Enesi, r.a., ka treguar se i Dërguari i Allahut alejhi selam , ka thënë: “Kripa është njëra nga mëlmesat e juaja më të mira.”
Pra, nga kjo kuptojmë se shumica e ushqimeve nuk janë të ekuilibruara nëse nuk përmbajnë kripë.
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Me siguri do të vijë dita kur ju (besimtarë) do të jeni në mesin e njerëzve si kripa në ushqim, kurse asgjë më mirë se kripa nuk e ekuilibron ushqimin.”
Abdullah bin Omeri, r.a., ka thënë: “Allahu i Gjithëfuqishëm ka lëshuar nga qiejt katër bekime: hekurin, zjarrin, ujin dhe kripën.”
Kripa është e domosdoshme për mirëmbajtjen e procesit jetësor. Kripa është substancë themelore ushqyese dhe përdoret si mëlmesë e gjellëve dhe si konservues. Kripa e përplotëson sasinë e jodit në ushqim, prandaj e pengon zhvillimin e gushës.
Kripa ndihmon zbrazjen, zbërthimin e ushqimit të fortë, transmetimin e substancave ushqyese, tharjen e lagështisë së dendur, forcimin e strukturës, ruajtjen e trupit dhe ndihmon në pengimin e prishjes dhe të helmimit të substancave të caktuara.
Kripa ndihmon në pengimin e formimit të dregëzave dhe të të thatëve dhe kontrollon ekcemin e lëkurës. Shpërlarja e gojës me tretësirë kripe pengon prishjen e dhëmbëve, forcon mishin e dhëmbëve, shëron plagëzat në gojë, zvogëlon pezmatimet në gojë, etj.
Ngrënia e tepërt e kripës mund të shkaktojë grumbullimin dhe mbetjen e lëngjeve dhe mund të ndihmojë hipertensionin që është çrregullim i qarkullimit.
Hulumtimet shkencore bashkëkohore tregojnë se ne marrim rreth 10-20 gr. kripë në ditë, ndërsa trupi i njeriut ka nevojë për 1-2 gram. Prandaj, është më se e nevojshme zvogëlimi i dozës së kripës në ushqim. Hulumtimet kanë konstatuar se popujt që konsumojnë sasi më të vogla të kripës rrallëherë sëmuren nga tensioni i lartë i gjakut.
Ka disa lloje të ushqimeve ku fshihet kripa, siç janë: patatet (pomfriti), ushqimi i konservuar, djathi, salca, peshku, mishi i thatë, turshitë, etj.
Një mungesë e vogël e kripës mund të shkaktojë lodhje, dobësi dhe mungesën e vëmendjes. Por, nëse konsumohet sasi e konsiderueshme e frutave dhe perimeve, trupi do të furnizohet me sasi të mjaftueshme të mineraleve, duke përfshirë këtu edhe natriumin dhe klorin, ndërsa është e ditur se kripa e kuzhinës nuk është gjë tjetër por natrium dhe klor.
Mungesa më e madhe e kripës mund të shkaktojë krizë sëmundjeje, komë ose edhe vdekjen.