhurave”, deklaroi Erdogan.
Turqia, siç theksoi presidenti Erdogan, përmes hapave që ka bërë në 15 vitet e fundit, është bërë vendi që ofron më shumë ndihmë në planin humanitar dhe të zhvillimit.
Presidenti turk po ashtu tha se Turqia është e dyta në botë në vitin 2016, pas SHBA-ve, dhe se ka siguruar 6 miliardë dollarë ndihma humanitare dhe zhvillimore në vendet e tjera.