4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nuk ka liberalizim vizash për Kosovën pa luftimin e korrupsionit

Më të lexuarat

Kosova mbetet të shënojë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit për ta bindur Bashkimin Evropian se ky kriter i përcaktuar për liberalizimin e vizave do të konsiderohet i përmbushur, thonë njohës dhe monitorues të çështjes anti-korrupsion.

Ndonëse luftimi i kësaj dukurie konsiderohet si kriter i vazhdueshëm, Bashkimi Evropian ka kërkuar që institucionet ta dëshmojnë me vepra konkrete se po e luftojnë atë.

Që nga muaji maj i vitit 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Që nga ajo kohë dy këto kritere mbeten në plotësim e sipër, para se Kosova të marrë miratimin përfundimtar të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

Rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit nuk janë të kënaqshme.

Drejtori i këtij organi, Shaip Havolli tha se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin e vizave, ende nuk mund të konsiderohet i përmbushur.

“Menjëherë pas aprovimit të Demarkacionit, kusht tjetër është luftimi i korrupsionit. Kështu që nuk mund të themi që të gjitha këto kushte i kemi plotësuar për të përftuar liberalizimin e vizave. Edhe bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shihet se në Kosova ka një progres të theksuar, por megjithatë ende kusht kryesor është luftimi i korrupsionit nga institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. Nuk kemi bërë edhe aq sa duhet në luftimin e korrupsionit”, tha Havolli.

Ai thotë se agjencia të cilën e drejton, ka hartuar një strategji kundër korrupsionit e cila i është dorëzuar Qeverisë dhe pret që shumë shpejt, ajo të aprovohet si strategji kombëtare.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, tha  se Kosova ka shënuar progres të lehtë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Një prej kushteve, përveç Marrëveshjes së demarkacioni të kufirit me Malin e Zi, kriter kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës mbetet edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk është vetëm kriter i Bashkimit Evropian, është detyrë dhe obligim i institucioneve për të përmbushur njërin nga kriteret më të rëndësishëm të sundimit të ligjit. Mendoj se ka pasur ecje pozitive këtyre viteve të fundit sa i përket këtij kriteri”, tha Deliu- Kodra.

Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, shton ajo e dëshmojnë edhe raportet ndërkombëtare.

Deliu-Kodra thotë se është vërejtur efikasitetet edhe tek korniza ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo thotë se është një numër i madh i ligjeve që kanë ardhur në Kuvendin Kosovës e që janë të lidhur drejtpërdrejt me agjendën e integrimit evropian.

“Mbetet edhe më tutje sfidë e institucioneve që duhet të këtë mekanizma të përhershëm për t’u marrë me këtë dukuri që është e theksuar në shumicën e shteteve jo vetëm të atyre që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe shteteve që janë bërë tanimë pjesë e familjes evropiane”, thotë Deliu- Kodra.

Sidoqoftë, sundimi i ligjit, rendi ligjor, ekonomia e tregut dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, mbeten kritere për secilin vend që aspiron integrimet evropiane duhet t’i plotësojë. /rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit