-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ekskluzive – Trajneri i ri i Përfaqësueses do të jetë njeriu më i paguar në Kosovë

Më të lexuarat

Përfaqësuesja e Kosovës ka pesë muaj që nuk ka një trajner për ta udhëhequr atë.

Tanimë ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, e ka udhëhequr Përfaqësuesen në dy ndeshjet e fundit, ndaj Ukrainës në Shkodër (0-2) dhe Islandës në udhëtim (2-0).

Që nga muaji tetor, Përfaqësuesja e Kosovës është pa trajner, ndërsa në ndeshjen miqësore të muajit nëntor ndaj Letonisë që e fitoi me rezultat 4-3, ishte udhëhequr nga Muharrem Sahiti.

Shumë emra ishin përmendur për ta marrë drejtimin e Kosovës, por FFK-ja duket se ka vendosur për zviceranin Bernard Challandes.

Challandes sa ishte pjesë e futbollit zviceran (Foto: Blick)

66-vjeçari pritet të zyrtarizohet në krye të Përfaqësues së Kosovës të premten, më 2 mars.

Ish-trajneri i Armenisë dhe disa skuadra zvicerane, si Young Boys Bern, Zurich, Sion dhe Xamax, ka tre vite që nuk e ushtron profesionin e tij.

Ai aktualisht është zbulues talentësh te Baseli, ndërsa me Kosovën ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera.

Burimet e Telegrafit ekskluzivisht bëjnë me dije edhe pagën e lartë që do të fitojë përzgjedhësi i ri i Kosovës.

Paga e tij fillestare (në gjashtë muajt e parë) thuhet se do të jetë 20 mijë euro, ndërsa pastaj pritet të shkojë deri në 30 mijë euro në muaj, pa përfshirë bonuset për ndeshjet.

Kësisoj, Challandes do të bëhet njeriu me pagën më të lartë në Kosovë, duke kaluar edhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, por edhe presidentin Hashim Thaçi.

E paraardhësi i tij, Albert Bunjaku, ka pasur një pagë solide për dallim nga homologët e tjerë te kombëtaret evropiane, duke marrë 7.000 euro në muaj, të cilat vazhdon t’i marrë deri në fund të kontratës së tij që skadon në muajin qershor të këtij viti.

Madje, Bunjaku nuk ka bërë vetëm punën e tij që i takonte me kontratë si trajner i Kosovës, por ka bërë vullnetarisht punën e ‘skautit’,  duke qenë më meritori për përfshirje në Përfaqësuese të futbollistëve, si Herolind Shala, Valon Berisha, Arbër Zeneli, Milot Rashica dhe shumë të tjerë.

Mbetet të shihet nëse Challandes do të ketë suksese me Përfaqësuesen e Kosovës dhe se a do ta arsyetojë pagën e tij të lartë që pritet ta marrë nga FFK-ja.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit