2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Mbulesa e gruas në traditën judeo-krishtere

Më të lexuarat

Më së fundi le të hedhim pak dritë në atë çka konsiderohet në Perëndim si simboli më i madh i shtypjes dhe i skllavërimit të gruas, mbulesa e kokës. A është e vërtetë që nuk gjendet një gjë e tillë si mbulesa në traditën judeo-krishtere? Le të shohim regjistrimet e rregullta.

Sipas rabinit dr. Menahem M. Brajer (Profesor i Letërsisë Biblike në Universitetin e Jeshivas) në librin e tij: Gruaja hebreje në letërsinë rabinike, ka qenë një zakon i gruas hebreje që të dali jashtë në publik me kokën të mbuluar, e cila shumë herë madje, mbulonte të gjithë fytyrën duke lënë vetëm një sy hapur (Menahem M. Brajer,Gruaja hebreje në letërsinë rabinike: Një perspektivë psiko-sociale, Hoboken, N.J.: Ktav Publishing House 1986, fq. 239). Ai citon shumë rabinë të vjetër të famshëm që thonë:

“Nuk është e pëlqyeshmë që bijat e Izraelit të dalin në rrugë me kokë të zbuluar” dhe “Mallkuar qoftë burri që len flokët e gruas së tij të shikohen… një grua që zbulon flokun e saj për vetëzbukurim sjell varfëri”. Ligjet rabinike ndalojnë recitimin e bekimeve ose të lutjeve në prani të grave të martuara kokëzbuluar sepse floku i pambuluar i gruas konsiderohet “lakuriqësi” (Menahem M. Brajer,Gruaja hebreje në letërsinë rabinike: Një perspektivë psiko-sociale, Hoboken, N.J.: Ktav Publishing House 1986, fq. 316-317. shih gjithashtu Suidler, vep. cit., fq. 121-123). Dr. Brajer po ashtu përmend që “Gjatë periudhës Tanaitike, dështimi i mbulimit të kokës së gruas judaike konsiderohej si një përbuzje ndaj modestisë së saj. Kur koka e saj ishte e zbuluar ajo mund të gjobitej me katërqind zuzim për këtë fyerje të saj”. Dr. Brajer po ashtu shpjegon që mbulesa e gruas judeje jo gjithmonë konsiderohej një shenjë modestie. Disa herë mbulesa simbolizonte një gjendje dallueshmërie dhe luksi më tepër se sa modestie. Mbulesa personifikonte dinjitetin dhe epërsinë e gruas fisnike. Ajo gjithashtu përfaqësonte paarritshmërinë e gruas si një pronë e shenjtë e burrit të saj (Menahem M. Brajer,Gruaja hebreje në letërsinë rabinike: Një perspektivë psiko-sociale, Hoboken, N.J.: Ktav Publishing House 1986, fq. 139).

Mbulesa nënkuptonte vetërespektin dhe gjendjen shoqërore të gruas. Gratë e klasave të ulëta shpesh vishnin mbulesën për të dhënë përshtypjen e një qëndrimi të lartë. Fakti që mbulesa ishte shenjë fisnikërie, ishte arsyeja përse prostitutat nuk u lejonin të mbulonin flokun në shoqërinë e vjetër judaike. Megjithatë prostitutat vishnin shpesh një shall koke me qëllim që të dukeshin të respektueshme (Suzan W. Shnajder, Judenjtë dhe femrat, New York: Simon & Schuster 1984, fq. 237). Gruaja judeje në Evropë vazhdoi ta mbajë mbulesën deri në shek. 19-të kur jeta e tyre u bë më e ngatërruar prej rrethimit të kulturës shekullare*. Presioni i jashtëm i kulturës evropiane në shekullin e 19-të i detyroi shumë prej tyre të dilnin kokëzbuluar. Disa gra judeje e kanë gjetur më të leverdisshme ta zëvendësojnë mbulesën tradicionale me paruke si një formë tjetër e mbulesës së flokut. Sot shumë gra judeje të devotshme nuk i mbulojnë flokët e tyre përveç se në sinagogë (Suzan W. Shnajder, Judenjtë dhe femrat, New York: Simon & Schuster 1984, fq. 237). Disa prej tyre që i përkasin sektit Hasidik vazhdojnë të përdorin paruken (Aleksandra Rajt, Judaizmi, në Holm dhe Bouker bot., vep. cit., fq. 128-129). Çfarë mund të themi për traditën e krishterë? Është shumë e mirënjohur që murgeshat katolike i kanë mbuluar kokat e tyre për qindra vjet por kjo nuk është e gjitha. Shën Pali në Dhjatën e Re ka bërë disa shpallje shumë interesante përreth mbulesës:

“Por dua që ta dini: kryetari i çdo njeriu është Krishti, kryetari i gruas është burri e kryetari i Krishtit është Hyji. Çdo burrë që lutet apo profetizon me krye të mbuluar, turpëron kryetarin e vet. Çdo grua që lutet apo profetizon me krye të zbuluar, turpëron kryetarin e vet: sepse është njënjë sikurse t’i kishte qethur flokët. E po ndodhi që ndonjë grua nuk do ta mbulojë kryet, le të qethet: por, në qoftë se është turp për gruan ta qethë e ta rruajë kryet, atëhere le të mbulohet. Përkundrazi, burri nuk ka nevojë ta mbulojë kryet sepse është shëmbëlltyra e lavdisë së Hyjit; ndërsa gruaja është nderi i burrit. Sepse nuk është burri prej gruas por gruaja prej burrit. Dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas, por gruaja për arsye të burrit. Prandaj, gruaja duhet ta mbartë mbi krye shenjën e “varshmërisë”, për shkak të engjëjve” (1 Korintianëve 11: 3-10).

Arsyetimi i Shën Palit për mbulesën e gruas është që mbulesa përfaqëson shenjën e autoritetit të burrit që është imazhi dhe lavdia e Zotit, mbi gruan, e cila është krijuar nga dhe për burrin. Shën Tertuliani në traktatin e tij të famshëm “Mbi mbulesën e virgjëreshave” ka shkruar: “Grua e re, ti e vesh mbulesën tënde jashtë në rrugë, kështu që ti duhet ta veshësh atë në kishë, ti vishe atë kur të jesh midis të huajve, pastaj vishe atë midis vëllezërve tuaj…”. Ndërmjet kanoneve ligjore të Kishës Katolike sot, gjendet një ligj që kërkon nga gratë të mbulojnë kokën e tyre në Kishë (Klara M. Hening, “Ligjet kanonike dhe beteja e sekseve” në Rozmari R. Ruter bot. Feja dhe Seksizmi: Imazhi i gruas në Traditat judeje dhe krishtere, New York: Simon and Schuster 1974, fq. 272). Disa sekte të krishtera, të tilla si Amishët dhe Menonitët psh, i mbajnë të mbuluara gratë e tyre edhe në ditët e sotme. Arsyeja e mbulesës siç na ofrohet nga udhëheqësit e kishës është kjo: “Mbulesa e kokës është një simbol i nënshtrimit të gruas ndaj burrit dhe Zotit”, e cila është e njëjta logjikë e vënë në zbatim nga Shën Pali në Dhjatën e Re (Donald B. Kreibill, Misteri i kulturës amishite, Baltimorë: Johns Hopkins University Press 1989, fq. 56).

Nga të gjithë të dhënat e mësipërme, është e natyrshme që Islami nuk e shpiku mbulesën. Megjithatë, Islami e përkrahu atë. Kurani i nxit burrat dhe gratë besimtare të ulin shikimet e tyre dhe të shohin me modesti dhe pastaj i nxit gratë besimtare ta zgjerojnë mbulesën e kokës duke mbuluar qafën dhe kraharorin:

Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta… Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt…”. (Nurë, 31-31) Kurani është shumë i qartë që mbulesa është thelbësore për modestinë por përse modestia është e rëndësishme? Kurani vazhdon ta kthjellojë:

O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vejnë shamitë (mbulesat) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen”. (Ahzabë, 59)

Ky është i gjithë thelbi i çështjes, modestia është parashkruar të mbrojë gruan nga ngacmimet ose thjesht, modestia është mbrojtje.

Kështu që qëllimi i vetëm i mbulesës në Islam është mbrojtja. Mbulesa islame, ndryshe nga mbulesa në traditën e krishterë, nuk është një shenjë e autoritetit të burrit mbi gruan as nuk është shenjë e nënshtrimit të gruas ndaj burrit. Mbulesa islame në ndryshim nga tradita judaike nuk është një shenjë luksi dhe dallimi e disa grave të martuara fisnike. Mbulesa islame është një shenjë modestie me qëllimin e mbrojtjes të të gjitha grave. Filozofia Islame është se do të ishte gjithmonë më mirë të jesh i sigurtë se sa keq. Në fakt Kurani është kaq i shqetësuar me mbrojtjen e trupit të gruas dhe reputacionin e gruas saqë një burrë që guxon të bëjë një akuzë fallso gruas për dëlirësinë morale do të dënohej rreptësisht:

Edhe ata, të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos u pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm”. (Nurë, 4)

Krahasoni këtë qëndrim strikt kuranor me dënimin ekstremisht të pamjaftueshëm për përdhunim në Bibël:

“Nëse një njeri gjen një vajzë të virgjër të pafejuar, e kap dhe mëkaton me të, dhe çështja del përpara gjykatësve, ai që ka fjetur me të, le t’i japë t’et të vajzës pesëdhjetë sikla të argjendta e le ta marrë për grua sepse ai e ka dhunuar: nuk ka mundësi ta lëshojë për sa të jetë gjallë” (Ligji i Përtërirë 22: 28-30).

Çdokush me të drejtë mund të pyesi këtu, kush është me të vërtetë i dënuari? Burri që vetëm pagoi një gjobë për përdhunim apo vajza që u detyrua të martohet me burrin që e përdhunoi atë dhe të jetojë me atë deri sa të vdesi? Një tjetër pyetje që duhet të ngrejmë këtu është kjo: Kush është më mbrojtës për gruan, qëndrimi strikt kuranor apo qëndrimi i pamjaftueshëm biblik?

Shumë njerëz, veçanërisht në Perëndim, përpiqen ta përqeshin të gjithë argumentin e modestisë për mbrojtje. Argumenti i tyre është që mbrojtja më e mirë është përhapja e edukimit, sjelljes së civilizuar dhe vetëpërmbajtjes. Ne do të thonim: mirë por jo mjaftueshëm. Në qoftë se civilizimi është mbrojtje e mjaftueshme, atëhere përse ndodh që gruaja në Amerikën e Veriut nuk guxon të eci vetëm në një rrugë të errët apo edhe të kalojë një parking? Nëse edukimi është zgjidhja, atëhere përse ndodh që një universitet i respektuar si Kuins ka një shërbim dhome kryesisht për femrat studente në kampus? Nëse vetëpërmbajtja është përgjigjia, atëhere përse rastet e bezdisë seksuale në vendin e punës raportohen në lajmet e mediave për ditë? Sa për shembull nga ata që akuzohen për bezdi seksuale, në këto pak vitet e fundit, përfshijnë: oficerë marine, manaxherë, profesorë universiteti, senatorë, Gjykatën e Lartë dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara! Nuk mund t’i besoja syve kur lexova statistikat që vijojnë, të shkruara në një pamflet të nxjerrë nga Dekani i Zyrës së Gruas në Kuins Universiti:

 “Në Kanada, një grua sulmohet seksualisht çdo 6 minuta, 1 në 3 gra në Kanada do të sulmohet seksualisht një herë në jetën e vet, 1 në 4 gra ekziston rreziku i përdhunimit ose përpjekjes për përdhunim në jetën e saj, 1 në 8 gra do të sulmohen seksualisht ndërsa ndjekin kolegjin ose universitetin, dhe një studim nxorri 60% të kanadezëve meshkuj të moshës universitare që thonin se ata do të kishin sulmuar seksualisht nëse do të ishin të sigurtë që nuk do të kapeshin”.

Diçka me të vërtetë është e gabuar në shoqërinë në të cilën ne jetojmë. Një ndryshim radikal në kulturën dhe stilin e jetesës së shoqërisë është absolutisht e nevojshme. Një kulturë e modestisë është shumë e nevojshme, modesti në veshje, në të folur dhe në mënyrat e që të dyve, mashkullit dhe femrës. Përndryshe statistikat e pamëshirshme do të rriten madje përkeqësohen ditë për ditë dhe fatkeqësisht vetëm gruaja do të jetë ajo që do të paguajë çmimin. Aktualisht të gjithë ne po e vuajmë por siç e ka thënë H. Gibran: “…për personin që e merr goditjen nuk është si ai që i numëron ato” (Halil Gibran, Mendime dhe meditime, New York: Bantam Books 1960, fq. 28). Prandaj një shoqëri si Franca, e cila përjashton të rejat nga shkolla për shkak të veshjeve të tyre modeste është, fundja-fundit, thjesht duke dëmtuar vetveten. Është një nga ironitë më të mëdha të botës sonë sot që po e njëjta shami koke e nderuar si një shenjë “shenjtërie” kur vishet me qëllimin e të treguarit të autoritetit të burrit nga Murgeshat Katolike, përbuzet dhe shihet si një shenjë e “shtypjes” kur vishet me qëllimin e mbrojtjes nga gratë muslimane.



* Shekullar – Laik, që nuk ka të bëjë me fenë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit