Një nga prodhuesit më të vjetër dhe më të njohur të armëve në SHBA, Remington Outdoor, ka paraqitur kërkesë për falimentim pas shitjeve të ulëta.
Firma, e themeluar më shumë se 200 vjet më parë, paraqiti mbrojtjen e falimentit për të arritur një marrëveshje me kreditorët e saj. Zyrtari kryesor financiar i Remington tha se shitjet e kompanisë ranë ndjeshëm në vitin para falimentimit, tregojnë dokumentet e gjykatës.
Regjistrimi vjen mes kërkesave të reja për kontroll më të madh të armëve në SHBA. Sulmi në një gjimnaz në Florida gjatë muajit shkurt ka ringjallur debatin mbi kontrollin e armëve dhe të shtunën dhjetëra mijëra të rinj amerikanë morën pjesë në protesta në 800 qytete.
Si rezultat i presionit publik, disa shitës amerikanë kanë tentuar të kufizojnë shitjet e armëve të zjarrit, me disa që parashikojnë kontrolle në sfond dhe të tjerë që ndalojnë shitjen e armëve të zjarrit në dyqanet e tyre.
Pasi doli se një pushkë Remington u përdor në sulmin me armë në shkollën fillore “Sandy Hook” në vitin 2012, anëtarët e familjes së viktimave paraqitën një padi kundër prodhuesit gjigand të armëve.
Në letrat e gjykatës të paraqitura në Delaëare, shefi financiar i Remington, Stephen Jackson, tha se kompania kishte vështirësi në përmbushjen e kërkesave nga huadhënësit e saj si rezultat i rënies së shitjeve.
Gjatë procesit të falimentimit, kompania do të qëndrojë në biznes. Në shumicën e proceseve të falimentimit në SHBA, debitori propozon një plan riorganizimi për të mbajtur biznesin e tij dhe për të paguar kreditorët për një periudhë kohore.