-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Vota, përgjegjësia dhe shenjtëria e saj

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

Zgjedhjet po afrohen. Na ndajnë vetëm edhe dy ditë nga dita kur qytetarët do t’i drejtohen kutive. E kanë një mundësi, që të përcaktojnë liderët e tyre për katër vite. Është kjo forma për të cilën është përcaktuar populli për të zgjedhë përfaqësuesit. Ani pse kjo formë ka në vete shumë të meta, shumë dobësi, për të cilën kamë shumë rezerva, e ndër të metat më të mëdha është mundësia e lehtë e manipulimit me njerëz, mashtrimit të tyre, etj.

Por sido që të jetë kjo është një mundësi për t’iu dhënë rastin njerëzve besnikë dhe kompetentë të qeverisin, por edhe për të ndëshkuar dështakët dhe manipuluesit. E di se, si mundësi, është keqpërdorur. Shpesh votat janë vjedhur, ato mund të vidhen përsëri, e kjo po shkakton zhgënjim dhe pasivitet tek qytetarët.

Jo rrallë këto ditë na bie të dëgjojmë edhe talljet e shakatë së të vdekurit edhe kësaj radhe do të votojnë. Personalisht, kam një bindje se mashtrimi, megjithatë nuk mund të jetë aq i madh saqë ta sfidojë vullnetin e shumicës së popullit. Jo të gjitha votat mund të vidhen. Nëse qytetarët, pa përkatësi partie, pa fanatizëm grupor, pa mbështetje të verbër, do t’i qasen kutive për të votuar, atëherë votat do të ndryshojnë rrjedhën e politikës. Për këtë shkak, sot, para se të merrem me politikanët, dua të merrem me votuesit e tyre.

Qytetari gjithsesi duhet ta kuptojë së vota e tij është pjesë e fesë së tij, pjesë e identitetit të tij, pjesë e ardhmërisë së tij, e pasardhësve të tij. Prej saj mundë të varet shumë ardhmëria e tij, familjes së tij dhe mbarë shoqërisë. Kjo për faktin së me votë qytetari vendos të parin e tij i cili do ta udhëheq atë për katër vite, e prej të parit, respektivisht parisë, varet edhe zhvillimi i mëtejmë i politikës, ekonomisë, mirëqenies sociale, sigurisë, arsimit, edukimit dhe shumë aspekteve tjera.

Varet jeta e qytetarit shoqërisë dhe mbarë shtetit. E prezenca e të mirit në krye, është një shkak i fortë që shoqëria të ecë para në çdo lëmi dhe e kundërta prezenca e të keqit në krye, e hajnit, të prishurit, dyfytyrëshit, hipokritit e të pabesit, është një shkak i fortë për ngecje të zhvillimit dhe që tërë vendi të shkojë mbrapsht.

Gjithmonë është thënë se masa e gjerë shkon sipas parisë së tyre. Omer Bin Abdul Azizi (njëri ndër kalifet e famshëm në Islam, qëndroi në pushtet nga viti 99-101 h. 717-720 gr.) ka thënë: paria janë si tregtia, sa të investosh në ta, aq merr prej tyre. Që do të thotë se nëse punon për ta sjellë në krye një prijës të mirë, e pastaj i bëhesh krah atij duke qenë i sinqertë, besnik dhe këshillues, padyshim se ai kontribuon e investon për ty, por nëse punon me ardhur në krye i keqi, e pastaj e mashtron, tradhton, e korrupton etj, edhe ai do të sillet po kështu me ta.

Për atë arsye themi se vota është një amanet i madh sepse me të po ndikon drejtpërsëdrejti për të sjellë në pushtet atë që duhet dhe e kërkon vendi ose e kundërta, andaj votimi është përgjegjësi e dinit tënd, është pjesë e pandashme e fesë sate. Dhe për të ke me u pyetur ditën e gjykimit, se çka ke bërë karshi pushtetarëve, a ke kontribuar që të vijnë të mirët në pushtet e të largohen në këqijtë, apo e kundërta, apo ke heshtur fare, e që nganjëherë është më mirë.

Andaj të nderuar qytetarë nëse veç keni vendosur që të dilni në votime, atëherë keni kujdes se kujt po i jepni votën. Nuk mohohet fakti se shumë kandidatë nuk janë të denjë për qeverisje, menaxhim etj, madje ka prej tyre që shumë pak janë të pajisur me tipare të mirëfillta, nuk kanë dertin e shoqërisë e të shtetit, por atë individual dhe partiak, qëllimin e pasurimit në kurriz të popullit dhe të pushtetit. Shumë nga ta i kemi kundërshtarë të hapur të Islamit.

Ata gjatë fushatës së tyre dhanë premtime e premtime, ani pse të kota dhe boshe, apo siç thotë populli me maje të gjuhës, ju hodhën shumë hi syve të qytetarëve. Por për të drejtat e myslimanëve, për lejimin e shamisë dhe mësim besimit etj, asnjë nuk pamë duke premtuar e garantuar. E nuk e di këta njerëz ku janë duke bërë fushatë dhe cilit popull.

Si shpresojnë ti marrin votat e myslimanëve, ndërsa në anën tjetër e luftojnë Islamin, respektivisht myslimanët?! Allahu e drejtoftë këtë shoqëri dhe këtë pari, se po u prish paria së bashku me të prishet edhe i tërë populli, e po u rregullua ajo, rregullohet i tërë populli, siç ka thënë Imam Gazaliu (dijetar i famshëm Islam i shek. XII gr.): “Popullit prishet krahas prishjes së pushtetarëve”.

Allahu na i sjelltë të mirët në pushtet dhe na i largoftë të ligjtë. Amin … dhe deri javën tjetër selam alejkum.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit