Të paktën 13 persona janë vrarë në Egjipt, kur policia ndërhyri për të shpërndarë mijëra përkrahës të Vëllazërisë Myslimane, kanë njoftuar autoritetet egjiptiane.
Përkrahësit e Vëllazërisë Myslimane kërkojnë kthimin në pushtet të ish-presidentit Mohamed Morsi.
Sipas dëshmitarëve, policia kishte ndërhyrë me shpejtësi për t’i shpërndarë tubimet, që u organizuan në disa qytete të Egjiptit, si: Kajro, Ismalia, Aleksandri dhe Giza.
Autoritetet egjiptiane kishin paralajmëruar edhe më parë se nuk do të toleronin protesta të tjera që mbështesin Vëllazërinë Myslimane, duke e shpallur grupin organizatë terroriste në dhjetor të vitit të kaluar.
Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë në Egjipt kanë bërë të ditur se janë vrarë pesë veta në Kajro, por nuk kanë dhënë hollësi. Në tubimet e Vëllazërisë Myslimane thuhet se janë arrestuar më shumë se 120 persona. /TG