ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me presidentin e Pakistanit Memnun Husejin, me të cilin kanë biseduar për vendimin e qeverisë së SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet presidenciale, gjatë bisedës telefonike është theksuar se hapi i fundit i qeverisë së SHBA-ve do të ndikojë negativisht në paqen dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme.
Presidenti Erdoğan vuri në dukje se në Lindjen e Mesme nuk mund të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme pa formimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës, me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Ai bëri të ditur se më 13 dhjetor në Stamboll do të organizojë një Samit të jashtëzakonshëm Islamik lidhur me çështjen e Jerusalemit. Ai gjatë ditës ka zhvilluar biseda telefonike me liderë të ndryshëm.