1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kur Hashim Thaçi i ftonte deputetët të vepronin si ai, ta votonin Gjykatën Speciale

Më të lexuarat

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2015 e pati mbajtur një fjalim të gjatë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Asokohe në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, ai e mbështeste krijimin e Gjykatës Speciale.

Thaçi u thoshte deputetëve se krijimit të Speciales i kishte dhënë mbështetje në Qeveri dhe do ta bënte të njëjtën gjë edhe sikur të ishte në vendin e tyre.

AktivPress sjellë transkriptin e plotë të fjalimit të tij, të mbajtur me 3 gusht 2015, ditën kur Kuvendi kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme për miratimin e Ligjit për Dhomat e posaçme të Gjykatës Speciale.

“I nderuar kryeministër Mustafa,

Kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë,

Është një kohë e gjatë që ballafaqohemi me këtë sfidë të themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ka kaluar një kohë, tash e pesë vjet, që kjo çështje diskutohet edhe në institucione të Kosovës, edhe në institucione ndërkombëtare dhe diskutohet edhe në raportet bilaterale edhe në Kosovë me vendet tjera, por edhe në Kosovë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë.

Ne si Kosovë jemi ballafaquar me akuza jo të lehta të Dick Martyt, akuza këto të cilat kanë qenë përtej imagjinatës edhe të qytetarëve të Kosovës, por edhe të gjithë njerëzve të arsyeshëm. Por meqë këtu u hapën çështje edhe të 16-vjetshit të fundit, edhe të periudhës së luftës, edhe të viteve 90-të, edhe para të 90-të, atëherë më lejoni që t’i them edhe unë dy-tri fjalë, sepse nuk mund ta shkëpus opinionin tim dhe, natyrisht edhe vendimin, sepse unë edhe kam votua për Gjykatën, në Qeveri dhe do të votoj vazhdimisht edhe sikur të isha deputet këtu, por edhe opinionet e mia edhe si zëvendëskryeministër edhe si kryetar i partisë më të madhe në vend, të Partisë Demokratike të Kosovës.

Jam një nga ata që kam diskutuar me bashkësinë ndërkombëtare tash e 5 vjet rreth kësaj çështjeje dhe aspekteve shumë të ndërlikuara dhe të komplikuara të këtij procesi. Dhe do të dëshiroja shumë që, të gjitha ato transkripte, pasi që ka këtu shumë që dëshirojnë për t’i parë transkriptet e takimeve të tjerëve, por të vetat kurrë s’ka qejf dikush t’ ua qes kurrkund, e unë kisha pasur shumë dëshirë dhe dëshirë më të madhe në jetë veç të botohen diku ato transkripte që kemi diskutuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe qëndrimet që i kemi prezantuar ne si institucione të Republikës së Kosovës… Nuk e pengova askënd sa foli, e tash kërkoj që të mos pengoni.

Pra, edhe si ish- kryeministër i vendit, por në përgjegjësinë aktuale që e kam në Qeveri, e natyrisht edhe qëndrimet e Qeverisë aktuale.

Askush në Kosovë nuk e ka filluar rezistencën e armatosur, sepse e ka dashur luftën, por nga domosdoshmëria për çlirim. Rruga më e lehtë ka qenë për ta sharë Serbinë me ndonjë deklaratë, por mos m’ i rezistuar Serbisë, dhe Serbia të kishte toleruar. Por, jam një nga ata që kemi marrë vendim t’i rezistojmë edhe ushtarakisht Serbinë, megjithëse pa armë, pa para, pa ndonjë mbështetje ndërkombëtare kur e kemi filluar, por ndodhi mrekullia gjatë procesit, fituam edhe mbështetje logjistike të fuqishme, për aq sa kemi pasur, por mbi të gjitha mbështetje shumë të fuqishme ndërkombëtare.

Pse e fituam mbështetjen qytetare? Sepse zhvilluam, për të gjithë qytetarët flas, sepse zhvilluam një betejë të drejtë, luftë për çlirimin e Kosovës. Fituam mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës që treguan mosbindje të plotë qytetare ndaj Serbisë dhe me aktivitetin e tyre edhe aktiv në rezistencën për liri të Kosovës. Në anën tjetër, pikërisht ky unitet i qytetarëve të Kosovës, i popullit të Kosovës për UÇK-në bëri që UÇK të fitojë mbështetje gjithë shqiptare, edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni, edhe në Preshevë, edhe në Ulqin e gjithashtu edhe në diasporë dhe kjo bëri që natyrisht të fitojmë edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Po i them këto gjëra, për arsye se të gjitha këto janë të ndërlidhura me njëra- tjetrën, sepse edhe procesi i themelimit të UÇK-së, edhe të organizimit të saj, edhe i rezistencës së saj dhe të gjitha etapat tjera të mëvonshme, janë të ndërlidhur me njëra- tjetrën dhe i takojnë një procesi të vetëm për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Askush nuk ka pretenduar t’i monopolizojë as vlerat as meritat për liri. Meritat për liri të Kosovës i takojnë njerëzve që kanë sakrifikuar, njerëzve që kanë mbështetur fuqishëm këto përpjekje, thjesht u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe kanë merita të tyre secili veç e veç, ai që ka jetuar në Kosovë dhe ka rezistuar, sepse veç për të ndëjtur në vitet 1990 – 1998 – 1999, në Kosovë ka qenë rezistencë, por edhe ata që e kanë ndarë kafshatën e Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër, është më se e vërtet se jemi ballafaquar edhe me sfida jo të lehta. Fillimisht, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u atakua si një krijesë e Serbisë, dhe ju të gjithë e dini. Ajo dështoi shpejt, sepse Serbia s’kishte nevojë të krijojë diçka për ta larguar vetveten prej Kosovës. Në anën tjetër, dikush, kundërshtarët tanë, flas të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, tentuan ta portretizojnë në faza të caktuara Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si fundamentaliste apo islamike, por pa sukses, sepse lufta jonë ishte luftë e drejtë, jo fetare, por kombëtare, për liri të vendit.

Gjithashtu u tentua në faza të ndryshme, shumë të ndjeshme, në faza më kulmore të rezistencës sonë të UÇK-ja të etiketohej edhe me epitete të paqëndrueshme ideologjike. Lufta e UÇK-së nuk ka qenë ideologjike, ka qenë luftë për liri, për pavarësi, për të drejta kombëtare. Ju e dini shumë mirë kur etiketohej si marksiste e leniniste, thuaja ti se kishin dalë qytetarët të luftojnë në male për marksizëm e leninizëm, dhe për të ardhur përsëri deri tek etiketimet apo tendencat për portretizimin e UÇK-së si terroriste.

Edhe kjo shpifje u rrëzua shpejt, sepse Ushtria 95 Çlirimtare e Kosovës zhvillonte luftë të drejtë, luftë zhvillonte në Kosovë, zhvillonte kundër ushtrisë, policisë dhe administratës së dhunshme të Serbisë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kreu kurrë sulme ndaj qytetarëve civilë. Ajo i rezistoi ushtrisë dhe policisë serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe shqiptarët kurrë nuk shkuan të luftojnë as në Beograd, as në Nish, as në Novi-Sad, as në Kragujevc, zhvilluan luftë për liri, zhvilluan luftë për ekzistencë, në tokën e vet, në trojet e veta, në Kosovë.

Dhe për të ardhur deri tek tendenca tjetër e portretizimit të saj si kriminale, gjë që i kanë kontribuar edhe ata që sot flasin këtu me zë të fuqishëm patriotik, kinse patriotik, sepse ata e dinë, unë e di çfarë pozicioni dhe çfarë qëndrimesh kanë pasur në krejt këtë periudhë 20 vjeçare të rezistencës sonë.

Faktet flasin se këto etiketime, këta zëra kryesisht edhe me motivacione politike kanë qenë, janë dhe do të mbesin të paqëndrueshme. Prandaj, unë kam besim të plotë se me gjithë këto shpifje, me të gjitha këto pretendime për denigrime, përsëri vlerat më sublime në historinë e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve, UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare e lirisë së shqiptarëve. Ishte hera e parë në historinë tonë që zhvillonim luftë në gjithë territorin e Kosovës, sepse jemi pas mësuar nga historia, një krahinë luftonte tjetra nuk ishte mirë e organizuar, por kësaj radhe ndodhi mrekullia, u organizuam aq sa u organizuam, aq sa ditëm, aq sa patëm mundësi, por ndodhi mrekullia dhe fituam lirinë, e larguam Serbinë prej Kosovës.

Dhe në të gjitha këto procese ne kaluam bashkërisht, në një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimin Evropian, edhe me NATO-n për të kulmuar me bombardimet e NATO-s. Natyrisht se këtu u përmendën dhe vazhdimisht përpiqen që të prezantojnë këtë proces politik të deformuar, të devijuar, se gjëja janë shkelur disa parime për çka kemi filluar rezistencën. Unë përsëri e theksoj fuqishëm dhe i qëndroj shumë fuqishëm asaj që kemi vepruar si delegacion i Kosovës në Rambuje, që kemi arritur nënshkrimin e marrëveshjes me bashkësinë ndërkombëtare flas, dhe refuzimin e Serbisë e në të njëjtën kohë filluan bombardimet dhe fituam lirinë.

Këtu, edhe atëherë ka pasur, Albini ka qenë kundër gjithë, edhe te procesi i menjëhershëm i pasluftës.

Këtu flitet për çarmatim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë ndihem shumë krenar që kemi arritur që të demilitarizojmë dhe transformojmë, se nuk përmendet transformimi në fjalorin e Albinit, hiq, të demilitarizojmë dhe transformojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Trupë Mbrojtëse të Kosovës, duke nënkuptuar një marrëveshje kuptimplote, shpresëdhënëse dhe me vizion për themelimin e Ushtrisë së sotme të Kosovës. Ishte procesi më i suksesshëm i një lëvizjeje guerile në botë, që kemi arritur bashkërisht me NATO-n.

Në të njëjtën kohë prej të gjithëve u vlerësua si lëvizje çlirimtare guerile më e 96 suksesshme në botë, ani pse dikush thotë që kanë munguar armatimi. Jemi të vetëdijshëm, por ne fuqinë e NATO-s nuk e kemi pasur në atë kohë dhe fuqi e fabrikë armatimesh nuk kemi pasur, sepse është e vërtetë që krejt qytetarët kanë kërkuar armatim për të qenë në istikame të luftës, por një gjë ua them, ne ia kemi afruar Albin Kurtit dhe atë e ka refuzuar, gjithashtu, për t’u bashkangjitur njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, një ka tepruar. Tek pas lufta, u përmendën këtu deformime të ndryshme.

Krejt jemi të vetëdijshëm se kanë ndodhur deformime pas luftës, sikur në çdo shoqëri të tranzicionit që do të mund të ndodhin dhe kanë ndodhur. Bile mund të them se më pak kanë ndodhur në Kosovë deformime, kur e kemi larguar Serbinë dhe jemi ballafaquar pastaj me procese tjera demokratike, se sa në disa vende që veç sistemin politik e kanë ndryshuar, që kanë shkuar edhe në përleshje të armatosura e ku ta di. Këtu s’ka ndodhur, është fakt, është meritë e të gjithëve. Por është edhe realitet, që s’po e përmendi me emër, ka pasur zona që gjatë luftës janë kanë qenë 400 ushtarë krejt, menjëherë, pas 3 dite pas luftës, 4000 njerëz me uniforma.

E më pastaj në daç shkruaje e zënë, në daç e këtij, në daç e atij. E për uzurpime ju flas edhe juve me emër e mbiemra nëse doni, juve të “Vetëvendosjes”. Ndërsa, për të ardhur në proceset e mëvonshme, edhe te procesi i negociatave për pavarësinë e Kosovës. Është e vërtetë, unë kam qenë opozitë dhe e flas shumë hapur dhe në mënyrën më të sinqertë të mundshme, edhe unë kam pasur hezitime të mia a t’i bashkëngjitem atij procesi apo jo.

Por u jam mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve të mi që jemi ulur, kemi diskutuar dhe kemi marrë vendim si parti që t’i bashkëngjitemi Ekipit të Unitetit që zhvillonte këto negociata në krye me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Agim Çeku, e gjithashtu ka qenë Blerim Shala, zoti Veton Surroi dhe unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, me atë ekipin që i thoshit edhe i unitetit edhe i elefantëve i cili ka qenë gjithashtu me përgjegjësitë kuptimplota dhe shumë të larta institucionale të Kosovës.

Mirëpo, ne kemi qenë të angazhuar të gjithë në realizimin e atyre marrëveshjeve, në arritjen e atyre marrëveshjeve dhe votimin e atyre marrëveshjeve, këtu. Dhe them se kemi qenë partia ndoshta më e përgjegjshme në vendimmarrjet që i kemi votuar këtu dhe ruajtjen e këtij partneriteti, ndoshta edhe më tepër se disa parti që kanë qenë në koalicion atëherë, bile Qeverinë e kemi ruajtur të mos bie, duke u munduar të kryejmë sa më shpejt procesin e pavarësisë së Kosovës.

Në atë kohë, gjithashtu zhvillohej zhurmë kundër Ekipit të Unitetit. Realisht, mua s’më kanë akuzuar shumë, derisa ua kam treguar vendin se nuk bëhem pjesë e të keqes kundër atyre njerëzve që ishim bashkërisht aty e që akuzonin me epitete të ndryshme edhe presidentin Sejdiu, edhe kryeministrin Çeku, edhe Vetonin që u thoshin epitete më të ulëta duke i quar edhe bari dhe duke i quajtur me epitetet më të ulëta shtazarake, në kuptimin shtazarak dhe kanë shëtitur nëpër sheshin “Nëna Terezë” ju e dini atë magarin, poshtë e përpjetë.

Dhe natyrisht, unë u kam treguar shumë qartë se nuk pajtohem me ju dhe nuk do të jam pjesë e reagimeve, edhe pse jam në opozitë, sepse jemi në ekip të unitetit dhe nuk pajtohem as me 97 etiketime që ua bënit presidentit Sejdiu, dhe kryeministrit Çeku, dhe e as Vetonit, dhe në asnjë rrethanë as Blerimit. E pastaj jam futur edhe unë në listën e akuzave të tyre, por s’jam mërzitur as atëherë, e as tash.

Mirëpo, rezultati doli të ishte në interes të qytetarëve, në interes të vendit dhe me bërjen e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Për të vazhduar pastaj me njohjet që i kemi sot, 111 njohje e dikush vlerëson që kjo edhe s’është pavarësi, e ju e dini edhe ditën e pavarësisë kanë deklaruar se kjo s’është pavarësi, por krejt bota kështu e ka bërë vendin e pavarur dhe sovran. Tek gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Juve ju kujtohet shumë mirë, se iniciues i këtij procesi ka qenë Partia Demokratike e Kosovës dhe unë e kam prezantuar qëndrimin tim edhe në Këshillin e Sigurimit, në një institucion respektabil.

Unë vazhdoj të besoj, nuk jam legalist, por flasin faktet, se Serbia, shteti i Serbisë flas, bene dallimin në mes Srebrenicës gjenocidin serb dhe dallimin në mes gjenocidit të shtetit të Serbisë, në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Me përgjegjësinë më të lartë shtetërore, politike, ushtarake… Ajo rezolutë do të kalojë, por ishit ju që e vonuat. Tregohuni të sinqertë. OK! Ju ishit që e vonuat. Ju lutem! Unë s’ju pengova kur folët rrafsh prej orës 10, e tash u bë ora 18. Pra, i kthehemi formimit të ushtrisë së Kosovës.

Më 17 shkurt të vitit të kaluar, ju lutem, me 17 shkurt të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Pikërisht ndërskamcat politike, ju lutem, në mes partive shqiptare, duke u frikësuar se mos po fito Thaçi poenë politikë, e ka bërë që të mos formohen Forcat e Armatosura të Kosovës. Për sqarim! E di që keni për të akuzuar menjëherë. S’ka qenë Lista Serbe atëherë, të lutem. Atëherë, Grupi parlamentar i komuniteteve ka qenë i gatshëm të votojë.

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është peng e interesave krejt të ngushta partiake i atyre partive që kanë qenë në atë kohë në opozitë, dikujt më shumë, dikujt më pak.

Pra, tash dëshiroj t’u drejtohem të gjithë deputetëve, dëshiroj t’i drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës: themelimi i Ushtrisë së Kosovës, i Forcave të Armatosura të Kosovës është peng tash e një vit e gjysmë e interesave të ngushta në atë kohë të spektrit politik ndërshqiptar. Partnerët e koalicionit të komuniteteve edhe serb, edhe jo serb, kanë qenë të zotuar të votojnë. Arsyeja pse s’keni votuar, keni menduar se po fiton Hashim Thaçi poenë politikë ndërsa sot e kërkojmë të votojmë, por urdhëroni veproni, gjene çelësin, rrugën dhe mënyrën e votimit e unë jam i gatshëm t’ ju ndihmoj.

Jo, jo, mos e dërgoni gishtin kah Lista Serbe se s’ka pasur listë serbe atëherë, të lutem dhe nuk mund të shitni këtë. Dhe, në anën tjetër edhe diçka dëshiroj të sqaroj për ju deputetë të nderuar dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Po flisni për njëfarë raporti të EULEX-it. Është mirë që EULEX-i tri herë ka dalë publikisht se ai nuk është raport i EULEX-it. Atë raport e keni hartuar ju për t’ia shitur opinionit publik si i EULEX-it. Unë mund tua përmendi edhe me emra, por duhet të ju vjen me të vërtetë shumë keq nga vetvetja.

Nëse s’ju keni treguar partive tuaja, që e keni bërë vet, unë jam i gatshëm pas këtij fjalimi të tregoj edhe kush e ka shkruar, qysh e ka shkruar, si e ka prezantuar dhe cili ka qenë qëllimi. Pra, ai raport nuk është i EULEX-it që jeni munduar të futni ndërskamcën ndërshqiptare, por është produkt i këtyre për t’u thirrur kinse në emër të EULEX-it se ata nuk po ditkan të lexojnë dhe të reagojnë, prandaj është punë shumë e pastër si loti. Te dialogu, e përmendët kapitullimin e dialogut Kosovë – Serbi. Unë mendoj që… Jo, por ju e thatë kapitullim, e ajo është marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo marrëveshje për herë të parë pas luftës, ne jemi takuar edhe në Vjenë, edhe me president e kryeministra të Serbisë, por kur kemi shkuar në Vjenë kemi qenë në kornizat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e gjithashtu Rezolutës 1244. Për herë të parë, në vitin 2012 jemi ulur me Serbinë. Si fitues në nivel të barabartë si dy shtete të pavarura dhe kemi arritur marrëveshje të paqes. I qëndroj asaj marrëveshjeje plotësisht deri në fund dhe ndihem me përgjegjësi, ndihem i përgjegjshëm për nënshkrimin që e kam në atë marrëveshje dhe marrëveshje tjera që po realizohen.

Sa i përket dialogut, unë dëshiroj të falënderoj Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që ka qenë shumë e përgjegjshme në atë proces. Nuk flas për politikë as me ndërskamca politike, por me sinqeritetin më të madh. Gjithashtu falënderoj LDK-në që e ka votuar marrëveshjen e arritur në Bruksel. E thashë të parën Aleancën, sepse ka participuar në proces, ndërsa LDK ka votuar dhe mendoj që ka qenë gjithçka kushtetuese dhe ligjore, dhe këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por, për dialog, bëhuni edhe ju tash të sinqertë “Vetëvendosjes”, sa e kishit atë VLAN-in, organizimin tuaj, ju kërkonit të udhëhiqni dialogun, ndërsa sot, mos të na mundoni këtu jo dialogu, jo ç’dialogu. Ju keni kërkuar vet të jeni udhëheqës të dialogut, vetë t’i prini atij procesi, vetë të uleni me Serbinë. Është fat që nuk e keni pasur atë mundësi, sepse i kishit bërë dëm vendit, as nuk dini as nuk guxoni. E përmendët bashkimin kombëtar.

Përsëri po ju them, ju vetëm flisni për bashkim kombëtar. Kund në program tuajin, në angazhimin tuaj, në veprimin tuaj nuk shkruan dhe nuk veproni për bashkim kombëtar. I përmendët gjithashtu edhe frikën prej aktakuzave të Serbisë. Ju, të “Vetëvendosjes” së paku diçka keni shumë të lehtë. Juve, me përjashtim të Rexhep Selimit, asnjë tjerëve s’ju rrokë asnjë 99 aktakuzë e Serbisë. Rexhepi është diçka tjetër, ndërsa ju të tjerët, rrini shlirë, se s’ju rrokë, se s’keni bërë ndonjë sherr.

Glauk, unë s’po flas për babë tëndin, por po flas për ty, ti je deputet, jo Sherifi. Tjetër, sa i përket aktualitetit, gjithashtu zotëriu atje me mjekër hodhi akuza të pabaza, por unë e kam vetëm një pyetje për të: Qysh ishte e mundur Sllobodan Millosheviqi t’u bëjë mik shtëpie vetëm juve dhe Rrahman Morinën? Prej 2 milionë shqiptarëve, qysh ishte e mundur, ku ju gjeti juve tashti këtë entuziazëm patriotik në Kuvend të Kosovës? Ku ishit ju, si më supermena, më familje? Prandaj vetëm pyetni veten, pastaj fol për të tjerët. Mik shtëpie, mos harro! Shikoi procesverbalet e Tribunalit të Hagës. S’po dua tjetër të them, se kam edhe tjera, por s’të them.

Jo, jo, s’ta përmenda emrin. Prandaj, deputetë të nderuar, Qeveria e Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themelohet Gjykata Speciale si një vendim jo i lehtë, por i domosdoshëm në kuadër të përgjegjësive dhe thellimit të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, i përgjegjësive tona që këtë sfidë thjesht të mos e vëmë si pengesë për rikthim ose si pengesë që do të na kushtonte në një vonesë shumë të madhe për vendin tonë të lëvizë drejt integrimeve euro-atlantike.

Dëshiroj të theksoj se ne, këtë vit, vitin 2015, gjysmën e vitit 2015 mund ta shndërrojmë në vit evropian të Kosovës, edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim- asocim, edhe për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, edhe për anëtarësim në UNESCO, edhe në Interpol e gjithashtu edhe për aplikim të suksesshëm në Këshillin e Evropës.

Unë nuk mund ta imagjinoj këtë rrugëtim të së ardhmes sonë si vend, shoqëri dhe institucione të izoluara, por si një proces që lëvizim përpara bashkërisht, pa dallime partiake, e në të njëjtën kohë në një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimin Evropian edhe me NATO-n. Prandaj, deputetë të nderuar, ju ftoj të gjithëve që të votoni pro themelimit të Gjykatës Speciale. Faleminderit! /AktivPress/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit