3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Enver Hoxhaj në Arabi, iu kërkon arabëve…

Më të lexuarat

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të Princit Turki Al Faisal, ku po zhvillon agjendë të ngjeshur takimesh si dhe ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën e Mbretit Faisal për Hulumtime dhe Studime Islame.

Gjatë takimit me Princin Turki Al Faisal, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen ndaj Arabisë Saudite për mbështetjen në njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa është shprehur i zhgënjyer me mos mbështetjen dhe mos solidarizimin e shumë shteteve të tjera arabe për Kosovën. Me Princin Turki Al Faisal, Hoxhaj ka diskutuar edhe për zhvillimet më të fundit në Evropë dhe Lindje të Mesme.

“Kur është shpallur pavarësia e Kosovës, kemi pritur që do të kemi një valë mbështetjeje dhe njohjeje nga shtete arabe dhe islame, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo mungesë solidariteti ka zhgënjyer qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës tej mase”, ka thënë Hoxhaj.

Duke e ripërsëritur këtë qëndrim edhe gjatë ligjëratës, Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet që ka ndërtuar Kosova me shtetet arabe në 10 vjetët e shtetësisë.

“U jemi shumë mirënjohës shteteve anëtare të Ligës Arabe dhe atyre të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, por në të njëjtën kohë, është absurde se si pas dhjetë vjetësh pavarësi, shumë shtete arabe ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo tregon se këto vende nuk kanë treguar solidaritet as me shtetin e Kosovës dhe as me popullin e Kosovës, madje flet për një mos-mbështetje të së drejtës sonë për vetëvendosje dhe dinjitet njerëzor”, ka thënë Hoxhaj gjatë ligjëratës në Qendrën e Mbretit Faisal për Hulumtime dhe Studime Islame.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se është koha e fundit që shtetet jo njohëse, anëtare të Ligës Arabe, ta njohin Kosovën. Po ashtu, me të njëjtën kërkesë, Hoxhaj iu drejtua edhe shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Hoxhaj u shpreh se për t’u bërë shtet anëtar i OKB-së, Kosovës i duhen sa më shumë njohje, duke theksuar se kjo do të ishte kompletim i sovranitetit të saj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit