2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Investimet milionëshe turke në Kosovë

Më të lexuarat

Turqia është një prej shteteve me prezencën më të madhe të investimeve direkte në Kosovë. Njëherësh është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën me shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Mbi 372 milionë euro, llogariten investimet e Turqisë në Kosovë, që nga viti 2008 kur në Kosovë vepron Oda Tregtare Kosovare-Turke, thotë Arben Fetahu, drejtor ekzekutiv i kësaj ode.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Fetahu thotë se investimet nga Turqia zënë vendin e parë sa i përket ndikimit në ekonomi.

“Realisht vitin e kaluar Turqia e ka zënë vendin e dytë sa u përket investimeve të drejtpërdrejta në Kosovë. Vendin e parë, vazhdimisht e zënë Gjermania ose Zvicra. Por, një gjë që duhet ditur është se investimet e huaja nga Gjermania, Zvicra ose nga Britania e Madhe vende të njohura për diasporën e gjerë kosovare, rëndom janë në patundshmëri, si shtëpi apo banesa”.

“Kurse investimet e huaja nga Turqia janë të orientuara nga ekonomia, investime të cilat sjellin vende pune dhe gjenerim ekonomik”, thotë Fetahu.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nga janari deri në gusht të këtij viti, investimet e Turqisë në Kosovë ishin mbi 19 milionë euro, nga 201 milionë euro nga investimet në përgjithësi.

Këto të dhëna, Turqinë e radhisin si shtetin e pestë, pas Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe Britanisë se Madhe.

Investimet turke janë të orientuara në sektorin bankar, edukim, shëndetësi, prodhimtari, energji, ndërtimtari, tregti, hoteleri, transport dhe fusha tjera.

Numri i përgjithshëm i bizneseve turke të regjistruara në Kosovë është rreth 800, thotë Arben Fetahu, por që sipas tij, 200 biznese aktualisht janë aktive.

Investimet e Turqisë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën, janë të mirëseardhura dhe të nevojshme, thotë Guner Ureva, drejtor i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Ballkani është një hapësirë për investime turke, natyrisht duke marrë parasysh edhe lidhjet, komunikimin e investitorëve potencialë turq me vendet e Bashkimit Evropian, shtetet e Ballkanit. Edhe Kosova mund të shërbejë si një bazë që do të prodhohen produktet nga investimet turke më orgjinë në Kosovë për t’u plasuar në tregjet e Bashkimit Evropian”, thotë Ureva për Radion Evropa e Lirë

Se kompanitë turke vazhdojnë të paraqesin interesim për investime në Kosovë thonë edhe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës se Kosovës në Stamboll.

Erven Fusha, konsull i përgjithshëm në detyrë thotë për Radion Evropa e Lirë, se disa herë në javë takohen me biznesmen turq, për t’u treguar kushtet e të bërit biznes në Kosovë.

“Përafërsisht kemi katër ose pesë takime në javë me biznesmen apo investitorë të ndryshëm turq që janë të interesuar të investojnë në Kosovë. Interesimet e tyre janë të llojeve të ndryshme, disa dëshirojnë të investojnë në bujqësi, infrastrukturë apo edhe investime tjera më kapital më të madh”, tha Fusha.

Ndryshe, përveç investimeve direkte, në Kosovë disa nga kompanitë me kapital më të madh financiar janë dhënë më koncesion konsorciumeve turke.

Bechtel-Enka, konzorcium amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e autostradës që lidhë Kosovën me Shqipërinë, me një çmim prej një miliard euro, kurse tashmë është duke ndërtuar edhe autostradën Prishtinë – Shkup, në vlerë mbi 600 milionë euro.

Një konsorcium tjetër ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon në vitin 2010 ka marrë me koncesion për njëzet vjet, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me obligimin që të investojë mbi 100 milionë euro në të.

Kurse në vitin 2012 ,konzorciumi turk Limak-Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro.

Që prej vitit 2004 në Kosovë vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim [TIKA].

Nga ajo periudhë kjo organizatë ka realizuar qindra projekte të ndryshme, si dhe ka restauruar një numër të madh të xhamive, por edhe ka bërë investime në ndërtimin e xhamive të reja në të gjithë Kosovën. Investime nga kjo agjenci ka pasur edhe në sektorin e shëndetësisë dhe këndeve të lojërave në parqe të kryeqytetit.

Nga investimet turke në Kosovë, ndërkaq funksionojnë edhe një numër i institucioneve arsimore .

Përveç investimeve direkte, Kosova ka të nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë më Turqinë që nga viti 2013, por ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovë,s kurse shteti turk e ka ratifikuar këtë marrëveshje që moti.

Marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë, sipas ekspertëve, vë në pah disbalancet tregtare mes dyja shteteve, marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike e tregtare që ka Turqia në krahasim me Kosovën.

Importet e shtetit turk në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë qenë mbi 288 milionë euro, kurse eksportet e Kosovës në Turqi rreth 8 milionë euro. /rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit