Policia e Kosovës është detyruar që të qëllojë me armë zjarri ndaj një veture civile, e cila nuk u është bindur urdhrave për t’u ndalur.
Siç njofton zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen Kodra e Trimave.
“Policia e Kosovës ka tentuar të ndalojë dy të dyshuar me veturën e tyre “Citroen”, me targa të falsifikuara. Mirëpo të dyshuarit nuk i janë bindur urdhrit të policisë dhe me veturën e tyre janë nisur në drejtim të “Kodrës së Trimave”, duke rrezikuar vazhdimisht kalimtarët dhe policët”, ka njoftuar Ahmeti.
“Policia me të marr informatën se vetura është në drejtim të “Kodrës së Trimave” e ka bllokuar rrugën, por vetura e dyshuar ishte futur më pas në trotuar, ka goditur një shtylle dhe rrethojat e stacionit policor duke vazhduar ne drejtim te zyrtareve policor”, përcjell Telegrafi.
“Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit (ngasësit) përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për qytetaret dhe jetën e tyre, domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme, duke shtënë në drejtim të gomave te automjetit”, njofton policia.
Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar dy personat e dyshuar që ndodheshin ne automjet, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, pasi të njëjtit kanë pësuar lëndime nga aksidenti.