Akademia Amerikane e Pediatrisë ka publikuar deklaratë së fundi që bën thirrje që prindërit të mos jenë naivë kur bëhet fjalë për mënyrën dhe shtrirjen që fëmijët e tyre e kanë në media ditëve të sotme.
“Ky është shekulli XXI dhe ata kanë nevojë të merren me të,” tha për Associated Press, autori udhëheqës i politikës së re dhe specialisti i mjekësisë së adoleshentëve në Universitetin e Nju Meksikos, Dr. Victor Strasburger. “Unë ju garantoj që nëse keni një fëmijë 14 vjeç dhe ai ka një lidhje me internetin në dhomën e tij të gjumit, ai mund të jetë duke shikuar pornografi.”
Por nëse grupi mendon që prindërit duhet të merren me këtë çështje, fëmijët mund ta thonë të njëjtën gjë për politikën e re.
Më saktësisht, grupi thotë që prindërit duhet të kufizojnë argëtimin e fëmijëve me media në një deri në dy orë në ditë, të vëzhgojnë fëmijët e tyre se çka janë duke përdorur dhe ku po qasen, të shikojnë video së bashku si një rrugë për të diskutuar vlerat familjare dhe për të vendosur një plan për përdorim shtëpiak familjar të të gjitha mediave si një mënyrë për të modeluar veprimtarinë e mirëfilltë mediatike.
“Mediat, nga televizori deri tek mediat e reja (duke përfshirë telefonët celularë, iPad-ët dhe mediat sociale), janë një forcë kryesuese në jetët e fëmijëve të tyre,” shkruan grupi. “Ndonëse televizori është ende mediumi kryesues për adoleshentët dhe fëmijët, teknologjitë e reja janë duke u popullarizuar në shpejtësi.
Akademia Amerikane e Pediatrisë vazhdon të jetë e shqetësuar nga dëshmia për efektet e mundshme të dëmshme të porosive dhe imazheve mediatike; sidoqoftë, efektet pozitive dhe pro-shoqërore të përdorimit të mediave po ashtu duhet të njihen.”
Në Mbretërinë e Bashkuar për shembull, 1 në 10 fëmijë kanë një telefon celular në moshën 5 vjeçare. Në fakt, bëhet lajm ndalesa e përdorimit të telefonëve celularë për fëmijët.
Strasburger tha që barra nuk është vetëm tek prindërit. Mjekët Pediatër, shkollat, organizatat hulumtuese, industritë e argëtimit dhe reklamimit dhe qeveria luajnë një rol dhe grupi ka rekomandime për pediatret dhe shkollat, duke përfshirë vizitat e fëmijëve, të tregojnë se sa kohë fëmijët kalojnë me media dhe se çfarë pajisje të lidhura me internet janë në dhomën e gjumit.
Ai tregoi po ashtu për USA Today që qeveria federale nuk e ka projektuar një raport të qartë në rolin që mediat luajnë në jetën e fëmijëve që nga viti 1982, vit kur Komisioni Federal për Komunikim autorizoi së pari shërbimin celular në SHBA.
Deklarata e këtij rregulli thotë që mesatarisht fëmijët e moshave 8-10 vjeç kalojnë pothuajse tetë orë në ditë duke përdorur ndonjë lloj të mediave të reja, ndërsa fëmijët më të rritur dhe adoleshentët mesatarisht kalojnë 11 orë. Jo vetëm që shumica e fëmijëve janë online (84 për qind), por shumica e tyre kanë telefonë celularë (75 për qind e 12-17 vjeçarëve) dhe shumica kanë një kujtim të tanishëm nga e kaluara – një TV – në dhomat e tyre të gjumit (71 për qind).
Ky është përditësimi i parë i kësaj politike nga kjo akademi për pesë vite. Duke e parë përdorimin e madh të mediave, përdorim i cili ka lidhje me probleme shëndetësore si shëndoshja e tepërt, mungesa e gjumit dhe agresiviteti, grupi thotë që “vazhdon të jetë i shqetësuar nga dëshmia e efekteve të mundshme të dëmshme të porosive dhe imazheve medatike.” (PCWorld Albanian)/kohaislame