4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Ja kush janë Havarixhët!

Më të lexuarat

Shfaqja e Havarixhëve dhe definicioni i tyre

Dijetarët i definuan Havarixhët me definicione të ndryshme, ndër ata është edhe definicioni të cilin e tha EbuHasen El-Esha’ri i cili thotë se emri Havarixh ka për qëllim grupin i cili ka dalë kundër udhëheqësit të katërt të muslimanëve Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), ku edhe e bën të qartë se emri i tyre rrjedh mu nga dalja e tyre kundër udhëheqësit, siç thotë, Allahu e mëshiroftë : “Shkaku i emërtimit të tyre si Havarixh është dalja e tyre kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) si shkak i gjykimit të tij.”[1]
Havarixhët janë ai grup i cili ka dalur kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) pasi që ai pranoi gjykimin në betejën e Siffinit. Ata kanë edhe emërtime të tjera përveç emërtimit Havarixh, e ndër ta janë: El-hururije, Esh-sherrah, El-marika, El-muhakime. Ato janë të kënaqur me tërë këta emërtime, përveç El-Marikah, sepse ata urrejnë të jen Marikiin (dalës) nga feja ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur.[2]
Ka nga dijetarët të cilët thonë se shfaqja e Havarixhëve është nga koha e Muhamedit [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] duke e llogaritur Havarixhin e parë, Dhul-Huvejsirah i cili e kundërshtoi Muhamedin [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] në ndarjen e arit që ia dërgoi Aliu nga Jemeni. Si qartësim për këtë është edhe hadithi i Muhamedit [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] që e transmeton Ebu Said El-Hudrij ku thuhet:
“Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) nga Jemeni i dërgoi Profetit [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] arë të papastruar në një strajcë të lëkurës, të cilën Profeti [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] ua ndau katër personave, U’jejne bin Hisn, Ekra’ bin Habis, Zejd el-Khajl dhe i katërti ishte ose Alkame bin Ulathe ose Amir bin Tufejl. Një njeri nga ata që ishin prezent tha: Ne kemi më shumë të drejtë se ata që të marrim nga kjo pasuri. Thotë transmetuesi: Këta fjalë arritën tek Muhamedi [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] dhe tha: “A nuk më llogaritni mua besnik, ndërsa unë jam besniku i Atij çka është në qiell, më vijnë lajmet e qiellit çdo mëngjes dhe mbrëmje?! Thotë transmetuesi: Dhe u ngrit një person sythellë, pjesën e poshtme të fytyrës e kishte të nxjerrur jashtë , ballin e kishte të gjërë, me mjekër të dendur, me flokë të ruajtura, me izar të ngritur dhe tha: O i Dërguari i Allahut, ke frikë Allahun! Ndërsa i Dërguari [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] i tha : “Mjerë për ty, a nuk jam më meritori prej jush ta kem frikë Allahun?!”
Transmetuesi thotë: Pastaj ky person u largua, ndërsa Halid bin Velidi tha: O i Dërguari i Allahut, a më lejon t’ia hekë kokën! I Dërguari tha: “Jo, ndoshta ai e falë namazin.” Halidi u përgjigj: Sa ka nga njerëzit që falin namaz, ndërsa me gjuhët e tyre flasin të kundërtën e asaj çka kanë në zemrat e tyre.
I Dërguari u përgjigj: “Unë nuk jam urdhëruar të dëpërtoj në zemrat e njerëzve dhe as tua hapi atyre barqet.” Thotë transmetuesi: Pastaj Muhamedi [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] e shikoi atë dhe tha: “Nga ky do të vijnë njerëz që do ta lexojnë Kuranin dhe nuk do t`ua tejkalon fytat e tyre, dalin nga Islami, ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur ” thotë transmetuesi: Dhe më duket se tha: “Nëse unë i arrijë ata (d.m.th me kohë) do t’i mbys sikurse mbytjen e Themudit.” (Buhariu, Muslimi).
Këtë hadith e shpjegon Ibn el-Xheuzi duke thënë: “Havarixhi i parë dhe më i keqi ishte Dhul-Huvejsira et-Temimi.
Ne një transmetim Muhamedi [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] ka thënë: “Mjerë për ty! E kush do të mbajë drejtësi nëse un nuk e mbajë atë.” (Buhariu)
Ky pra është Harixhiu i parë në Islam dhe e keqja e këtij personi është se ky pasoi mendimin e vet, ndërsa sikur të ndalej do ta kuptonte se nuk ka mendim mbi mendimin e Muhamedit [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të]. Pasuesit e këtij personi janë mu ata që e vranë Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të).” (Ibn Xheuzi –Telbis Iblis f.90)
Të tjerët që përkrahën mendimin se Harixhiu i parë ishte Dhul-Huvejsira është edhe Ebu Muhamed ibn Hazm[3] dhe Shihristani[4].
Ka nga dijetarët të cilët janë të mendimit se paraqitja e Havarixhëve ishte në kohën kur ata dolën kundër Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe ngjallën fitnen në të cilën me padrejtësi dhe armiqësi u vra Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të). Kjo fitne të cilën ato e ngjallën u quajt fitneja e parë.[5]
Ibn Kethiri këtë grup që bëri rrëmujë dhe e vranë Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të) e quajti Havarixh.[6]

 

Qortimi i Havarixhëve në hadithet profetike

Kanë ardhur hadithe të shumta profetike në të cilat qortohen Havarixhët, e ndër ata transmetimi nga Ebu Sa’id el-Khudri i cili thotë: Deri sa ishim tek i Dërguari [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] ndërsa ai bënte ndarjen e pasurisë, erdhi Dhul-Huvejsira i cili ishte një njeri nga Beni Temim dhe tha: O i Dërguari i Allahut, bëhu i drejtë!
I Dërguari tha: “Mjerë për ty, kush është ai që mban drejtësi nëse nuk mbajë unë?! Do të shkatërrohesh dhe do të asgjësohesh nëse unë nuk mbajë drejtësi.

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: O i Dërguari i Allahut, më lejo t’ja hekë kokën. I Dërguari tha:” Lëre, ai me të vërtetë ka shokë, namazi juaj ndaj namazit të tyre ju duket i nënçmuar, agjërimi juaj ndaj agjërimit të tyre ju duket i nënçmuar, e lexojnë Kuranin dhe nuk ua tejkalon fytat e tyre, dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur…”

Thotë Ebu Sa’id: Dëshmoj se e kam dëgjuar këtë hadith nga i Dërguari i Allahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] dhe dëshmoj se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) i ka luftuar dhe unë isha me të prezent. Urdhëroi të zihet i njëjti person, i cili u soll përpara nesh dhe shikoja formën e tij e cila ishte njësoj siç e kishte përshkruar Muhamedi [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] (Buhariu).
Nga Suvejid bin Gafelete se ka thënë: Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kur ju tregoj diçka nga i Dërguari i Allahu (më dëgjoni pra), pasiqë unë do të preferoja më mirë të bije nga qielli, sesa të shpifja për të dicka që nuk e ka thënë. Por, kur t’ju them diçka që është mes meje dhe jush, padyshim që lufta është dinakëri dhe strategji. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] duke thënë: “Në ditët e fundit të kësaj dynjaje do të dalin disa të rinj mendjelehtë, të cilët do të përdorin fjalën më të mirë nga gjithë njerëzit, do ta lexojnë Kuranin dhe nuk do t`ua tejkalon fytat e tyre, dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur. Prandaj, kudo që t’i gjeni ata, vritni, sepse ai që i vret ata, do të ketë shpërblim Ditën e Kiametit.” (Buhariu).

Transmetohet nga Jusejr bin Amr se ka thënë: E pyeta Sehl bin Hunejf: A e ke dëgjuar Pejgamberin [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] duke i përmendur Havarixhët? Ai tha: Po e kam dëgjuar dhe bëri shenjë me dorën e tij kah lindja: “Njerëz që do ta lexojnë Kuranin dhe nuk do t`ua tejkalon fytat e tyre, dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur” (Muslimi).

Nga Ibn Kethir El- Ensari se ka thënë: Isha me zotëriun tim, Ali ibn ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur i luftoi banorët e Nehrevanit, por sikur njerëzit gjetën ngushtim në vetët e tyre për këtë luftim, ndërsa Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: “O ju njerëz, i Dërguari i Allahut na ka treguar për grupe njerëzish, të cilët dalin nga feja ashtu siç del shigjeta prej kafshës së gjuajtur, dhe nuk kthehen asnjëherë në të ashtu siç nuk kthehet shigjeta në hark. Argument për këtë është se tek ata është një njeri i zi me dorë të paformuar plotësisht (e deformuar), dora e tij është sikur gjiri i gruas dhe me thimth sikur thimthi i gjirit të gruas, rreth tij (thimthit) janë shtatë qime të gjata, prandaj kërkojeni atë, se unë me të vërtetë e shoh atë në mesin e tyre.

Ata shkuan pas tij dhe e gjetën pranë lumit ndër të vrarët dhe e nxorën atë. Aliu bëri tekbir dhe tha: Allahu ekber të vërtetën e tha Allahu dhe i Dërguari i Tij. Njerëzit brohoritën tekbire kur e panë dhe u përgëzuan dhe u largua ngushtimi që e ndienin në vetët e tyre.” (Ahmedi : 635)
Ibn kethiri tregon për prishjen e besimit të tyre dhe thotë: Këto janë njerëz nga lloji më i çuditshëm i bijve të Ademit, i lartësuar qoftë Allahu, i cili i bërit krijesat e tij të ndryshme ashtu siç dëshiroi dhe këtë e ka paraprirë në caktimin e Tij madhështorë. (Ibn Kethir – El-Bidaje ve En-Nihaje: 7/316)

Dhe më e mira çka kanë thënë disa nga gjeneratat e para për Havarixhët është se ato janë përmendur në fjalën e Allahut: “Thuaj: A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?”. Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere. “ (Kehf :103-105).

 

Beteja e Nehrevanit : 38 hixhri

Shkaku i betejës:
Kushtet të cilat i ka marrë udhëheqësi i besimtarëve Ali bin ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) nga Havarixhët ishin që ata të mos derdhin gjak, të mos e shqetësojnë të sigurtin, të mos u dalin njerëzve në rrugë, e nëse ata e thyejnë njërin nga këta kushte, atëherë atyre u shpallet luftë. Duke e ditur se Havarixhët e bëjnë jomysliman atë që i kundërshton ata, e bëjnë të lejuar gjakun dhe pasurinë e tij, ata kanë filluar me derdhjen e gjakut, gjë e cila është e ndaluar në Islam, ku kemi edhe transmetime të shumta ku tregohet se ata kanë bërë shumë gjëra të ndaluara.

Nga një person, nga AbdulKajs thotë: “Isha me Havarixhët dhe vërejta tek ata një gjë që e urrejtja, prandaj edhe u largova nga ata që të mos përleshem me ata. Përderisa unë isha me një grup prej tyre, panë një person si të hutuar, mes tij dhe atyre ishte një lumë. Ata e tejkaluan lumin për tek ai dha i thanë : Sikur ne të frikësuam?!
Tha: Po, padyshim.
Thanë: Kush je ti?
Tha: Unë jam Abdullah bin Habbab bin Eret.

Thanë: A ka ndonjë hadith të na tregosh nga babai yt, e ai nga i Dërguari [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të].

Tha: E dëgjova duke thënë: se e ka dëgjuar të Dërguarin [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] duke thënë: Fitneja po afrohet , ai i cili qëndron ulur në kohën e saj është më mirë se ai që qëndron në këmbë, ai që qëndron në këmbë është më i mirë se ai që ecë drejt saj, nëse e arrin atë kohë, nëse ke mundësi bëju robi i Allahut i vrarë dhe mos u bën rob i Allahut vrasës. (Musanef Ibn Ebi Shejbe: 8/732).

Pastaj e morën atë dhe një grua që ishte me të, ndërsa disa nga ato kaluan pranë një druri të hurmës nga e cila kishin rënë hurma, e morri një kokërr dhe e vendosi në gojë.
Disa thanë: Kjo është hurma e një personi që i është dhënë besë, me çka e bëre atë të lejuar?!
Pastaj kaluan pranë një derri, ku disa e goditën me shpatat e tyre, ndërsa të tjerët thanë: Derri i një personi çka i është dhënë besë, me çka e bëtë atë të lejuar?!
Abullahu tha: A nuk dëshironi t’ju njoftoj me diçka e cila ka ndalesë më të madhe se kjo?
Thanë: Po.
Tha: Unë.

Pastaj e nxorën para tyre dhe e goditën me shpatë në qafë, ndërsa unë e pashë gjakun e tij duke rrjedhur në ujë, sikur të jetë rryp i nalleve i prishur në ujë, pastaj thirrën gruan e tij e cila ishte shtatzënë dhe ia çanë barkun e saj.
Kjo vepër ngjalli frikë tek njerëzit dhe u paraqit terrori i tyre kur e çanë barkun e kësaj gruaje shtatëzënë dhe e prenë Abdullahun ashtu siç pritet delja. Ata nuk u ndalën me kaq por vazhduan t’i kërcënojnë njerëzit me vrasje derisa disa nga ato i kundërshtuan në këtë vepër duke u thënë: Mjerë për ju , ne nuk u ndamë nga Aliu për këtë gjë.” (Musanaf Ibn Ebi Shejbe: 8/737).
Përkundër barbarizmit dhe ndalesave fatale të cilat i vepruan Havarixhët , emiri i myslimanve Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) nuk i luftoi ata, por dërgoi tek ata delegat, që ti dorëzojnë vrasësit që ti gjykojnë për veprën e bërë. Përgjigja e tyre ishte me kokëfortësi dhe mendjemadhësi duke thënë: “Si t’i dërgojmë kur të gjithë ne jemi vrasës?!

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: A të gjithë jeni vrasës?
Thanë: Po.” (Musanaf Ibn EbiShejbe 8/737).
Pastaj u drejtua atyre me ushtrinë e tij të cilën e kishte përgaditur për luftimin e banorëve të Shamit, në muajin Muharem të vitit 38h. Ushtria ishte e pozicionuar në bregun perëndimor të lumit Nehravan ndërsa Havarixhët në Bregun Lindor, paralelisht me qytetin e Nehrevanit.
Emiri i besimtarëve Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) e kishte kuptuar se këta njerëz janë Havarixhët të cilët Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] i ka përshkruar me dalje nga feja dhe mu për këtë ai i nxiti shokët e tij për luftë kundër tyre.
Aliu përgatiti ushtrinë përballë pozicionit të Havarixhëve, nga të cilët i ndante lumi Nehravan dhe i urdhëroi ushtrinë të mos fillojnë luftimin përderisa Havarixhët nuk e tejkalojnë lumin nga perëndimi. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) u dërgoi një delegacion që t’i thërrasin në emër të Allahut dhe të kthehen nga ajo që janë. Ndër ata që i dërgoi ishte edhe Bera’a bin A’zib i cili i thirri tre ditë rresht por ato refuzuan.
Delegacionet vazhdonin të ndërrohen, derisa u mbytën nga Havarixhët dhe ato tejkaluan lumin.
Kur Havarixhët arritën këtë shkallë dhe i humbën shpresat në tërë këto tentime pajtimi dhe ruajtje të gjakut dhe kundërshtuan me kokëfortësi dhe mendjemadhësi kthimin në të vërtetën por këmbëngulën për luftë, emiri i myslimanëve përgatiti dhe renditi ushtrinë për luftë.

Në të djathtën e tij la Haxher bin Adij, ndërsa në të majtën e tij Shebth bin Rebi’ij dhe Me’akil bin Kajs Er-Rijahi. Në krye të kalorësve e la Ebu Ejub el-Ensarin, ndërsa në krye të këmbësorëve Ebu Katade el-Ensari, ndërsa tek Medinasit të cilët ishin shtatëqind e la Kajs bin Sa’d bin U’bade.
Aliu urdhëroi Ebu Ejub el-Ensarin që ta ngre flamurin e sigurisë për Havarixhët dhe tu drejtohet atyre duke u thënë: “Kush vjen te ky flamurë është i sigurtë, kush largohet për në Kufe apo në Medain (qytet në Irak) ai është i sigurt. Ne nuk kemi nevojë të merremi me ju por vetëm me ata të cilët na i vranë vëllezërit tanë.”
U larguan nga Havarixhët grupe të mëdha, ata ishin katër mijë por nuk mbetën vetëm se një mijë apo edhe më pak, nën udhëheqjen e Abdullah bin Vehb Er-Rasibij.

Shpërthimi i Luftimeve
Havarixhët sulmuan drejt Aliut, ndërsa Aliu para tij rreshtoi kalorësinë, para tyre rreshtoi shigjetarët, pas kuajve i rreshtoi këmbësorët dhe u tha shokëve të tij: “Mos i sulmoni derisa nuk ju kanë sulmuar, ndërsa Havarixhët u afruan duke thënë: “Gjykimi i takon vetëm Allahut, ndërsa shkuarja, shkuarja është drejt Xhenetit.”
Kjo betejë vendimtare dhe e shkurtër e cila ndodhi në ditën e nëntë të muajit Sefer të vitit 38 hixhri, la një numër të madh të vrarëve në anën e Havarixhëve. Tregohet në transmetime se të gjithë janë vrarë, tregon Mesudij: “Një numër i vogël nga ata, i cili nuk e tejkaloi numrin dhjetë ikën pas humbjes së rëndë.”
Ndërsa nga ushtria e Aliut u vranë vetëm dy veta. (Muslimi)
Thuhet gjithashtu se nga ushtarët e Aliut janë vrarë dymbëdhjetë apo trembëdhjetë veta.
Disa të tjerë thonë se janë vrarë vetëm nëntë veta nga Myslimanët.

Sjellja e Aliut me Havarixhët
Emiri i Myslimanëve Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) si para lufte ashtu edhe pas lufte u sillte me Havarixhët dhe i trajtonte ata si myslimanë dhe mu për këtë ende pa mbaruar lufta ai urdhëroi ushtarët e tij të mos ndjekin asnjë Havarixh që ka ikur, të mos i torturojnë apo vrasin të plagosurit dhe të mos i masakrojnë të vrarët.
Shekik bin Seleme i njohur si Ebi Vail – një nga fukahat e Tabiinëve i cili prezantoi me Aliun në luftë thotë: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) nuk i ka ofenduar Havarixhët as në luftën e “Xhemel” dhe as në “Nahravan”.”
Mospajtimet dhe ndarja e Havarixhëve
Shembulli i Havarixhëve është si shembulli i gjithë grupacioneve Islame, bashkimi që e kishin në bazat e fesë nuk i mbrojti ata nga mospajtimet në çështjet tjera të fesë.
Historia e tyre dëshmon për një numër të madh përçarjesh të cilat ishin të udhëhequra nga personalitetet dhe Imamët e tyre. Havarixhët qëndruan larg përçarjes deri në kohën e imamit të tyre Nafi’ bin Ezrek (65h), ku grupacioni “El-Ezarikah” simbolizon ndajren e parë tek Havarixhët.

Pas kësaj u paraqitën ndarje, si në esencat e fesë ashtu edhe në degët tjera të saj dhe si grupe kryesore të Havarixhëve mbetën:
– El-Ezarikah – pasuesit e Nafi’ bin Ezrak.
– En-Nexhdat – pasuesit e Nexhdeh bin Amir elHanefi.
– El-Ibadije – pasuesit e Abdullah bin Ibad.
– Es-Sefarije – ka mospajtime mes dijetarëve nga e kanë marrë këtë emërtim, disa kanë thënë nga Zijad el-Asfar, disa të tjerë nga Numan bin Asfar, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se emërtimi i tyre rrjedh nga Abdullah bin Safar.

 

Dogmat (Ideologjia) e Havarixhëve
Me kalimin e kohës u formua edhe ideologjija e Havarixhëve, me të cilën ata kundërshtuan Kur’anin dhe Sunetin e të Dërguarit [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] dhe prej këtyre besimeve të devijuara më të spikatura janë:
1 – Bërja mosbesimtar atë që bën mëkate të mëdha:

Havarixhët e bëjnë mosbesimtarë vepruesin e mëkateve të mëdha dhe gjykojnë mbi të se do të jetë përgjithmonë në zjarr. Këtë mendim ata kanë tentuar ta argumentojnë me disa argumente, e ndër ta është fjala e Allahut:
“بَلَى مَنْ كَسَبَ سَيِّئَةً وَأَحَاطَتْ بِهِ خَطِيئَتُهُ فَأُولَئِكَ أَصْحَابُ النَّارِ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ ”
“Po, (do të ju kapë zjarri) ai që bën keq dhe që e vërshojnë gabimet e tij, ata janë banues të zjarrit, aty janë përgjithmonë.” (ElBekare: 81).
Me këtë ajet ata janë argumentuar se ai person i cili bën mëkate të mëdha do të jetë në zjarr.
Gjithashtu thanë se ai person i cili vdes në mëkat, nuk ka shpresë për të në mëshirën e Allahut.
Ato pretenduan se gabimi e rrethon njeriun dhe pas kësaj atij nuk i pranohet asnjë vepër e mirë, e as besimin, sepse mëkati e asgjëson atë.
Ndërsa çështja është krejtësisht ndryshe nga ajo çka ata pretenduan.
Vetë ajeti në fjalë kundërshton pretendimin e tyre, ajeti bën të qartë se atë të cilin e vërshojnë mëkatet ai do të jetë në zjarr përgjithmonë. Dhe nuk ekziston ndonjë mëkat i cili e vërshon njeriun dhe ia asgjëson veprat e mira të tij dhe si shkak i tij qëndron përgjithmonë në zjarr, përveç kufrit dhe shirkut.
Ajo çka edhe më shumë e bën të qartë këtë është se ky ajet ka zbritur për Jehudët, ndërsa ata i bënë Allahut shirk dhe devijuan nga rruga e Tij.

2- Ezarikat:
Të cilët ishin një grupacion ekstrem i Havarixhëve- kanë thënë: Kushdo që e kundërshton mendimin e tyre nga myslimanët është mosbesimtarë. Kushdo që nuk i përgjigjet thirrjes së tyre dhe nuk i bashkëngjitet grupit të tyre, gjaku i tij, i gruas dhe fëmijëve të tij është hallall.
Të njëjtët e bënë mosbesimtarë Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të), kurse vrasësin e tij, AbduRahman bin Mulxhim e llogaritën hero dhe dëshmorë.

3- Grupi Nexhdat:
Thonë se nuk ka nevojë që myslimanët të kenë udhëheqës, nëse njerëzit pa prezencën e tij kanë mundësi të bashkëjetojnë dhe të jenë të drejtë ndaj njëri tjetrit, e nëse e vërrejnë se njerëzit nuk mund të jenë të tillë, atëherë lejohet të zgjidhet një udhëheqës. Ata nuk e shohin të obligueshme me sheriat që myslimanët të kenë një udhëheqës, por e shohin thjeshtë të lejuar. Ndërsa bëhet e obliguar nëse njerëzit kanë nevojë dhe dobi nga kjo gjë.

4- Kryengritja kundër udhëheqësve të padrejtë:
Havarixhët janë të pajtimit mes tyre në obligueshmërinë e kryengritjes kundër udhëheqësve të padrejtë, keqbërës dhe të dobët. Nëse kundërshtarët ndaj udhëheqësve të padrejtë arrijnë numrin katërdhjetë burra, këtë limit e quajnë “Limiti i Blerjes”, që nënkupton se këta blenë Xhenetin kur shitën shpirtrat e tyre. Ata obligohen të dalin në kryengritje derisa të vdesin ose të ngadhënjejë feja e Allahut dhe të asgjësohet mosbesimi dhe padrejtësia, sipas pretendimit të tyre. Atyre nuk u lejohet të qëndrojnë duarkryq vetëm nëse janë më pakë se tre burra, e nëse ndodhë kjo atëherë atyre u lejohet të heshtin dhe ta fshehin besimin e tyre. Kjo fazë tek ata njihet si “Rruga Sekrete”.

5- Pranimi si udhëheqës Ebu Bekrin dhe Omerin dhe bërja mosbesimtarë Othmanin dhe Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me ta)
Havarixhët besojnë se udhëheqësia e Ebu Bekrit dhe Omerit është legjitime në sheriat dhe në vërtetësinë e saj nuk ka fare dyshim. Udhëheqësia e tyre ka ndodhur me pajtimin e besimtarëve dhe pajtimin e tyre, ku edhe vazhduan rrugën e drejtë të cilën Allahu i Madhëruar i urdhëroi dhe nuk ndryshuan fare deri në vdekje.
Kjo bindje e Havarixhëve ndaj udhëheqësisë së Ebu Bekrit dhe Omerit është e qëlluar dhe e vërtetë, por Havarixhët devijuan pas këtyre dyve, filloi t’i udhëheqë shejtani dhe i largoi nga e vërteta dhe rruga e drejtë, ku edhe ndryshoi bindja e tyre ndaj Othmanit dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
Arritën deri në atë gjendje, derisa mohuan udhëheqësinë e Othmanit edhe atë mu në periudhën kur armiqtë e tij e kundërshtuan. Gjithashtu mohuan udhëheqësinë e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) pas gjykimit të tij, derisa mendimi i gabuar i tyre i bëri që edhe t’i bëjnë mosbesimtarë ata. Gjithashtu shpallën mosbesimtarë Talhën , Zubejrin , Muaviun, Amr bin Asin, Ebi Musa el-Eshariun, Abdullah ibni Abasin dhe gjithë ata që morën pjesë në betejën e “Xhemel” dhe “Sifin”.

Dijetarët në librat e tyre i kanë paraqitur mendimet e gabuara që i posedonin Havarixhët.
Ebu Hasen el-Eshari thotë: “Havarixhët pranuan udhëheqësin e Ebu Bekrit dhe Omerit ndërsa mohuan udhëheqësin e Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), në kohën e trazirave rreth udhëheqësisë së tij dhe thanë se Aliu është udhëheqësi i drejtë para gjykimit të tij, por pasi që Aliu pranoi gjykimin, ata e mohuan udhëheqësinë e tij, ndërsa Muaviun, Amr bin Asin, Ebu Musa El-eshariun i llogarisin mosbesimtarë.”

6- Premtimi dhe ndëshkimi i Allahut është i vërtetë
Havarixhët pranuan se premtimi i Allahut është i saktë për ata që iu nënshtruan Allahut, gjithashtu thanë se ndëshkimi i Allahut ndaj mëkatarit është i vërtetë. Por ata nuk pranuan që premtimi apo ndëshkimi në raste të caktuara mund të mos i godasë.

7- Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja
Dallon qëndrimi e Havarixhëve në mesin e të tjerëve që e kanë këtë esencë siç janë EhliSuneti dhe dijetarët e hadithit, sepse Havarixhët këtë esencë e kanë lidhur fortë me idenë politike dhe se ndryshimi i zullumit dhe i padrejtësisë që i ka goditur apo do t’i godet shoqëritë bëhet me forcë – me shpatë – mjet autentik dhe rrugë bazë për largimin nga e keqja, dhe rrugë për ndryshimin e padrejtësisë dhe degjenerimit./rizgjimi/kohaislame.com

Përktheu dhe përshtati: Senad Ramadani


 

[1] Mekalaat el-Islamijiin 1/207, Hedju Es-Sar’i 459.
[2] Mekalaat el-Islamijiin 1/207
[3] El-Faslu fi el-milel 4/157
[4] El-milel ue en-nihal 1/134
[5] Akidetu Ehli Es-Sunne ue El-Xhema’ah-Nasir Esh-Shejh 3/1141
[6] El-Bidaje ue En-Nihaje 7/202

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit