3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

OECD: Njerëzit në vendet e pasura përdorin gjithmonë e më shumë medikamente antidepresive

Më të lexuarat

Gjithnjë e më shumë njerëz përdorin medikamente antidepresive, vetëm në dhjetë vitet e fundit numri i tyre është dyfishuar. Kjo në një kohë kur efekti i tyre është i diskutueshëm.

Humor i keq, dhimbje koke, probleme në stomak dhe në zorrë: lista e efekteve anësore pas ndërprerjes së antidepresivëve është e gjatë, i thotë DW Matthias Seibt nga Shoqata Federale e Njerëzve me Përvojë në Psikiatri. Medikamentë të reja, të ashtuquajturit bllokues të rimarrjes së serotoninës mund të bëjnë në mënyrë paradoksale, që megjithë përdorimin e medikamenteve, të rritet rreziku për të vrarë veten – një tezë për të cilën prej vitesh në shkencë ka diskutime të ashpra. Dhe megjithatë, medikamentet antidepresive mjekët i rekomandojnë si “bonbone”, beson ai. “Në radhë të parë janë psikiatrët që e nxisin këtë shpërdorim të drogës.” Shkaku, për mendimin e tij: etja për përfitim i sipërmarrjeve farmaceutike dhe korruptimi i mjekëve.

Seibt, i cili mbron me shoqatën e tij interesat e kundërshtarëve të medikamenteve antidepresive, mund ta ndiejë veten të konfirmuar të paktën po të mbajmë parasysh sasinë e recetave që jepen për këto antidepresivë. Sepse dozat e medikamenteve për banor, në bazë të një raporti të publikuar të enjten (21.11.2013) nga OECD, Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, janë rritur me ritme galopante. “Në dhjetë vitet e kaluara, konsumi në vendet e OECD-së thuajse është dyfishuar”, thotë në intervistë me DW Valerie Paris, e cila kujdeset për çështjet e farmacisë në këtë organizatë.

Në Gjermani madje konsumi është rritur me një faktor 2,15. Megjithatë, në vitin 2011, me 50 doza ditore për 1000 banorë ai ishte ende nën mesataren e OECD-së, e cila ishte 56 doza ditore. Në krye, sipas raportit janë vende si Islanda, Australia dhe Kanadaja: kështu në Islandë, në vitin 2011 ishte rreth 10 përqind e popullatës që përdori një përmirësues të gjendjes mendore. Në vitin 2000 ishin vetëm 7 përqind. Në bazë të vlerësimeve, ndërkohë janë 350 milionë vetë në të gjithë botën që vuajnë nga depresioni.

Përdorimi i medikamenteve është dyfishuar në Gjermani
Shtimi i shifrave të recetave ka shumë shkaqe:”Kjo ndër të tjera ka të bëjë edhe me faktin, se personat që kanë nevojë për trajtim mjekësor tani dallohen më shpesh”, shpjegon Christa Roth-Sackenheim, kryetare e shoqatës profesionale “Psikiatrit gjermanë”. Kështu tani, një pacient i cili ankohet në mënyrë të përsëritur për dhimbje, e vizitojnë më me vëmendje. Por edhe pasiguria ekonomike, të cilën duhet ta përjetonin shumë njerëz vitet e kaluara në Evropën Jugore bëri që të shtohet numri i recetave. Në bazë të raportit të OECD-së, pikërisht në vende si Spanja dhe Portugalia, kuotat janë rritur me mbi 20 përqind. Por edhe kuadri i përdorimit është zgjeruar. Nëse receta për antidepresivë në të kaluarën jepeshin vetëm në raste depresionesh, ndërkohë ato jepen edhe në raste dhimbjesh kronike ose në raste frike.

Efekt i diskutueshëm
Kjo në një kohë kur efekti i Prozac e Co. nuk është aspak i sigurtë: studimet konstatuan që para shumë vitesh, se medikamentet e reja antidepresive, në raste sëmundjesh të lehta deri mesatare, nuk kanë efekte më të mira se sa placebo-të (barnat pa substance kimike mjeksore, por vetem pluhur per “mashtrim”). Edhe revista New England Journal of Medicine tërheq vëmendjen: gati një e treta e studimeve për medikamentet e reja antidepresive nuk janë publikuar kurrë. Me këtë u synua të fshihen rreziqe eventuale ose efekt i dobët.
Krahas frikës për efekt të dobët, shumë njerëz kanë edhe frikë nga efektet e padëshiruara: “Për fat të keq ne nuk kemi ndonjë sistem të sigurtë parashikimi, si reagon dikush ndaj këtij medikamenti”, thotë psikiatrja Roth-Sackenheim. Por zakonisht, dhënia e medikamenteve bën që njeriu ta rigjejë personalitetin e tij fillestar, pra personalitetin e tij individual para se të sëmurej. Ai mund të bëhet sërish pjesë e jetës së përditshme. “Ai që ka kaluar vërtet njëherë një depresion të rëndë, ai bën gjithçka për të dalë prej tij.”/dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit