Shumëkush e ka parë filmin “Nëntori i Dytë” i cili bën fjalë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Por, si duket asnjë nuk e ka pikasur përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha, në filmin e prodhuar në vitin 1982 dhe që përshkruan peripecitë e Ismail Qemalit deri në shpalljen e pavarësisë.
“Nëntori i Dytë” është një nga prodhimet më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare në historinë e saj. Por, ashtu si shumë filma të tjerë as ky prodhim kinematografik nuk i ka shpëtuar dot propagandës së regjimit komunist edhe pse përshkruan vitin 1912 dhe udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur flamurin kombëtar.
Pikërisht në këtë udhëtim, në film përfshihet kolona zanore e këtij filmi me këngën përkatëse “Cili je ti more burrë?”.
Në pjesët ku kënga flet për marrjen e trojeve shqiptare për t’i bërë pjesë të shtetit shqiptar, dëgjohet një thirrje: Rroftë Enver Hoxha!
“Filmi trajton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar – shpalljen e pavarësisë së kombit Shqiptar. Personalitetet më të famshëm të kombit të udhëhequr nga patrioti Ismail Qemali pas shumë pengesash arrijnë të ngrenë flamurin shqiptar dhe të shpallin kështu Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912”, thuhet në përshkrimin e filmit “Nëntori i Dytë”.
Megjithatë, propaganda komuniste përmes përfshirjes së diktatorit Hoxha ka dashur ta jetësojë atë edhe tek “Nëntori i Dytë”, ashtu siç gjendet tek shumica e filmave të prodhuar nga “Kinostudio Shqipëria e Re”.
Jetësimi i diktatorit me 28 nëntorin e vitit 1912 del edhe në një pikturë me sfond historik, ku paraqitet vetë Hoxha, Skënderbeu dhe Ismail Qemali.
Sipas ish-drejtorit të Arkivave në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi piktura u porosit nga Komiteti Qendror në vitet ’70 dhe u vendos në një prej zyrave kryesore të tij.
“Diktatori i Shqipërisë kishte dëshirë ta lavdëronin në dy gjëra: se po bënte shtet (realisht një shtet i dështuar si në organizim dhe në funksionim), si dhe të gënjehej se ishte figura më e denjë që i takonte të merrte shpatën e Skënderbeut. Dy “stacione” të tjera historike përmendeshin vitet 1912 me pavarësinë dhe 1924 me grushtin e shtetit të këtij viti. Gjysmën e pikturës e zënë partizanët dhe shefi i tyre Enver Hoxha, por mungojnë këtu Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Si rezultante e gjithë historisë së Shqipërisë dilte Enver Hoxha”, shkruan ai.Kjo shpjegon edhe përfshirjen e diktatorit Hoxha në filmin “Nëntori i Dytë”, i cili është realizuar në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit, si dhe me muzikën e Kujtim Laros.
Ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk është vetëm subjekti por edhe kasta e aktorëve të zgjedhur me kujdes nga regjisori Gjika.
Pavarësisht realizimit të arrirë artistik të këtij filmi, si shumë prodhime të tjera as ky film nuk i ka shpëtuar propagandës komuniste, duke bërë personazh të vitit 1912 vetë diktatorin Enver Hoxha.
Ndërkaq, para disa muajsh drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa së bashku me studiuesit Jonila Godole dhe Erald Kapri hodhën në opinionin publik tezën e ndalimit të transmetimit të filmave me përmbajtje propagandistike enveriste. Ndërsa listës së shumë filmave me këtë përmbajtje i shtohet edhe “Nëntori i Dytë” që pakkujt mund t’ia merrte mendja se edhe ky film do t’i nënshtrohej propagandës komuniste./TiranaToday