4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kandidati i PDK-së dyshohet për falsifikim të parave

Më të lexuarat

Besim Rexhepi, kandidati i PDK-së për asamblist në Kuvendin Komunal të Vitisë, është arrestuar në fillim të janarit nën dyshimin për falsifikim parash.

Rexhepi kishte qenë kandidat për asamblist nga PDK-së dhe ishte aktiv në fushatën e kësaj partie në Viti.

Madje ai ishte njëri nga personat që e kishte pritur Kadri Veselin në takimin qendror.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar dosjen e prokurorisë së Prishtinës ku përshkruhet ngjarja e datës 7 janar 2018. Në veturën, të cilën e drejtonte kandidati i PDK-së, janë zbuluar 5 mijë e 400 euro të falsifikuara.

Ndërsa, në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në makinë ishin edhe disa pasagjerë nga Shqipëria, njëri nga të cilët kishte tentuar t’i hedhë paratë. Gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në deklaratën e tij para gjykatës, zyrtari i PDK-së Rexhepi ka thënë se paratë nuk janë të tij.

Lajmin për caktimin e paraburgimit ndaj Rexhepit dhe të tjerëve e ka konfirmuar avokati i Rexhepit, Sabit Maliqi.

“Ju ka caktu 30 ditë paraburgim. Nuk mund të them me shumë detaje rreth rastit, sepse ende nuk i kam të gjitha shkresat e lëndës. Sa i përket deklaratës së është montim politik, është një llapsus i tij, sepse është e vërtetë që është anëtar i një partie, por ajo nuk lidhet me rastin e fundit”, tha Maliqi për Gazetën JnK.

Avokati ka konfirmuar në identifikim fotografik se klienti i tij është personi i cili në zgjedhjet e fundit kandidoi për asamble komunale.

Gazeta ka tentuar të marrë një koment nga zyrtarët e lartë të PDK-së për hapjen e këtij rasti ndaj kandidatit të tyre.

Besim Rexhepi (i dyti, rreshti i parë, djathtas) në manifestimin e PDK

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Viti, Bekim Azizi, nuk ka dashur ta komentojë arrestimin.

“Një Besim Rexhepi ka qenë në listën tonë për asamble komunale, mirëpo unë nuk paskam dëgjuar se është arrestuar dhe nuk dua të komentoj më shumë”, theksoi Azizi.

Zyrtari i PDK-së ka konfirmuar në identifikim fotografik se klienti i avokatit Sabit Maliqi është kandidati i PDK-së për zgjedhjet e tetorit 2017.

Zyrtarë të kabinetit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nuk janë përgjigjur pyetjeve të e KALLXO.com për rastin.

Besim Rexhepi, në zgjedhjet e 2017, ka qenë kandidat për asamble komunale në Viti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ishte renditur i 9-ti, duke i fituar 188 vota, të pamjaftueshme për t’u bërë asambleist.

Rexhepi edhe në të kaluarën kishte rënë ndesh me ligjin. Ai ishte dënuar me 6 muaj burgim për shkak se në shtator të 2003 kishte shkaktuar një aksident ku kishte humbur jetën një person. Mirëpo Rexhepi nuk kishte shkuar në burg për shkak se i ka ikur drejtësisë derisa lënda e tij ishte parashkruar.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në muajin prill të vitit 2014 kishte raportuar se gjatë kohës sa Besim Rexhepi po kërkohej nga policia, i njëjti kishte pasur aktivitetet politike në Viti qytet ky i cili kishte lëshuar urdhër arrestin për Rexhepin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit