2.3 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Çfarë mund të mësojë Donald Trump dhe mbështetësit e tij nga Prijësit Muslimanë

Më të lexuarat

Craig Considine

Mbështetja për Donald Trump-in është duke u shtuar në SHBA. Kjo është veçanërisht shqetësuese sepse gjatë javëve të fundit, ai ka bërë thirrje për të ndaluar emigracionin e muslimanëve, për mbylljen e xhamive, spiunimin e muslimanëve, imponimin për të mbajtur fasha identifikuese, si dhe një sërë masash të tjera haptazi islamofobe. Njësoj si Hitleri, vetëm se sipas stilit amerikan. Është më se e qartë se Trump-i dhe mbështetësit e tij (ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e mirë) i konsiderojnë muslimanët si një “kancer” ndaj të cilit duhet kundërvepruar me çdo mjet të mundshëm.

E vërteta është se muslimanët kanë shumëçka për t’i ofruar Amerikës. Civilizimi Islam, ka histori të pasur drejtësie, dhembshurie dhe humanizmi. Ky nuk është një argument qesharak dhe i stisur, por një fakt historik. Trump-i dhe mbështetësit e tij mund të mësojnë shumë nëse i referohen historisë islame dhe shembujve të prijësve muslimanë.

Të fillojmë me Profetin Muhamed, një nga njerëz më madhështorë që ka ecur mbi faqen e tokës. Kushtetuta e Medinës, që u hartua 1.000 vjet para kushtetutës së SHBA-ve, është një nga dokumentet e para ligjore në histori që mbron të drejtat dhe liritë njerëzore të besimit dhe të ndërgjegjes. E quajtur edhe Karta e Medinës, ky dokument u garantonte të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve të shtetit islam. “Të huajt”, në veçanti, duhet të trajtoheshin me kujdes të veçantë, njësoj si të ishin muslimanë. Kjo ngjan shumë larg me thirrjet e Trump-it dhe mbështetësve të tij, shumë nga të cilët duan të ndalojnë hyrjen e muslimanëve në SHBA.

Karta e Medinës nuk është dokumenti i vetëm i kësaj natyre. Profeti Muhamed u dërgoi letra paqeje dhe mirëkuptimi shumë komuniteteve të krishtera gjatë jetës së tij. Në një letër drejtuar murgjërve të krishterë në manastirin e Shën Katerinës, në Egjipit, Profeti u thoshte të krishterëve “se do t’i mbronte, pasi të krishterët ishin qytetarët e tij.” Letra përmban gjithashtu udhëzime sesi gjykatësit e krishterë duhet të respektoheshin dhe se asnjë kishë nuk duhej të dëmtohej apo shkatërrohej. Sërish, kjo duket shumë e largët me idenë e Trump-it për të mbyllur të gjitha xhamitë.

Profeti Muhamedi ofroi një tjetër shembull të respektimit të të drejtave njerëzore në Malin e Arafatit në vitin 632. Në predikimin e tij të lamtumirës, ai deklaroi se “arabi nuk ka epërsi mbi joarabin, dhe as joarabi mbi arabin…i bardhi nuk ka epërsi ndaj të ziut dhe as i ziu ndaj të bardhit, përveçse në devotshmëri dhe vepra të mira.” Predikimi i lamtumirës tregon humanizmin dhe përkujdesjen e Profetit për të gjithë njerëzit, pavarësisht prejardhjes etnike. Diversiteti në shoqëritë myslimane duhet të respektohet, bazuar në kërkesat e Profetit. Është vërtet ironike që Profeti Muhamed respektonte diversitetin, ndërsa Trump-i dhe mbështetësit e tij e përçmojnë atë.

Shkurtimisht mund të themi se Profeti Muhamed është anti-Trump. Profeti Muhamed është figura kundër racizmit që promovoi barazinë. Pa më të voglin dyshim, ai përparoi demokracinë në një pjesë të botës që kishte përvojë të paktë me këtë sistem politik. Mbështetësit e Trump-it që nënvleftësojnë Muhamedin nuk i kanë shqyrtuar shembujt e ofruar më lart.

Prijësit muslimanë, si Kalifi Umer, reflektuan ndaj njerëzimit të njëjtën dashuri si Profeti. Umeri i urdhëroi pasuesit e tij t’i trajtonin mirë hebrenjtë dhe të krishterët, t’i mbronin ndaj armiqve dhe të mos i ngarkonin më shumë nga ç’mund të përballonin.” Ai gjithashtu urdhëroi: “Trajtojini të gjithë njerëzit si të barabartë…Ju këshilloj të mos i lejoni vetes dhe të tjerëve t’u bëjnë keq hebrenjve dhe të krishterëve.” Umeri thjesht po ndiqte Profetin e tij sa i përket trajtimit të jo-muslimanëve me respekt dhe barazi.

Profeti Muhamed dhe Kalifi Umer janë muslimanë arabë, por arabët nuk ishin të vetmit muslimanë që u shtrinë dorën grupimeve të tjera fetare. Akbari i Madh, perandori mughal i Azisë së Jugut, shfaqte respekt të madh ndaj krishterimit. Respekti i tij ndaj të krishterëve është i dukshëm në Buland Daruaze, një portë e madhe në qytetin e Fatehpur Sikrit, në të cilën ai ka gdhendur fjalët:” Jezusi, i biri i Mermjes tha: Kjo botë është një urë. Kaloni mbi të, por mos ndërtoni shtëpi. Ai që shpreson për një orë, shpresoftë për përjetësinë. Kjo botë nuk zgjat më shumë se një orë. Shpenzojeni atë me lutje, pasi ajo që ju pret është e padukshme.” Akbari i Madh nuk do t’i kishte gdhendur këto fjalë nëse nuk do të ndjente se krishterimi duhet të respektohej.

Trashëgimia e Akbarit, e ngritur mbi tolerancën, mund të vështrohet edhe në Ibadat Khana, “shtëpia e adhurimit”, e ndërtuar në qytetin e Fatehpurit. Kjo ndërtesë shërbente si forum për dialogun ndërfetar mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Historiani Muhamed Abdul Baki sqaron se qëllimi i Akbarit ishte të bashkonte njerëzit e besimeve të ndryshme rreth parimit të paqes. Paqja, një fjalë e dashur që duket se mungon në mesazhet elektorale të Trump-it.

Trump-i dhe mbështetësit e tij duhet t’u referohen këtyre prijësve muslimanë për t’u udhëzuar mbi mënyrën si duhet të trajtojnë njerëzit në komunitetet e tyre. Amerikanët mund të ndriçohen nga vizioni dhe parimet e tyre. Ndërsa Trump-i dhe mbështetësit e tij parapëlqejnë të përçajnë dhe të sundojnë, muslimanët si Profeti Muhamed, kuptuan se toleranca dhe pluralizmi i forcojnë komunitetet. Është koha që Trump-i të marrë mësime humanizmi.

Burimi: huffingtonpost.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit