3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Fryma e fundit e një gruaje

Më të lexuarat

Nga Orjola Sula

Femra është një krijesë e brishtë, plot ndjenja të ndrydhura e ëndrra në sirtar. Gjatë jetës së saj kalon me qindra suksese e zhgënjime që e bëjnë më të fortë për të vazhduar përpara. Mbështetja e prindërve i jep krahë për të arritur shumë gjëra në jetë. Sa janë në shtëpinë e prindërve, këto vajza edukohen, arsimohen, bëjnë trajnime nga më të ndryshmet dhe më pas punësohen. E kështu nisin rrugën e karrierës dhe arritjeve duke u ndjerë disi të plotësuara. Por vjen një moment dhe të gjithë ëndrrat që kishin për jetën shuhen. Jo sepse ato nuk janë të afta për të arritur larg, por sepse vjen dikush në jetën e tyre që ndryshon gjithçka. Dikush që nuk pajtohet dot me faktin se një femër ka të drejtat e saj që të jetë e barabartë me burrin, të punojë e të bëjë karrierë…

Ҫdo ditë e më shumë dëgjojmë raste të grave të dhunuara fizikisht por edhe më të shpeshta janë rastet e dhunës psikologjike.

Ofendime apo kërcënime që shumica e grave mund t᾽i kenë përjetuar të paktën një herë në jetën e tyre nga bashkëshortët apo partnerët. Por, kur ky presion shkon deri në ngritjen e dorës, situata përkeqësohet edhe më shumë. Në këto raste liria e një femre humbet dhe ajo fillon t᾽i nënshtrohet kësaj dhune sistematike pa bërë zë, sepse e di se zëri i saj do bjerë në vesh të shurdhët. E kështu nis kalvari i gjatë i vuajtjeve e mundimeve. Fillimisht ajo e fsheh dhunën e ushtruar pasi ka frikë nga kërcënimet e bashkëshortit, por më pas ndjen keqardhje për prindërit duke mos dashur t᾽i lëndojë. Ajo e di se kudo që të ankohet, situata nuk do të ndryshojë. Këtë e di me siguri sepse ka dëgjuar me qindra raste para saj ku femrat e dhunuara s᾽kanë gjetur mbështetje. Madje edhe për rastet e denoncimeve, dhunuesit kanë marrë dënim minimal e më pas dhuna është përshkallëzuar duke u bërë më e ashpër si shenjë hakmarrjeje ndaj viktimës që ka bërë denoncimin. Kështu, me dashje apo pa dashje, ajo i shtohet numrit të këtyre grave të dhunuara duke i dhënë fund ëndrrave të saj për një jetë të lumtur dhe krijimit të një familjeje të shëndoshë ku të mbizotërojë dashuria dhe respekti reciprok.

Mirëpo vjen një moment kur kjo femër bëhet nënë, merr në duart e saj një foshnjë që për të është shpresa e fundit për të vazhduar jetën. Është e vetmja shpresë ku ajo kërkon të gjejë dritë në fund të një tuneli të errët. Në këtë moment femra fillon të bëhet e fortë. Mbledh të gjitha energjitë e saj dhe vendos t᾽i thotë jo dhunës, për hir të dashurisë për jetën. Për hir të kësaj foshnjeje që nuk ka asnjë faj e që kërkon të jetojë në paqe me botën, në krahët e ngrohta të nënës. Edhe pse dhuna bëhet edhe më e egër, nëna e kundërshton me gjithë forcën e shpirtit, derisa një ditë bëhet viktimë e kësaj dhune, duke lënë në mes të katër rrugëve fëmijën e saj. Ajo nuk e mban fjalën se do ta mbështesë në çdo hap të jetës dhe do të jetë udhërrëfyesja e saj. Por nëna vendos të dorëzohet përballë dhunës së shfrenuar. Ajo mundohet deri në grahmat e fundit ta ndalojë dorën e pashpirt të një njeriu që edhe pse ishte bashkëshorti i saj me vite të tëra, nuk e kuptoi kurrë.

Ajo jep shpirt jo duke mbrojtur veten dhe të drejtën e saj për të jetuar, por duke mbrojtur fëmijët nga vazhdimi i asaj dhune që ajo e ka duruar mbi kurriz prej vitesh.

Po ku janë prindërit e kësaj gruaje? Ku janë familjarët, të afërmit, miqtë? Si është e mundur që të gjithë janë indiferentë dhe jeta vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë? Si ka mundësi që rastet përsëriten ditë pas dite dhe askush nuk merr masa për të ndaluar këtë makutëri që po shkatërron familjet shqiptare?! Përse këta fëmijë duhet të mbeten jetimë pa krahët e ngrohtë të nënës?!

Gazetat u mbushën me komente e kritika pa fund por asnjë masë nuk merret për t᾽i thënë ndal këtij fenomeni që nuk na nderon aspak. Instancat e drejtësisë janë të pafuqishme për të marrë masa sepse problem çalon tek e gjithë shoqëria. Fillimisht duhet të sensibilizojmë burrat për rolin e pazëvendësueshëm të grave në shoqëri dhe familje. Ata duhet ta dinë se femra nuk është “pronë” e tyre dhe për pasojë ka lirinë dhe pavarësinë e saj. Ajo ka të drejtë të arsimohet dhe të punësohet falë aftësive të saj. Familja është bërthama e një shoqërie. Nëse fëmijët rriten në një familje ku babai respekton nënën, atëherë edhe fëmijët, kur të rriten, do të kenë të njëjtin vlerësim dhe respket për femrën. Përkundrazi, në një familje ku babai e trajton nënën me përçmim dhe fjalë fyese e aq më keq duke ushtruar dhunë fizike, ky është një shembull mjaft negativ për fëmijët të cilët rriten me probleme të thella psikologjike dhe bëhen njësoj të dhunshëm si babai i tyre.

Hallka e fundit është drejtësia ku asnjë rast denoncimi për dhunë nga ana e grave nuk duhet të kalojë pa u hetuar. Ndaj bashkëshortëve dhunues duhet të merret dënim maksimal, në mënyrë që ata të bëhen shembull i ndëshkimit të dhunës ndaj grave e vajzave. Rajonet e policisë, prokuroria dhe gjykatat duhet të bashkëpunojnë me qëllim që ky fenomen të mos marrë përmasa alarmante në shkallë vendi.

Ҫdo humbje e një gruaje si pasojë e dhunës në familje është një këmbanë alarmi për një shoqëri të tërë. Është një amanet që ajo lë për fëmijët të cilët mbetën jetimë, është një lumë lotësh për prindërit e vuajtur dhe është një njollë turpi për këtë shoqëri ku një “like në facebook apo një foto “Selfie” duket të jetë shumë më e rëndësishme sesa jeta e një gruaje, e një vajze apo e një nëne e cila deri në fund të frymës së saj thërret e dëshpëruar për ndihmë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit