Mohamed Salah ka treguar edhe anën e butë të personalitetit të tij duke i kërkuar falje portierit të Watfordit, Orestis Karnezis, për katër golat që ia shënoi në ndeshjen e të shtunës në Anfield.
Liverpooli fitoi me rezultat 5-0 para tifozëve të vet, ndërsa egjiptiani ishte ylli i ndeshjes – duke shënuar katër gola dhe e dhuroi asistimin për golin e Roberto Firminon.
(Foto: Getty Images)
Në këtë mënyrë, ai e ka rritur diferencën me Harry Kane si golashënuesi më i mirë në Ligën Premier (me 28 gola të shënuar deri më tani në kampionatin anglez).
Megjithatë, 25-vjeçari nuk harroi ta ngushëllonte portierin kundërshtar, të cilit madje i kërkoi falje që ia shënoi të gjithë ata gola.
(Foto: Getty Images)
“Më vjen keq”, ishin fjalët e Salah derisa e përshëndeste Karnezisin, të cilit i ka shënuar gola edhe gjatë kohës sa ishte lojtar i Romës (ndërsa greku luante te Udinese).
Salah ka shënuar 36 gola në të gjitha garat këtë sezon duke e thyer rekordin e Fernando Torresit, si lojtari i Liverpoolit që ka shënuar më së shumti gola në sezonin debutues.
(Foto: Getty Images)
Liverpooli është në vend të tretë në tabelë në kërkim të një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Po ashtu, këtë edicion luan në çerekfinale të garës më të madhe evropiane për klube, ku për kundërshtar e ka rivalin nga kampionati anglez, Manchester City.