Dr. Shefqet Krasniqi
Gjatë luftës sonë çlirimtare më ka rastisur të qëndroj për një kohë në Tiranë. Gjersa përcillja mediet atje, në atë kohë fjala që më së shumti zinte vend nëpër veshët tanë ishte fjala “korrupsion”.
Aq shumë e dëgjoja atë fjalë saqë mu mbush mendja se në Shqipëri nuk paska asgjë tjetër përpos hajnisë dhe, natyrisht, nëpër kokë më sillej ideja se këta njerëz si duket i paska “prishur Enveri” e nuk po ditkan tjetër pos të marrin para pa djersë, ta mashtrojnë e ta vjedhin njëri tjetrin. Disi shumë u mërzita dhe thosha me vete: Shyqyr o Zot që ne në Kosovë nuk jemi të tillë. Por më kalimin e kohës më doli e kundërta, kuptova se edhe ne nuk jemi fare më të mirë se ata, dhe si duket populli ynë në përgjithësi e ka në gjak me marr paranë “pa djersë”, apo me ‘fituar’ lehtë, pa u lodhur fare.
Në këtë jetë pothuajse nuk ka asgjë më të vështirë sesa të identifikohesh si hajn nga të tjerët, ndaj sa keq që këtyre ditëve pikërisht neve na përshkruan si një ndër vendet me më shumë korrupsion në rajon, e ndoshta edhe në botë. Për mua do ishte shumë më e lehtë dhe më e kapshme të njihemi si vend i varfër, i pazhvilluar, pa arsim cilësor, sesa të njihemi si vend i korruptuar. Sepse varfëria është një proces që nganjëherë ndodh pa ndikimin e faktorit njeri, por me kohë kalon. Ndërsa korrupsionin e shkakton faktori njeri. E kjo i bie se qytetari po e vjedh shtetin e vet, vendin e vet. I bie se po e han djersen e huaj. I bie se më me rëndësi ka xhepi i qytetarit sesa pasurimi dhe zhvillimi i shtetit. I bie që interesi personal ka prioritet ndaj atij shoqëror.
Deri dje sa ishte pushteti serb, ne ua vënim fajin atyre për shkatërrimin dhe dëmtimin e shtetit, ndërsa sot, vet ne qytetarët shqiptarë po e vjedhim shtetin tonë, të cilin e kemi ndërtuar me mund të madh, po e dëmtojmë këtë liri e cila është fituar me gjak? Kjo nuk është lehtë për t’u kuptuar. Korrupsioni, apo siç njihet ndryshe në shoqëri ryshfeti, është një bela e madhe, një virus, i cili po e kaploi shoqërinë nuk largohet pa e shtri atë shoqëri për toke. Pastaj është ‘një sëmundje ngjitëse’, e cila me të shpejt përhapet gjithandej shoqërisë, sepse logjikisht ata që nuk mendojnë tjetër përpos parasë e llogarisin se: Kur ka mundësi të fitosh për një ditë sa për një muaj, qoftë edhe me ryshfet, atëherë pse të mos fitosh, pse të lodhesh e punosh një muaj? Por, kur ndërhynë mendja e shëndoshë dhe shpirti i pastër, atëherë nuk e lë këtë logjikë egoiste të vendos, por vendos mendja e shëndoshë, dhe njeriu i thotë vetes: Ndal, kjo është haram, është jolegjitime, kjo dëmton shtetin, shkatërron shoqërinë.
Të gjitha shtetet në të cilat është i përhapur ryshfeti, ato shtete, ose janë buzë greminës, ose në rrugë e sipër për në greminë. Sepse nuk ka bereqet në atë vend ku populli vjedh e korrupton njëri-tjetrin. Për këtë shkak Islami e konsideron këtë dukuri si një ndër dukuritë më të shëmtuara dhe me më shumë pasoja në shoqëri. Mjafton fakti se Muhamedi alejhi selam ka mallkuar atë që jep ryshfet, atë që merr ryshfet, bile edhe atë që ndërmjetëson, që të tre janë të mallkuar. Çka do të thotë se ata jo që nuk kanë me ia pa hairin, por se Zoti nuk ka me i lënë të qetë sa të jenë në dynja. Nuk kanë me u bërë rehat as fëmijët e tij, të cilët i ka ushqyer me para të ryshfetit, dhe natyrisht në botën tjetër e pret dënim i merituar. Po të dinte njeriu se sa haram dhe sa keq është të hajë ryshfet, respektivisht të korruptojë apo korruptohet, më parë do të pranonte të hajë zjarr sesa ryshfet.
Gjatë kësaj jave në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. Nga vet fakti se ekziston Dita Ndërkombëtare për këtë fenomen kuptohet se kjo dukuri është e përhapur gjithandej nëpër botë, por natyrisht diku më shumë e diku më pak. Në tryezat e organizuara për këtë rast u theksua se vendi ynë është i zhytur thellë në korrupsion dhe se niveli i korrupsionit tek ne është shumë i lartë dhe atë mjerisht thuajse në të gjitha institucionet, apo në shumicën absolute të tyre. U bënë thirrje të mëdha që të luftohet korrupsioni, u dhanë zotime, ashtu siç janë dhënë edhe më herët, se do luftohet kjo dukuri, se nuk do ketë tolerancë ndaj kësaj dukurie, por ende larg dukjes së një përparimi të qartë në këtë fushë. U cekë gjithashtu se Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë një punë mjaft të madhe në këtë drejtim, por nuk janë marrë masa kundër të dyshuarve.
Sido që të jetë, korrupsioni është dukuri që duhet të na preokupojë të gjithëve, në veçanti ata që mund të bëjnë diçka kundër saj siç është në këtë rast qeveria dhe gjyqësori. Mendoj se duhet të ofrohet një sensibilizim i përgjithshëm për vetëdijesimin e shoqërisë në këtë fushë, e sigurisht se feja luan një rol jashtëzakonisht të madh dhe të pamohueshëm në këtë fushë, duke sqaruar shenjtërinë e pasurisë/parasë dhe se ajo nuk guxon të keqpërdoret. Pastaj rëndësia e fitimit të parasë hallall, apo në mënyrë legjitime. E pa dyshim se njeriu i cili është fetar, i lidhur me qiellin, ai është larg ryshfetit, sikurse që është larg çdo dukurie negative apo të dëmshme për shoqëri. Allahu e drejtoftë këtë shoqëri, e na ruajtë vendin tonë nga njerëzit e ligj e dashakeq. Amin dhe deri në javën tjetër me një temë tjetër, selam alejkum./kohaislame