-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Përfundon takimi Kosovë – Serbi, Dacicit me shokë i lejohet të vijë në Kosovë

Më të lexuarat

Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, diskutuan përplasjet rreth vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, mund të vizitojë Kosovën nëse kërkon një gjë të tillë dhe nëse për këtë merr lejen e autoriteteve të Prishtinës. Ndërkaq, kryeministri serb tha se janë pajtuar për krijimin e një mekanizmi që do të mundësonte vizitat e papenguara të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Komentet e tyre pasuan takimin e mbrëmshëm në Bruksel me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila vendosi të ftojë palët në një takim të ri pas kërcënimit të Beogradit se do të ndërpresë bisedimet me Kosovën, nëse Prishtina nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë gjatë fushatës për zgjedhjet komunale.

Zyra e zonjës Ashton kumtoi shkurtazi se “takimi ishte i rëndësishëm dhe i dobishëm”, por pa dhënë asnjë hollësi tjetër.

Kryeministrit serb Ivica Daçiç, i ishte refuzuar kërkesa që të premten që lamë pas, të qëndrojë në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë me shumicë serbe për të marrë pjesë në hapjen e fushatës për zgjedhjet komunale në të cilat Beogradi mbështetë Nismën Qytetare Serbe.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci e cilësoi të suksesshëm takimin që sipas tij jep shpresë për sukses në zbatimin e standardeve dhe parimeve evropiane në marrëdhëniet Kosovë- Serbi. Ai tha se lufta e ftohtë ka përfunduar dhe Kosova është në favor të bashkëpunimit, fqinjësisë e lëvizjes së lirë.

Edhe kryeministri serb Ivica Dacic e cilësoi takimin si një nga më të dobishmit në të cilin janë diskutuar siç tha disa çështje me rëndësi për të siguruar zgjedhje të mira për pushtetin komunal në Kosovë. Ai tha se janë pajtuar që çështja e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë të zgjidhet dhe të hiqet nga tryeza e diskutimeve.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin komunal. Nga mbi 100 subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në këto votime, tridhjetë syresh janë nga radhët e komunitetit serb. Pas zgjedhjeve të tre nëntorit, pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes ndërmjet kryeministrave, do të ketë një shkallë të gjerë autonomie./voa/

Të dy kryeministrat u bënë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në votimet e tre nëntorit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit