Creatio Ex Nihilo
Mbas politikës, krimit, dhe religjionit, edhe shkenca ka dhënë mjaftueshëm shembuj për kërcënimin e saj ndaj njerëzimit nëse arrinë të organizohet. Në shumë aspekte munden me u gjetë analogji të funksionimit të ktyne ndërmarrjeve njerzore. Për shembull imazhi i të përvuajtunit, i viktimës mbrapa të cilit mshifet e mbi të cilin kapitalizon përfituesi. Hilet në konkurrencë. Mujsharia. Egoizmi… Mirëpo me neve kryesisht mbesin imazhet, apo ma mirë me thonë ikonat e ktyne ndërmarrësive njerzore. Shenjtit dhe herojt që na imponohen. Nji mafioz me kostum të bardhë që i mundë konkurrentët dhe që si n’legjendën e Robin Hoodit plaçkitë të pasunit e u jep të vorfunve, e që vdes i përvuejtun n’burg. Nji misionar që e shndrron humanitarizmin n’biznes, por që s’e ndrron veshjen fetare me swag të partnerëve n’krim. Nji politikan të cilin e kaplon smundja dhe me radhë ia ndalë funksionet trupore duke nisë prej lëvizjeve e deri te zani i artikuluem, për me përfundu me ndalje të frymmarrjes e të rrahjeve të zemrës. Apo nji shkencëtar që i shërben nji agjende politiko-filozofike përderisa për gjysëm shekulli përballet me paralizë. Hollywood’i ka dijtë mirë qysh me e ndërtu personazhin e “Professor X” në serinë e fantashkencës “X – Men”.
Në 30 vjett e mbramë, Stephen Hawking ka qenë ikona e shkencës, apo ma saktë me thanë – e shkencëtarizmit zyrtar, të organizuem dhe të sponsoruem prej shtetit.
I lidhun për karrocën e tij me ngjizës elektronik të të folunit, pa mundë me e lëvizë as edhe gishtin e vogël, por i dhanë mbas fantazisë, i pajisun me aftësi që intuitën e tij me e përkthye në formula matematikore, Hawking u bo poster child i shkencëtarizmit materialist-natyralist, pra i paradigmit dominues në qarqet e shkencëtarëve modern. Gati se s’ka mbetë titull nderi në botën akademike pa iu dhuru, mangut veq ai “Nobel”; paçka se spekulimet e tij ma shumë filozofike se shkencore janë demantue nga kolegët njana mbas tjetrës. Pikënisht ato me të cilat u popullarizue. Ju kujtohet ajo thanja kur njani e gjuen gurin n’bunar e tjerët dërmohen tue u mundue me e nxjerrë?
Eh, ky ka qenë kontributi i vërtetë i Hawkingut. Ka gjuejt shumë gur, shumë larg, e me popullaritetin e tij i ka frustrue mjaftueshëm shkencëtarë që me u marrë me ta, me ia dëshmue se e ka gabim. Gabim për humbjen e informacionit n’vrima t’zeza; gabim për kthimin e kohës mbrapsht (kontraksionin e universit); gabim për Bosonin e Higgsit.. por – gjimnastikë e mirë mendore nja 40 vjet rresht.
Tue e ndrye fantazinë mbrenda botëkuptimit materialist, Stephen Hawking nuk solli ndojgja të re në shkencë. Preokupimi i tij për me e spjegue botën tu spekulu për gjithçka që ka të boj prej momentit të krijimit e këndej (Theory of Everything), por tu e injoru kushtin e tij (krijimit), e la të ngecun dhe shpesh edhe komik. Me “Historinë e Shkurtër të Kohës” e tha atë që e kemi ndëgju dhe e ndëgjojmë prej mijëra mësuesve të licencuem: para ekzistencës u konë Kurrçkafi, i cili nji ditë vendosi me plasë dhe prej asaj plasje të madhe (Big Bang) Kurrçkafi e krijoi gjithësinë.
Krijimi prej Kurrçkafit apo latinisht Creatio ex Nihilo mbeti absurdi i shkencëtarizmit materialist të cilin as Hawking nuk e transformoi me i dhanë kuptim.
Arbër Vokrri