Nga rrëfenjat, thuhet se perandori pers Anshurvan, në kohën e të cilit pati lindur profeti Muhamed a.s, pati deklaruar se kushdo që i thotë një fjalë të mirë, do e shpërblejë me 400 dinarë. Një ditë, perandori po lëvizte nëpër qytet i shoqëruar nga eskorta e vet madhështore. Në një moment, ai vëren një të moshuar, diku tek të nëntëdhjetat, duke mbjellë një pemë ulliri.
Ai qëndroi dhe e pyeti të moshuarin: ”Përse e mbjell këtë pemë, ndërkohë që ajo nuk do të japë fruta veçse pas njëzet e ca vitesh?! Sakaq, ti je nëntëdhjetë vjeçar dhe është e pamundur ti shijosh frutat e saj.”
Bujku i moshuar ia ktheu: ”Sot, ne korrim dhe vjelim ato që patën mbjellë të parët tanë. Kështu, më duhet të mbjell që të korrin dhe vjelin ata që do të vijnë pas nesh.”
Kjo fjalë i bëri përshtypje perandorit, i cili i tha: ”Të lumtë. Kjo është vërtet një fjalë e mirë.” dhe menjëherë urdhëroi që plakut ti jepeshin 400 dinarë floriri.
I moshuari i mori në dorë dhe buzëqeshi.
Perandori e pyeti: ”Përse buzëqesh?”
I moshuari: ”Pema e ullirit hyn në prodhim pas njëzet vitesh, kurse kjo pema ime që tani i dha frutat.”
Perandori ia ktheu: ”Të lumtë!” Mandej duke iu drejtuar vartësve u tha: ”I jepni dhe katërqind dinarë të tjerë!”
Me ti shtënë në dorë, bujku i moshuar buzëqeshi sërish.
Perandori e pyeti: ”Po tani, përse buzëqesh?”
Bujku ia ktheu: ”Ulliri jep vetëm një herë në vit prodhim, kurse kjo pema ime ka filluar të japë dy herë.”
Perandori shtoi: ”Të lumtë!” dhe urdhëroi ti jepeshin dhe katërqind dinarë të tjerë. Mandej, urdhëroi që eskorta të nisej menjëherë. Komandanti i ushtarëve që e shoqëronin e pyeti: ”Përse nxitoni lartmadhëri?”
Perandori ia ktheu: ”Po qëndrova më gjatë, do të më mbajronë thesaret e perandorisë, para se ti sosen fjalët këtij plaku.”
Thotë Zoti në Kuran:” Vallë, a nuk e sheh se si Zoti e krahason fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Zoti u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Ibrahim, 24-25).
Elmaz Fida