-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Materialist ndër kohëra…

Më të lexuarat

Koha kalon, brezat ndërrohen, jeta ripërtërihet, por diçka mbetet gjithmonë ashtu, e vlefshme në çdo kohë, e dashur në çdo kohë, objekt lakmie dhe lufte për ta pasur më se s’bën. Dëgjojmë shpesh të thuhet se jetojmë në epokën e parasë, në epokën e kamjes dhe lakmisë për të pasur gjithçka, në epokën e egoizmit, për të qënë unë mbi të tjerët dhe për të pasur atë që askush nuk e ka. Po të kthehemi prapa në histori dhe të shpalosim kujtesën tonë lexuese, do të shohim se pothuajse të gjitha luftërat kanë pasurqëllime përfitimi, shohim se vëmendja e shteteve sulmuese gjithmonë është përqëndruar drejt vendeve me pozitë gjeografike të përshtatshme, drejt vendeve që shquheshin për pasuritë e shumta nëntokësore, apo që favorizoheshin nga diçka tjetër, e cila ndikonte drejtëpërsëdrejti në rritjen e standartit të jetesës.

Njerëzit sot janë të aftë të bëjnë çdo gjë vetëm në këmbim të saj. Janë të shumta rastet të publikuara në media të krimeve dhe vjedhjeve të formave të ndryshme. Pjesa më e madhe e fenomeneve negative që ndodhin sot e kanë rrënjën tek ajo. A mund të më thotë ndokush se përse lindi profesioni më i vjetër, më çnjerëzori dhe më i ndyri, prostitucioni? Përse lindi droga dhe lëndët e tjera të paligjshme, por tepër të kushtueshme? Përse njerëzit futen në rrugë pa krye duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë? Dhe përgjigjja është tashmë e qartë. Për hir të pasurisë dhe materiales njeriu është i gatshëm të rrëzojë dhe të shkatërrojë gjithçka që ka të bëjë me moralin e tij dhe me atë çka ne e quajmë shpirtërore. Allahu i Lartësuar e njeh më mirë se askush tjetër krijesën e tij, për të cilin edhe ka thënë: “Nuk e ngop barkun e birit të Ademit, veçse dheu”. Kjo është fjala e të Gjithëdijshmit, të cilën ne sot e hasim në realitetet tona të jetës së përditshme. Është e frikshme ta mendosh, por ja që ndodh që pjesa më e madhe e dashurive njerëzore sot e kanë bazën tek interesi i mirëfilltë material dhe përfitues. Madje, çështja është akoma më e ndërlikuar, saqë edhe marrëdhëniet prind – fëmijë, vëlla –motër, pa kaluar te të afërmit, pasi atje nuk ka pikë dyshimi që respektohen dhe duhen më shumë ata që “ta japin më së shumti dorën”. Vlerat njerëzore po shpërfillen dita-ditës dhe njerëzit po garojnë në vënien e pasurisë. Po lakmojnë të kapin majat edhe pse mund të posedojnë shumë. Dhënia e zekatit as që llogaritet, përveç një pakice mes muslimanëve të drejtë, të cilët e njohin dhe e respektojnë këtë shtyllë të fortë të fesë.

Në shumë shtete afrikane dhe aziatike popullsia përpëlitet mes vuajtjesh për bukën e gojës, ndërsa në shumë shtete të Përëndimit zhvillimi ekonomik është në lulëzimin e tij. Por, si do të ishte puna nëse të gjithë të pasurit do të jepnin  zekatin? Si do të qëndronte çështja nëse njerëzit do të jepnin sadaka? Çfarë do të ndryshonte nëse do të shtohej bamirësia mes njerëzve? Ebu Hurejra (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) ka thënë: “Dikush tha se do të jap bamirësi, kështu që ai doli me lëmoshën e tij dhe pa e ditur ia dha atë një hajduti. Njerëzit filluan të flasin se ai ia dha atë një hajduti. Kur dëgjoi këtë ai tha: “O Allah! Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Ty! Unë përsëri do të jap sadaka”. Kështu ai doli me lëmoshën e tij në dorë dhe pa e ditur ia la në dorë një gruaje lavire. Në mëngjes njerëzit filluan të përflisnin se ai një natë më parë i kishte dhënë lëmoshë një lavireje. Atëherë ai tha: “O Allah! Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për ty! Unë përsëri do të jap sadaka”. Kështu ai doli me lëmoshën e tij në dorë dhe pa e ditur ia la në dorë një të pasuri. Kështu, të nesërmen njerëzit filluan që ta përgojojnë se ai i kishte dhënë lëmoshë një të pasuri.  Ai tha: “ O Allah! Lavdëruar dhe falënderuar qofsh Ti! (I kam dhënë lëmoshë një hajduti, një lavireje dhe një pasaniku!) Pastaj vjen dikush dhe i thotë atij: “Sa për lëmoshën që i ke dhënë hajdutit, mbase mund ta bëjë atë të heqë dorë nga vjedhja; ndërsa ajo që i ke dhënë lavires, mbase mund ta bëjë atë të largohet nga prostitucioni dhe ajo që i ke dhënë pasanikut, mbase e bën atë të mendojë dhe të marrë një mësim nga ajo dhe të shpenzojë nga ajo pasuri që i ka dhënë Allahu  për çështjen e Allahut.”

Sot, dorëdhënia ekziston shumë pak. Çdo ditë po na mbytin vjedhjet dhe krimet ordinere për hir të parasë. Banda të mëdha droge dhe prostitucioni po shtohen dita-ditës. Të pasurit po blejnë botën dhe shpirtin e të tjerëve, edhe në ato raste kur ato dhurojnë nga pasuria e tyre, japin nga ajo më e papërfillshmja. Ndërkohë që feja jonë e drejtë na mëson që të japim nga më e mira e pasurisë sonë.

Ebu Hurejra (r.a.) tregon: “Një burrë shkoi te Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Cila bamirësi e ka shpërblimin më të madh? Ai (a.s.) iu përgjigj: Është ajo të cilën ti e jep kur je i shëndoshë, dorështrënguar, i frikësuar nga varfëria dhe i dëshiruar për pasuri. Mos e vono atë (dhënien e sadakasë) deri kur të të afrohet vdekja dhe pastaj të thuash: Jepini filanit kaq, e filanit aq. Në të vërtetë atyre u ka takuar kaq e aq (si trashëgimtarë të pasurisë tënde).” E vërteta sot na thotë se të pasurit janë ato që e shtrëngojnë më së tepërmi dorën, ndërsa tek të varfërit ka mbetur akoma ndjenja e mëshirës për tjetrin, mbase ngaqë ai e ka të provuar gjendjen mjerane të varfërisë. Por, gjithsesi frika, se nëse jap nga pasuria ime do të varfërohem është e rrënjosur thellë.

Esma bint Ebi Bekr (r.a.) tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Mos i mbani paratë duke i numëruar e duke i ruajtur mënjanë (duke pasur frikë se do të ikin duke i shpenzuar për çëshjen e Allahut, që Allahu të mos i përmbajë mirësitë e Tij prej jush.”

Po realiteti sot çfarë na tregon? Biznesmenë, tregtarë apo qytetarë të ndonjë profesioni tjetër, të cilët posedojnë pasuri e depozitojnë atë në banka me interese dhe kamata, duke u futur kështu në një problem akoma më të madh. Në më të shumtën e rasteve arsyeja nuk është ruajtja më e sigurt e pasurisë, por përfitimi i interesit për shtimin e pasurisë. Ambicja e tyre për të pasur nuk i lë të mendojnë për të dhurur nga ajo që kanë, nuk i lë të mendojnë të shpenzojnë në rrugën e Zotit. Në disa emisione televizive që kanë për synim të nxisin opinionin publik në përkrahjen e shtresave në nevojë, shumë biznese dhe kompani ofrojnë donacione për efekt reklamimi të aktivitetit të tyre, ose për të fituar famë dhe njohje në tregun ku ata konkurojnë, por jo vetëm.

Ambicja për të qenë ose për t’u bërë me se s’bën i pasur i ka shtyrë edhe televizionet të hartojnë programe televizive të atyre formateve që e kërkon publiku. Në mediat shqiptare, në dy ndër kanalet më të ndjekur shfaqen show-t: “Kush do të bëhet milioner?”, “100 milion”, apo “Kutia e fundit”, të cilat nga vetë objektivat dhe qëllimet e tërheqin audiencën fort pas vetes, pasi kënaqin interesat e tyre.

Autori i njohur botëror Uilliam Shekspir thotë: “Kush më vjedh kuletën më vjedh diçka me rëndësi. Paratë ishin të miat, u bënë të tijat, kanë qenë skllave edhe të shumë të tjerëve; por kush më merr nderin, më vjedh diçka që atë vetë nuk e pasuron, por mua më le me të vërtetë të varfër…”. Janë fjalë drithëruese përballë aktualitetit. Bota sot, e ngjyrosur bardhë e zi, e ka humbur qëllimin e saj. Mendësitë dhe mentalitet ku vlerat njerëzore si nderi, besa, mikëpritja dhe bujaria respektoheshin, tani më quhen të vjetëruara dhe të dalë mode. Shekspir thotë që është i varfër nëse i vjedhin nderin, por njeriu i sotëm tregohet “bujar” në faljen e nderit të tij, në nëpërkëmbjen e nderit të tij, në përdhosjen dhe shkeljen e nderit të tij, i kënaqur që në këtë mënyrë ka arritur të pasurohet. Shekspir i quan paratë “skllave të të tjerëve”, por sot kanë ndërruar relatat dhe raportet me këtë “vlerë të superçmuar”, njeriu është skllavi i saj dhe ajo është zotëria që komandon. Sot nuk është e rëndësishme që ke vëllëzër, motra, prindër apo të afërm, nëse ato nuk janë të pasur dhe nuk kanë pozitë, nuk kanë asnjë rëndësi. Afërsia shpirtërore matet më peshën e madhe të florinjve dhe të kamjes. Të jesh i drejtë dhe besnik, të quajnë budalla dhe naiv, i prapambetur dhe i panjohur nga bota. Shkathtësia, dinakëria dhe marifetet e pabëra të korrupsionit për të përfituar, të bëjnë të jesh i zoti, i aftë dhe të bëjnë ta meritosh punën që bën dhe të qëndrosh në krye të detyrës. Nuk ka rëndësi se çfarë fakulteti ke mbaruar, ku edhe si, nëse ti u përgjigjesh nevojave të tregut dhe pushtetit, “je në rrugë të mbarë”.

Lakorder, një autor i njohur për aforizmat e tij të urta, shprehet: “Çdo gjë e madhe dhe me vlerë është bërë në emër të detyrës, çdo gjë e vogël dhe e zymtë është bërë në emër të interesit”. Sa zymtësi është kjo botë, ku çdo gjë bëhet në emër të interesit!… Sa e vogël dhe sa e ulët po bëhet ajo!… E trishtë dhe e dhimbshme po bëhet jeta! E ngurtë dhe e fortë po bëhet zemra…I ngushtë dhe i lehtë po bëhet shpirti, ndërsa shikimi ynë nuk shkon më larg sesa vetja jonë…,por deri kur kështu???

Deri kur do ia lejojmë botës të na rrëshqasë nën këmbë? Deri kur do të tregohemi kaq tolerantë me ata që nëpërkëmbin vlerat njerëzore? Deri kur ambicja për para pushtet dhe famë do të triumfojë mbi gjithçka?

Duhet të fillojmë nga vetja jonë, të luftojmë me egot tona, me ambicjet tona të cilat orientohen keq, t’i shembim muret që ka ngritur interesi dhe të endemi nëpër tokë me një qëllim të qartë dhe të vetëm. Me qëllimin e ardhjes sonë në këtë botë.

Revista “Familja” Janar- Shkurt 2012

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit