-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Salahudin Ejubi, hero që në vegjëli

Më të lexuarat

Halil Samad

Jusufi është rritur në Tekrit, në krahët e prindërve të tij, të cilën e edukuan me seriozitet dhe vendosmëri. Që në ditët e tij të para iu kultivua dashuria për dijen dhe kontributin. Babai i tij, Nexhmedin Ejubi, ishte një nga heronjtë e ushtrisë myslimane, e cila ruante kufijtë. Nurudin Shehid, e kishte emëruar si zëvendës të tij në Tekrit, ndërkohë që xhaxhain e tij Shirkuh, e kishte emëruar si komandant të ushtrive.

Ejubi dëshironte që i biri të ngjisë shkallët e dijeve fetare, prandaj i kushtoi vëmendje dhe e duroi në mejtepet dhe burimet e dijes së asaj kohe. Ai mësoi përmendësh Kuranin që në ditët e para të rrugëtimit të tij drejt dijes, ashtu siç mësoi një sasi të madhe thëniesh profetike. Pastaj, Jusufi iu përvesh kalërimit dhe mësimit të arteve ushtarake, bashkë me moshatarët e vet.

Kur Jusufi kishte mbushur njëmbëdhjetë vjeç, i ati e dërgoi në Alepo, në Siri, për të plotësuar arsimin. Tekriti ishte një qytet i vogël dhe nuk mund të krahasohej me Alepon, xhamitë, dijetarët dhe institucionet e tij. I ati e nisi në shoqërinë e një karvani tregtarësh dhe udhëtarësh. Bashkë me të, dërgoi dhe një shërbëtor të vetin që ta ketë nën kujdesin e tij gjatë rrugës por edhe në Alepo.

Rruga nuk ishte e sigurt, pasi bandat kryqtare shëtisnin anembanë, duke u futur tmerrin udhëtarëve. Ata plaçkitnin karvanët dhe në rastet më të mira, u merrnin taksa për ti lënë të kalojnë pa probleme.

Jusufi, ishte shumë i dhënë pas pëllumbave. Ai blinte speciet më të rralla të pëllumbave, i ushqente me grurë e ujë dhe magjepsej pas tyre teksa i shihte duke fluturuar nga një vend në një tjetër.

Ai nuk kishte harruar të marrë me vete disa nga pëllumbat e tij më të preferuar, ato postierë, edhe gjatë këtij rrugëtimi për në Alepo. Me këto pëllumba do të dëfrehej në kohët e lira dhe do i mundësonin korrespondencën me të atin dhe nënën sa herë ta merrte malli.

Pëllumbat i kishte rregulluar në një kafaz prej dërrase, u kishte vënë ushqim të bollshëm dhe i kishte vënë në një karrocë të karvanit.

Hapat e karvanit ishin të ngadaltë dhe këngëtari që shoqëronte karvanin, në një moment e ndërpret këngën e cila sikur u freskonte shpirtin udhëtarëve, me zërin e tij melodioz. Djaloshit të njomë i bëri përshtypje edhe pëshpërimat e burrave njëri me tjetrin. Heshtja që kishte pllakosur ishte disi e frikshme. Ai iu afrua shërbëtorit dhe e pyeti:”Çfarë ka ngjarë?!”

Ai u përkul dhe i pëshpëriti në vesh:”Jemi në rrezik. Këto kodra janë plot banditë kryqtarë. Në këtë zonë duhet të kalojmë me kujdes të madh.”

Jusufi iu bind porosisë së shërbëtorit dhe ndoqi karvanin me të njëjtin ritëm, duke u lutur dhe përgjëruar që të kalojnë pa probleme. Ishin momente delikate. Burrat u kishin vënë deveve dhe kuajve torbat e tagjisë në gojë që të mos lëshojnë zëra, e të dëgjohen nga kryqtarët. Sytë e të gjithëve ishin fokusuar tek kodrat përreth, duke hetuar çdo lëvizje sado të rastësishme. Kudo kishte pllakosur heshtja, saqë edhe frymëmarrja nuk ndihej.

Në një çast të papritur nga askush, pas një kodre u shfaqën befasisht një duzinë kalorësish kryqtarë me shpata në dorë. Teksa vraponin mbi kuaj, ata thërrisnin fort:”Ndal! Ndal se do u qëllojmë me shigjeta dhe heshta!”

I gjithë karvani qëndroi në vend, duke ia lënë vendin një torture të panjohur.

Kryqtarët e rrethuan karvanin nga të katër anët dhe filluan tu hakërrehen udhëtarëve se po të rezistojnë, do i vrasin të gjithë. Pastaj u kërkuan që të zbresin nga kafshët dhe të qëndrojnë në këmbë. Të gjithë zbritën bashkë me djaloshin Jusuf.

Shërbëtori i tij iu afrua pranë dhe i pëshpëriti me kujdes:”Ruhu se mos u tregon se kush je! Mos u trego kush është yt atë dhe xhaxhai yt! Në të kundërt, do të marrin peng dhe do të kërkojnë një dëmshpërblim të madh për të liruar. Kjo, nëse nuk të vrasin!”

Jusufi i njomë e dëgjoi këshillën e shërbëtorit dhe i premtoi se nuk do të tregojë asgjë nga ato që i tha. Mandej, e pyeti:”Më thuaj, në ç’vend jemi tani dhe sa lart Tekritit!”

Shërbëtori i tha:”Jemi tek kodrat e Safvanit, pesë firsehë (15 milje)”.

Jusufi iu përgjigj:”Mirë, mirë.”

Më pas, ai e la shërbëtorin i cili ua kishte ngjitur sytë kryqtarëve dhe u tërhoq në fund të karvanit. Shërbëtori mendoi se vajti tek karroca e grave dhe fëmijëve, gjë e cila e lehtësoi disi dhe e çeli në fytyrë. Por vetëm pas disa çastesh, Jusufi u kthye sërish në krye të karvanit. Kur e pa shërbëtori, i kërkoi të kthehej përsëri në fund të karvanit tek gratë dhe fëmijët e vegjël. Por Jusufi refuzoi dhe kërkoi të qëndrojë mes burrave. Ai i shihte me vëmendje banditët fytyrë kuq, flokë verdhë dhe të palarë. Ndjenjat e neverisë dhe mllefit e pushtuan gjithë trupin e tij të njomë. Ah sikur të kisha një shpatë dhe tu turresha drejt – mendoi një çast.

Kryetari i bandës qëndroi para karvanit dhe bërtiti me një arabishte të çalë:”Ju jeni në territoret kryqtare, prandaj duhet të paguani taksën që tu lejojmë të kaloni. Taksa që secili prej jush duhet të paguajë është dhjetë dinarë floriri për çdo burrë, pesë për çdo grua dhe dy për çdo fëmijë. Veç kësaj, duhet të hiqni dorë nga gjysma e barrës që keni me vete. Kushdo që reziston, do i konfiskohet e gjithë barra dhe do vritet. Shpejt, nxitoni! Më dëgjuat apo jo?”

Shërbëtori i hodhi një shikim Jusufit, në fytyrën e të cilit dalloi urrejtje dhe nervozizëm, sikur sytë e tij lëshonin flakë, gjë e cila e frikësoi. Iu afrua, e kapi për krahu dhe iu përgjërua që të mos reagojë. “Assesi nuk duhet ta mësojnë kush je dhe i kujt je! Kuptove?!” ia kujtoi sërish.

Dy nga kryqtarët zbritën nga kuajt dhe ngulën dy heshta në tokë. Mandej morën një heshtë të tretë dhe e lidhën sipër dy të tjerave, duke formuar një si formë dere, por pa e shtrënguar mirë. Pasi e përfunduan misionin e tyre, kryetari i bandës u çjerr:

“Secili prej jush duhet të kalojë nëpërmjet kësaj porte dhe ti paguajë taksën kalorësit që gjendet atje. Pasi të keni paguar taksën, do të prisni derisa të përfundojnë të tjerët.”

Kryqtarët e tjerë u ngërdheshën dhe filluan të tallen me të gjithë personat që kalonin tek dy heshtat. Dy kryqtarët që kishin ngulur heshtat, qëndronin përbri tyre, herë e ulnin heshtën e tretë dhe herë e ngrinin. Kështu, disa burra kalonin në këmbë, të tjerë të përulur dhe dikush që nuk u pëlqente, e ulnin shumë heshtën që të kalojë këmbadoras.

Jusufi i shihte burrat teksa kalonin të poshtëruar, gjë e cila ia humbi toruan dhe thirri me sa kishte në kokë:”Mjaft o kriminelë! Si nuk i respektoni më të moshuarit?! Si nuk keni aspak respekt për të sëmurët?! A nuk u vjen keq për fëmijët e vegjël?!”

Kryqtarët e dëgjuan dhe iu hakërryen duke i thënë:”Kur të vijë radha jote, do ta shohim sa trim dhe sa të vlen lëkura more kopuk.”

Pastaj, kryetari i banditëve i thirri:”Hajde ti more njomëzak, more trim i trimave, hajde të shohim çfarë burri je! Hajde këtu dhe nuk do të kalosh në këmbë, i përulur apo këmbadoras, por duke u zvarritur!”

Pastaj ai i urdhëroi dy kalorësit ta ulin heshtën poshtë dhe i thirri Jusufit:”Hajde shpejt, kalo! Më dëgjove apo jo?!”

Jusufi e pa vëngër dhe nuk lëvizi nga vendi.

Kryetari i bandës i thirri sërish:”More dritëshkurtër! Më dëgjova çfarë thashë? Hajde bindu përndryshe do ta zbus kurrizin që të marrin mësim dhe të tjerët!”

Jusufi i thirri:”Unë nuk i përulem kujt përveç Zotit.”

Shërbëtorit gati sa nuk i doli zemra vendit nga frika. Ai u afrua dhe e luti Jusufin ti bindej urdhrave të kryqtarëve, por djaloshi u tha sërish:”Nuk kaloj edhe sikur të më vrisni!”

Kryebanditi i hipi kalit disi i hutuar nga përgjigjet e këtij djali kokëfortë, pastaj i shkoi pranë dhe filloi të sillej me kalin rreth djaloshit kokëfortë duke i thënë:”Kush je ti more picirruk që thyen urdhrat e mi?! A se sheh se po na vonon?!”

Disa nga burrat e karvanit i thirrën:”Bindu more se na more në qafë! Bindu që të na lenë rehat!”

Kryebanditi i sillej rrotull me kalë me shpresë se do e frikësojë, por djalit as që i dridhej syri. Mandej u largua dhe iu turr drejt me kalin e tij si një bishë, por sërish djali nuk lëvizi nga vendi. Kryebanditi zbriti nga kali dhe me sy që dukej sikur i nxjerrin tym e flakë i tha:”Kush mendon se je more djalosh kokëfortë?! Tani ta këpus kokën si të zogut nëse nuk i bindesh urdhrit tim!” Mandej ngriti shpatën lart, por sërish djali nuk lëvizi. Ai e shihte vëngër kryebanditin si të mos i interesonte asgjë.

Kryebanditi e nguli shpatën e tij në tokë dhe thirri:”S’kam parë djalosh më kokëfortë se ti! Të ishe pak më i rritur do ta kisha marrë jetën. Veç jetës, do të heq dorë edhe nga shuma që ke për të paguar, por duhet të kalosh patjetër mes dy heshtave, jo një herë, por dy.”

Jusufi u përgjigj:”Jo, nuk kaloj.”

Kryebanditi:”Çfarë po thua se nuk e dëgjova mirë?!”

Jusufi iu përgjigj:”Nuk kaloj.”

Duke vënë buzën në gaz, kryebanditi i tha:”Mirë mos kalo, por do të paguash pesë dinarë floriri dhe jo dy si gjithë fëmijët e tjerë.”

Jusufi:”Nuk paguaj asnjë grosh.”

Atëherë, shërbëtori i Jusufit, u turr drejt kryebanditit me pesë dinarë floriri në dorë. Por Jusufi i thirri:”Kthehu mbrapsht dhe mos i jep asgjë!”

Disa nga burrat e karvanit filluan të pëshpëritin me njëri-tjetrin, të shqetësuar për vonesën dhe kokëfortësinë e djaloshit. Ata ishin të frikësuar dhe disa prej tyre i kërkuan Jusufit që ti jepte fund atij tmerri që dukej sikur nuk do të përfundojë.

Shërbëtori iu afrua Jusufit dhe e pyeti mbi sekretin e kokëfortësisë dhe ai iu përgjigj me zë të ulët:”Prit pak dhe do e shohësh vetë!”

Akoma pa përfunduar këto fjalë, ushtarët e Ejubit (babait) dhe Shirkuh (xhaxhait) i kishin rrethuar nga të katër anët. Njerëzit u çelën në fytyrë dhe filluan të falënderojnë Zotin për atë mrekulli.

Dhjetë banditët kryqtarë u lidhën me litarë dhe gjithçka që u kishin marrë udhëtarëve, iu kthye sërish. Vetë Ejubi thirri:”Shyqyr Zotit që mbërriti pëllumbi në kohë!”

Të gjithë shtangën dhe mbetën të habitur. Jusufi e kishte njoftuar të atin me njërin nga pëllumbat e tij.

Kjo ishte një nga ndodhitë e atij që më vonë u njoh me emrin Salahudin Ejubi.

www.altareekh.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit